Lidhja e saj me shqiptarët është më e hershme, megjithatë, prej qershorit të vitit 1992, ajo është një zë më shumë dhe një urë komunikimi e qëndrueshme me botën. “Ja si dua të informohem! Deutsche Welle në shqip, një zë europian në dy dekada, 1992 -2012? (So will ich informiert werden! Deutsche Welle-Albanisch, eine europäische Stimme für zëei Jahrzehnte, 1992-2012) është libri më i ri i gazetarit Arben Muka, i cili ka në fokus veprimtarinë 20-vjeçare të Radios Deutsche Welle në shqip. Cili është roli dhe ndikimi i këtij stacioni gjerman në informimin e publikut, lajmeve, kronikave, intervistave, reportazheve, vox-pop-eve, të realizuara me profesionalizëm, por dhe në përcjelljen e frymës europiane tek shqiptarët kudo jetojnë, ç’rol ka luajtur në promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në realizimin sistematik të projekteve konkrete për kualifikimin në të gjitha nivelet të kolegëve nga redaksitë lokale etj. Përveç informacionit mbi historikun, stafin e gazetarëve etj, për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve gazetari ka thirrur në “ndihmë” personalitete nga fusha të ndryshme në Shqipëri, por edhe njerëz të thjeshtë, të cilët ndjekin valët e Deutsche Welles. Kështu, flasin për mikrofonin e DW, duke treguar eksperiencat e tyre me valët e kësaj radioje, Adi Krasta, Agron Tufa, Alfred Moisiu, Alfred Peza, Andi Bushati, Ardit Gjebrea, Baton Haxhiu, Blendi Fevziu, Diana Çuli, Dhori Kule, Enver Robelli, Fatos Lubonja, Gudar Beqiraj, Henri Çili, Kujtim Çashku, Mark Marku, Ndriçim Xhepa, Tefta Radi, Shezai Rrokaj etj.











