Në Gjykatën e Hagës u mor dje dëshmia e personit që cilësohej si dëshmitari kyç në rastin kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ndryshe nga sa pritej, dëshmitari i cili në gjykimin e parë të Haradinajt nuk kishte pranuar të dëshmonte dhe tashmë prokuroria e Hagës i kishte sytë tek ai për të ‘mbërthyer’ ish-kreun e UÇK-së, Shefqet Kabashi, ka kundërshtuar vazhdimisht pyetjet e prokurorit, Paul Rogers, duke thënë madje që dëshmia e tij e dhënë gjatë hetimeve dhe ato çfarë ka nënshkruar në fund kanë qenë të modifikuara. “Nuk ka pasur burg në Jabllanicë, ju betohem. Juve ju kanë përzier punët tuaja”, tha Kabashi duke iu lutur gjykatës që ta lërë të qetë, nëse është nevoja edhe në burg, por jo të detyrojë të thotë gjëra të pavërteta. “Këtu nuk ka drejtësi. Këto janë pallavra. Ma mirë do të ishte që këto para t’i jepen Hollivudit për të bërë ndonjë film të mirë, sesa kështu siç po veproni. Çdokush e ka humbur besimin te ju, si në Bosnjë, si në Kosovë, si dy vendet më të prekura nga lufta. Jo pse po i mbroj ata (Haradinajn dhe të tjerët), por këtu nuk ka drejtësi. Më çoni në burg edhe më lini atje, qoftë edhe përjetë, po nuk mund të ndryshoni bindjet e mia’, tha mes të tjerash Kabashi. Prokurori ka kërkuar nga gjykatësi një pauzë disaminutëshe, me argumentin se dëshmitarit i duhet të marrë veten pasi ai ka thënë se nuk është në gjendje t’i bëjë më pyetje atij. Shefqet Kabashi, ish-pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar javën e kaluar në Holandë për shpërfillje të Tribunalit të Hagës në vitin 2007, kur refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve gjatë dhënies së dëshmisë kundër Ramush Haradinajt dhe të tjerëve. Shefqet Kabashi është transferuar dhe mbahet në qendrën e paraburgimit të Tribunalit të Hagës. Dëshmia e Kabashit konsiderohet nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës vendimtare në çështjen e Ramush Haradinajt dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij. Dëshmitari Shefqet Kabashi ka akuzuar Prokurorinë e Tribunalit se po ndjek e ndëshkon viktimat dhe po amniston autorët e krimeve, duke rikujtuar krimet e pandëshkuara serbe në Bugrun e Dubravës dhe masakrat e tjera. Momentalisht procesi ka kaluar në një seancë të mbyllur. Kabashi është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe akuzohet për shpërfillje të Tribunalit për procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj.
Fletarrestimet në Veri
EULEX-i dhe Policia e Kosovës, me ndihmën e KFOR-it, kanë identifikuar disa nga personat që dyshohet se qëndrojnë prapa dhunës në Veri. Burime nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare për çështje të sigurisë thanë për të përditshmen “Zëri’ se përpjekjet e para për arrestimin e këtyre personave kanë dështuar kohë më parë, nga rreziku i madh i përballjes me grupet e armatosura që gjenden në atë pjesë të Kosovës dhe rrjedhja e informatave që bëhet para aksioneve. “Fletarrestimet kanë emrat e gjashtë personave, tre prej të cilëve nuk gjenden në Kosovë”, shkruan “Zëri” duke cituar këto burime. ‘Këta janë njerëz të rrezikshëm që kanë grupe të armatosura prapa vetes’, shtohet më tej. Mundësia që këta persona të kenë dijeni për fletarrestimet ishte rasti i së dielës, kur njësitë e EULEX-it u bllokuan para objektit të Agjencisë shtetërore serbe për Mbrojtjen e Pyjeve nga serbët, që u tubuan sipas skenarëve të njëjtë si për aksionin e ROSU.











