Detyrimi për Pandin, detyrimi për të vërtetën

Sep 14, 2012 | 12:36

MURAT BASHA

Mendova gjatë për t’u ulur dhe shkruar këta rreshta për ty, miku im. Besoj më kupton, sepse e para gjë që më erdhi në mendje ishte se do të të bëja “keq”. Gjë që nuk do t’ia lejoj vetes kurrë. Po fjalët u thanë.  U sulën mbi ty pa mëshirë, si lukuni e uritur për pré. Nuk mund të bëj sehir kur sulmohet një mik. Edhe sikur të mos komunikoj, të mos flas me “të”. Përsëri do t’i dilja gjithmonë në krah një miku. Them mik, sepse miqësia e vërtetë nuk e njeh fjalën lamtumirë.
Të kam përgëzuar për shkrimin “Mos harroni Konstandinët”, ke shkruar edhe për pronat. Më lejo të them se për disa nga këto mendime nuk jam në një mendje me ty. Kjo nuk të zhvlerëson. Përkundrazi. Këtu mendoj se fillon kultura e dialogut politik, për të cilën kemi aq shumë nevojë sot. Dialogu kërkon dy krahë. Fatkeqësisht, te një pjesë e së majtës shqiptare, e përsëris një pjesë e saj, është e mbërthyer për gryke nga fundamentalizmi postkomunist.
Fondamentalizmi tmerrohet nga liria e ndërgjegjes, që në thelb ka fjalën e lirë. Prandaj ai kërkon të vrasë fjalën…. Pështjellimi vjen nga gjuha, pra fjala. Fjala vdes sa herë që “realiteti”, qoftë edhe virtual, pretendon të jetë totalitar. Lufta për pushtet, edhe brenda një partie, bën që dinamika konfliktuale e mikut dhe armikut të jetë bashkudhëtare e përhershme e aktorëve politikë.
Nuk ka fondamentalizëm pa dëshmorë dhe pa tradhtarë. Për ironi të fatit, tradhtarët, fondamentalistët e majtë i kërkojnë dhe gjejnë gjithmonë tek e djathta. Për të majtën shqiptare, për krimet e saj monstruoze dhe kriminelët e saj nuk flitet fare, më të “ndershmit” prej tyre i kanë quajtur gabime krimet e diktaturës! Kjo nuk është tallje, as sarkazëm, është turp, pacipëri, krim. Sipas të majtëve fondametalistë, tek e djathta ka vetëm tradhtarë dhe kolaboracionistë. Tek e majta, vetëm heronj! Pra Mbreti Zog I dhe gjithë të tjerët, tradhtarë. Ndërsa Enver Hoxha me një lukuni kriminelësh janë heronj, paçka se kanë vrarë 5700 burra dhe rreth 650 gra, burgosur 35 000 njerëz, internuar 100 000 të tjerë. Në emër të një ideologjie kriminale. Në emër të krijimit të “njeriut të ri”.
E kam shkruar edhe më parë, është e tmershme të vrasësh dhe skllavërosh njeriun e së sotmes gjoja për të “krijuar” njeriun e së nesërmes, a thua se njeriu është një makinë.
Njëherësh, të gjithë ata që janë shpallur nga historiografia komuniste si heronj, ende mitizohen si të tillë, paçka se shoqëria shqiptare dhe historia e hodhi poshtë veprën e tyre bashkë me mitin e krijuar.
Kultura e së majtës, veçanërisht asaj shqiptare, është e mbushur me mitologji revolucionare. E majta ka si pikënisje revolucionin, përmbysjen me dhunë. E ndërtuar mbi mite dhe të pavërteta, disa eksponentë të majtë vazhdojnë pa pushim me gjuhën e urrejtjes dhe të pavërtetave, thënë shqip: mashtrimeve. Paçka se të gjitha gënjeshtrat dhe veprat e ndyra kundërmojnë, koha, si gjykatësi më i mirë, i nxjerr në shesh.
Fondamentalizmi është një qeli. Kuptohet, pa hapësirë për fushëpamje. Një botë mendore e mbyllur, por e shtypur dhe sunduar nga obsesioni për të qenë e padepërtueshme, e pagabueshme. Sepse në çdo lloj fondamentalizmi mbizotëron ideja e përkryerjes, lejimit të gjithçkaje, – edhe krimeve monstruoze, – në funksion të ideologjisë, por, mbi gjithçka, një gjuhë e drunjtë, e njëjtë, e skematizuar. Fondamentalizmi gjithëherë ka premtuar lumturinë përtej luginës së lotëve. Çfarë dhimbje! Ne, më shumë se kushdo tjetër, dhe veçanërisht një pjesë e madhe, e njohim klithmën e dhimbjes nga dhuna. Sepse ne jetuam në një kohë pa kohë…. Në vendin tënd, timin, tonin, në këtë Shqipërinë tonë të shtrenjtë, janë derdhur shumë lot dhimbjeje dhe mjerimi, por askush ende nuk kërkon ndjesë për to. E vetmja që pati kurajë ta bëjë këtë gjë publikisht, është Liri Belishova, të cilën fati e hodhi në anën tjetër të barrikadës.
Fondamentalizmi kërkon përkushtim absolut ndaj kauzës, ideologjisë, organizatës, partisë, pra brenda një kornize të mbyllur. Ai nuk lejon asnjë lloj tjetër mendimi apo veprimi jashtë kësaj kornize. Çdokush që guxon të dalë jashtë kësaj kornize, etiketohet së paku lajthitje, pse jo, edhe tradhtar… Hata!
