Dëshmia e policëve, shkak i pafajësisë për Shullazin

May 19, 2012 | 12:44

Emiljano Shullazi

Tiranë, vetëm Gilmando Dani në burg për pistoletën, ja arsyet.

Zbardhet vendimi i Gjykatës, oficerët ndryshuan dëshminë.

Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që i dha pafajësi Emiljano Shullazit për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Pas gjashtë muajsh mbajtje në paraburgim, Shullazi u kthye në liri, pasi sipas Gjykatës, nuk ka prova që të vërtetojnë fajësinë e tij. Për të pandehurin tjetër në proces, Gilmando Dani, Gjykata shprehej se Prokuroria kishte gabuar kur e kishte sjellë atë në gjykim për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Sipas arsyetimit të Gjykatës, nga hetimi gjyqësor rezultonte se Dani duhet të përgjigjej për akuzën “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Gilmando Dani

Shullazi dhe Dani u vunë nën akuzë për shkak të një arme të gjetur pranë vendit ku ata u ndaluan nga policia mbrëmjen e 8 nëntorit 2011. Në procesverbalet e arrestit në flagrancë, punonjësit e Policisë që prangosën Shullazin dhe Danin shënuan se “arma ishte hedhur nga Shullazi në momentin që ishte afruar policia”. Por ky fakt u mohua nga të njëjtët punonjës policie kur ata u paraqitën si dëshmitarë në proces. Më 11 maj 2012, Gjykata e Tiranës e deklaroi të pafajshëm të pandehurin Emiljano Shullazi, ndërsa dënoi me një vit burg të pandehurin Gilmando Dani.
NGJARJA SIPAS GJYKATES
Më datë 08.11.2011, rreth orës 17:30, në rrugën “Stavri Themeli”, patrulla e policisë e Komisariatit Nr. 2 Tiranë ka konstatuar tre persona të dyshimtë të njohur si persona me precedentë penalë. Menjëherë sa janë afruar punonjësit e Policisë pasi kanë zbritur të tre nga makina, kanë urdhëruar të pandehurin Gilmando Dani, të pandehurin Emiljano Shullazi dhe shtetasin Denis Selamaj që të ngrinin duart lart. Në këtë moment i pandehuri Emiljano Shullazi ka ngritur duart lart, ndërsa i pandehuri Gilmando Dani ka hedhur nga brezi që mbante një armë zjarri pistoletë të tipit “GLOCK” Nr. PAL 806 me një krehër me 16 copë fishekë. Armën e ka hedhur sipër kofanos së automjetit tip “Benz” me targë TR 2703 L, që ishte automjeti i tij. Shtetasi Denis Selamaj ka ikur me vrap dhe në ndjekje të tij është vënë njëri nga punonjësit e Policisë dhe pikërisht dëshmitari Ferid S., i cili nuk ka arritur që ta kapë dëshmitarin Denis Selamaj dhe është kthyer menjëherë te vendi i ngjarjes. Tek automjeti ka konstatuar se ishin dhe dy shokët e tij, Erlin M. dhe Fisnik S., të cilët kishin ndaluar të pandehurit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani dhe po bënin sekuestrimin e pistoletës që ishte hedhur nga i pandehuri Gilmando Dani sipër kofanos së automjetit të tij.
Nga patrulla policore janë kërkuar dhe përforcime të tjera, të cilat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pastaj kanë shoqëruar për në komisariat të pandehurit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani. Gjatë shoqërimit për në komisariat, i pandehuri Gilmando Dani ka deklaruar se pistoletën e gjetur te kofanoja e automjetit tip “Benz” e kishte hedhur ai, pasi arma ishte e tij dhe jo e të pandehurit Emiljano Shullazi. Ky fakt provohet se i pandehuri Gilmando Dani ka vajtur te kofanoja e makinës dhe është munduar ta fshehë pistoletën, ta hedhë poshtë makinës, veprim i cili është parë nga dëshmitarët Erlin M. dhe Fisnik S. Edhe në Polici, më datë 08.11.2011, i pandehuri Gilmando Dani ka deklaruar se arma e gjetur sipër kofanos së makinës ishte arma e tij, dhe jo e të pandehurit Emiljano Shullazi. I pandehuri Emiljano Shullazi në Polici dhe në Prokurori ka deklaruar se ai nuk ka pasur armë me vete. Nga tre punonjësit e Policisë, dhe konkretisht nga dëshmitarët Fisnik S., Erlin M. dhe Ferid S. është përpiluar procesverbali i kapjes në flagrancë, që mban datën 08.11.2011. Ky procesverbal është firmosur vetëm nga tre punonjësit e Policisë, duke mos iu komunikuar të pandehurve Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi.
ARSYETIMI
I pyetur në Polici, Prok-urori dhe në Gjykatë, i pandehuri Emiljano Shullazi nuk e ka pranuar akuzën që i është bërë, duke deklaruar se nuk ka pasur armë me vete dhe nuk ka ditur gjë që i pandehuri Gilmando Dani ka pasur armë me vete. I pyetur në Polici, Prokurori dhe në Gjykatë, i pandehuri Gilmando Dani ka pranuar faktin se armën e zjarrit me nr. PAL 806, pistoletë luftarake e markës “GLOCK”, kalibër 9 mm “9 mm x 21”, si dhe sasinë prej 16 fishekësh e ka pasur ai dhe e ka hedhur te kofanoja e makinës kur ka ardhur patrulla e policisë. Nga të gjitha provat e administruara nuk provohet që i pandehuri Emiljano Shullazi të ketë kryer veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Nga provat e administruara provohet plotësisht se i pandehuri Gilmando Dani ka kryer veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, dhe jo veprën penale të “moskallëzimit të krimit” të parashikuar nga neni 300 i K. Penal. Gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri Gilmando Dani duhet të përgjigjet plotësisht penalisht për veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, dhe jo për veprën penale “moskallëzim krimi” të parashikuar nga neni 300 i K. Penal, siç e ka sjellë për gjykim organi i Prokurorisë. Gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri Emiljano Shullazi duhet të deklarohet i pafajshëm për veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” parashikuar nga neni 278/2 i K. Penal. Vepra e kryer nga i pandehuri Gilmando Dani paraqet rrezikshmëri shoqërore pasi ka cenuar ato marrëdhënie që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe administrimin e armëve luftarake. Në caktimin e masës së dënimit për të pandehurin Gilmando Dani, Gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e veprës, të pandehurin, qëndrimin pendues të tij, i dënuar më parë, gjendjen e dobët ekonomike etj.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura