Edicionin e kaluar të “Kënga Magjike” i ftoi fansat të përloteshin me këngën e tij “Akoma s’e besoj”, një baladë e ndjerë për ndarjen me vargje të Jorgo Papingjit. Ndërsa këtë vit i fton të gjithë adhuruesit e tij të gëzojnë dhe të kërcejnë me një këngë plot ritëm, titullin e së cilës do ta zbulojë nesër në programin e parë të “E diela Shqiptare”, ku nis dhe prezantimi i këngëve të reja të “Kënga Magjike 2012”. “Kënga ime këtë vit është 180 gradë ndryshe krahasuar me vitin e kaluar, është ritmike nën ritmet mesdhetare dhe ballkanike”, ka pohuar Devisi. Ai ka sqaruar se për krijimin e kësaj kënge i ka mjaftuar një frymëzim i momenteve të bukura nga ana e tij”. Ndërkohë që pak ditë para shfaqjes së tij në ekran si konkurrent, Devisi ka postuar në profilin e tij në facebook disa foto pushimesh në këtë fillimvjeshtë në plazhin e Ksamilit, ndërsa argëtohet në det me të dashurën e tij, Ertemiona Mejdani. Për historinë e tyre të dashurisë kanë folur të dy, ish-miss-Shqipëria Mejdani dhe këngëtari i njohur. Por, për sa u përket fjalëve që qarkullojnë se ata aq shumë e kanë konsoliduar lidhjen, sa janë në prag të fejesës, Devisi ka pohuar se ende nuk kanë filluar të mendojnë për fejesën, por tani për tani i kanë rezervuar vetes disa pushime të rralla në gusht në Palma de Majorka”. Në lidhje me vazhdimësinë e historisë së tyre, Devisi pohoi se: ”Historia ime me Ertemionën është në momentet e saj më të mira, dhe ndaj e kemi shijuar në maksimum këtë verë në çift. Kemi bërë plazh disa fundjava në bregdetin e Jugut shqiptar në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, ndërkohë që Ertemiona festoi 22-vjetorin pas disa ditësh dhe unë i kam bërë dhuratë udhëtim dyditor në Venecia”. Nëse rikthehemi sërish te muzika, Devis thotë se ka realizuar një këngë surprizë në bashkëpunim me Dr. Florin dhe Gent Myftaraj, pikërisht kënga me të cilën do të konkurrojë në festivalin “Kënga Magjike 2012”.











