
Një tjetër abuzim me të mitur ka vënë në lëvizje policinë e rrethit të Devollit.Fëmija me inicialet K. R. është paraqitur me prindërit e tij në polici, ndërsa ka denoncuar si abuzues dy të mitur të tjerë vetëm dy vjet më të mëdhenj se ai. Policia e këtij rrethi bëri të ditur se ka nisur hetimet, por do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të vërtetojë nëse 11-vjeçari nga fshati Poloskë është përdhunuar nga dy të mitur të tjerë. I shoqëruar nga prindërit e tij, i mituri i është drejtuar policisë duke rrëfyer gjithçka kishte ndodhur. Burime të policisë bënë të ditur se fëmija 11 vjeç ka rrëfyer se është marrë me motor nga dy të miturit e tjerë, bashkëfshatarë të tij. “Isha duke luajtur me shokët në qendër të fshatit kur ata u afruan dhe më thirrën të shkoja tek ata. Hipa në motorin e tyre, por nuk më dhanë shpjegime se ku do të shkonin. Ata iu drejtuan periferisë së fshatit, në një zonë ku nuk kishte banesa, por vetëm pyje dhe shkurre. Atje nisën të dy të më ngacmojnë seksualisht”. Kështu është shprehur në Policinë e Devollit 11-vjeçari. Ndërkohë që mësohet se gjendja e tij psikologjike është e rëndë. Pas denoncimit të tij, policia ka nisur hetimet, por për shkak të çështjes delikate dhe moshës së mitur edhe të dy abuzuesve të dyshuar, blutë nuk dhanë emrat dhe as inicialet e tyre, deri në përfundim të hetimeve. Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë nëse me të miturin janë kryer marrëdhënie homoseksuale me dhunë, apo ndaj tij ka pasur veprime të tjera të turpshme pa dëmtuar fizikun e tij. Vështirësive me të cilat rriten 4 fëmijët e familjes së 11- vjeçarit tani u është shtuar edhe trauma e rëndë e përdhunimit të djalit të tyre. Në ditët e para të korrikut, një 12-vjeçar nga fshati Bitinckë i Devollit denoncoi abuzimin seksual nga dy të rinj. Fëmija me inicialet Xh. P. rrëfeu se ishte përdhunuar nga dy bashkëfshatarë të tij, R. Mullai., 16 vjeç dhe E. B., 19 vjeç. “Kjo ishte hera e katërt që më përdhunonin”, është shprehur në polici fëmija. Ndërsa policia kreu arrestimin e dy të dyshuarve, të cilët ndodhen në burg në pritje të vendimit gjyqësor. Ndërsa më 17 korrik, një tjetër denoncim tronditës u krye në Policinë e Korçës. “Arben Hajdinllari prej disa muajsh shfrytëzonte seksualisht nipin e tij 9 vjeç në kryeqytet. 45-vjeçari nga qyteti i Korçës e merrte të miturin në Tiranë dhe pasi i siguronte klientët, e detyronte atë që të kryente marrëdhënie seksuale me burra të grup-moshave të ndryshme. Shuma e kërkuar prej tij në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve me të nipin shkonte 4 mijë lekë. Njëherazi ai e ka shfrytëzuar 9- vjeçarin edhe për të lypur në kohën që përpiqej për të siguruar klientët në kryeqytet”, bëri të ditur Policia pas arrestimit të Hajdinllarit.