Ti, miku im, guxove e the një të vërtetë të madhe. Të përgëzoj për kurajën civile dhe detyrimin qytetar në shërbim të asaj që ke bindjen se është e vërtetë. E vërteta nuk është pronë e askujt. Për shumë vite apo dekada ajo ka qenë selektive, ka pasur një kohë, një vend dhe një zotërues të saj, kryekriminelin dhe regjimin kriminal komunist. Sot e vërteta ka fituar lirinë bashkë me fjalën. Historikisht e majta, dhe jo vetëm, në Shqipëri, ka pretenduar monopolin e përfaqësimit të popullit, a thua se përballë, nga e djathta, kishte pushtues dhe uzurpatorë.
Pandi, përtej këtyre rreshtave, veprimi yt fisnik është kurajoz! Sepse t’i shërbesh së mirës është fisnikëri, t’i bëhesh barrikadë së keqes është fisnikëri dhe burrëri së bashku (ka thënë një i mençur). Por thellë brenda meje nuk desha që ti t’i thoshe ato fjalë. Bëre sakrilegj, the të vërtetën! Ah… Nuk dua që të “vdesësh” politikisht. E majta shqiptare ka nevojë për burra si ti, që ta reformoni dhe ta nxirrni nga mentaliteti i së kaluarës komuniste. Kjo bëhet nëpërmjet pranimit të të vërtetave.
Në Shqipëri politika është bërë luftë për “shfarosjen” e tjetrit. Ndërkohë që duhet dialogu.
Ti the një të vërtetë. Së vërtetës mund t’i shërbesh vetëm duke iu përkushtuar tërësisht. Çdo mangësi, lajthitje apo deformim i qëllimshëm i saj është një akt i pamoralshëm, bile i turpshëm.
Angazhimi pervers politik nuk i përkushtohet më së vërtetës, por “kauzës”, ideologjisë. Intelektualët në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës komuniste jetuan nën presion. Natyrshëm që tek ata, si dhe një pjesë tjetër të popullatës në vendin tonë, u shfaqën deformime të “imponuara”…. Mbas viteve ‘90, një pjesë shkelmoi të kaluarën, bëri “mea culpa” dhe në heshtje vazhduan në rrugën e përkushtimit në shërbim të vendit. Por në Shqipëri kishte edhe një lloj tjetër “intelektuali”, ishin ata që u rritën në gjirizet e shtetit, apo pushtetit komunist. Ata kanë brenda tyre një mllef dhe zemëratë… të pakuptueshme. Vërtet…? Kjo nuk është më një “zemëratë” apo “luftë” ndaj pushtetit, apo për parime morale dhe të vërteta historike. Jo. Është një zgjedhje e një ane të barrikadës, çka bën që edhe bagazhi teorik dhe “morali” intelektual të jenë në shërbim të ideologjisë dhe jo vetëm, por gati gjithmonë në shërbim të së pavërtetave të shkruara dhe fabrikuara dikur, dhe sot, nga vetë ata.
Në politikë nuk mjafton vetëm të komunikosh. Komunikimi shkon në një kah të vetëm. Lipset dialog. Dialogu politik është shkëmbim mendimesh të dyanshme. Dialogu nuk mund të ekzistojë pa pranuar rolin e tjetrit, anën tjetër të barrikadës. Në momentin kur ne të tjerëve po kërkohet të na imponohet heshtja apo pranimi i të pavërtetave dhe mashtrimeve, nuk ka më as dialog, as…
Që dialogu të bëhet i mundshëm, kërkohet nga aktorët dhe faktorët, sidomos në këtë rast, një minimum luajaliteti intelektual dhe ndershmërie për të shprehur atë që mendon. Kjo do të mundësonte aktualizimin e thënies së famshme të Norberto Bobios: “E djathta dhe e majta të jenë si dy dialekte të së njëjtës gjuhë”.
Sot më shumë se kurrë politika dhe shoqëria shqiptare kanë nevojë për një dialog konstruktiv. Një dialog civil për të ndihmuar në ecjen përpara të Shqipërisë. Mësimet që na vijnë nga e kaluara t’i shërbejnë së sotmes për të projektuar të ardhmen. Këtu e kanë zanafillën edhe të vërtetat ose thënë më qartë, konsideratat historike. Kush merr përsipër të flasë apo të shkruajë për historinë, qoftë historian ose jo, le të marrë mundimin t’i drejtohet Arkivit Qendror të Shtetit (AQSH), ose të shfletojë librin me dokumente historike (Historia e Shtetit Shqiptar), të marra po nga Arkivi i Shtetit dhe botuara nga z. Kastriot Dervishi. Shumë ”historianë”, por edhe qytetarë, do habiten nga të vërtetat e dokumentuara, por do të mbeten pa mend nga mashtrimet e paturpshme që u janë servirur dhe vazhdojnë të serviren akoma nga disa pseudointelektualë, historianë apo….
I shkrova këta pak rreshta jo për t’u marrë me të vërtetat apo konsideratat historike (këto do t’i bëj herë tjetër), por si një detyrim ndaj një miku, i cili ka dalë këtë herë në llogoren e parehatshme dhe me kosto në mbrojtje të së vërtetës. Morali dhe e vërteta nuk kanë kahe politike, prandaj jam në krah tënd Pandi.

© Panorama.al

Te lidhura