
KORÇE- Zbulohet dëshmia e parë rreth skandalit të shembjes së Shtëpisë së Flamurit në Korçë. Roja i firmës që po kryen punimet në bulevardin “Shën Gjergji”, dëshmitar i ngjarjes, ka rrëfyer për grupin e hetimit se kishte parë një fadromë që e kishte rrafshuar gjatë natës Shtëpinë e Flamurit. “Kam qenë në punë mbrëmjen kur ndodhi shembja e kësaj ndërtese, pasi ishte turni im atë natë. Prej orës 22:00, nisa të vëzhgoj të gjitha objektet përgjatë rrugës. Pas mesnate kam ecur vazhdimisht prej fillimit të bulevardit e deri në fund të tij. Ishte ora rreth 03:30 e mëngjesit të së enjtes, kur pashë të hynte një fadromë në bulevardin që është në ndërtim dhe është i rrethuar nga shirita rrjete, që të pengojë kalimin e automjeteve dhe qytetarëve. Pasi këputi rrjetën, fadroma shkon në drejtim të Shtëpisë së Flamurit. Kujtova se ishte ndonjë mjet i firmës dhe ndoshta kishte harruar diçka. Teksa i afrohej shtëpisë, vura re se fadroma nuk shkruante emrin e firmës ku unë punoj. Vrapova drejt saj dhe tentova të bisedoja, por ishte e pamundur. U tërhoqa duke parë nga larg, sikurse edhe banorë të rastësishëm në ato momente. Nuk e njoha fadromistin dhe nuk pashë njeri tjetër ta ndiqte nga pas. Shembi ndërtesën dhe u largua”. Kjo është dëshmia e rojës së një firme që kryen punime në bulevard, emri i të cilit nuk u bë publik nga Prokuroria e Korçës që po kryen hetimin. Pas shembjes së ndërtesës, kryebashkiaku Peleshi i bëri thirrje Ministrisë së Kulturës t’i japë “OK” për të ndërtuar me shpenzimet e Bashkisë shtëpinë-muze para 28 Nëntorit, që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë.











