
I kryqëzuar për sabotimin e vijës së partisë në fushën e mbrojtjes, Kadri Hazbiu akuzohet nga ushtarakët e lartë se ka bllokuar fortifikimin e brezit
kufitar për të lënë të hapur shtigjet për vërshimin e armiqve të jashtëm në territorin e Shqipërisë Në seancën e datës 25 shtator 1983, tashmë në praninë e Rrapi Minos, prokuror i Përgjithshëm, ish-ministri i Brendshëm, detyrohet të përgjigjej për vepra të tjera kriminale që i përkasin periudhës
kur kryente detyrën e kreut të Mbrojtjes. Këtë radhë janë shtatmadhorët
e ushtrisë, Veli Llaka, Nazar Berberi, Halim Abazi, Qemal Gegollari, që e akuzojnë për shpërfilljen e rolit të partisë si njësi e reparte për
sabotimin e fortifikimit të rajoneve kufitare, për ndërprerjen
e qëllimshme të punimeve në vendkomandën sekrete të Shtabit të Përgjithshme, për zvarritjen e organizmit të mbrojtjes kundërtanke.
Mohimi kategorik që u bën Kadri Hazbiu dëshmive të bashkëpunëtorëve të afërt dhe drejtuesve të lartë të ushtrisë për prokurorin e Përgjithshëm, të pranishëm në hetime, mbetet një përpjekje e dështuar për t’iu shmangur përgjegjësive penale. I prerë në qëndrimin ndaj Hazbiut, Rrapi Mino bëhet më i ashpër në procesin gjyqësor, ku përveç dëshmive të ushtarakëve, i kujton ish-kreut të Mbrojtjes se ka sabotuar urdhrin e Komandantit
Suprem për t’i kthyer në bunkerë të lëvizshëm traktorët e parkut të makinave
bujqësore. Me aq sa shpjegohet përpara kryeprokurorit, ish- ministri i Mbrojtjes zbardh rrethanat në të cilat ka punuar me korpusin e specialistëve
përkatës për përmbushjen e këtij objektivi, i cili siç vëren ai, për arsyet që dihen, mbeti një ide. Gjithsesi, akuza e traktorëve të destinuar për autoblinda, përbën vetëm një detaj nga skaneri që i ka bërë Hetuesia veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut, ku ajo për çështjen e fortifikimit mbetet më kryesorja. Në pretencën e Rrapi Minos ngihen pengesat që ka
krijuar Hazbiu për betonizimin e rajonit të mbrojtjes së batalionit, për zhvendosjen e pozicioneve të zjarrit nga fusha në mal e deri te orientimi
i gabuar që ka dhënë për të lënë zbuluar drejtimet kryesore të mësymjes së ushtrive të huaja ndaj vendit tonë…
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Qemal Gegollari, më datën 28.9.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Qemal Gegollarit dhe kam për të thënë se programet e përgatitjes së artilerisë bëheshin nga Drejtoria e Artilerisë dhe zv. ministrat përkatës. Mua nuk më është ngritur ndonjëherë se koha e
caktuar për stërvitjen është e pamjaftueshme. Unë di se pozicionet e zjarrit të artilerisë e kanë aneksin për municionet. Për lagështirën në rastet
e vërtetuara nuk e mbaj unë përgjegjësinë, por vetë repartet e artilerisë që duhet të mirëmbanin. Projektet e pozicioneve të artilerisë janë
përgatitur dhe miratuar nga strukturat përkatëse. Unë nuk kam bërë ndonjë ndryshim të këtyre projekteve. Le të shihen dokumentet. Organikat e
artilerisë nuk janë shkurtuar pa studim e konsultim. Për kompletimin e tyre me ushtar aktiv ka pasur mendime të ndryshme dhe u vendos që
të jenë aktivë aq sa duheshin dhe pjesa tjetër, rezervistë. Për artilerinë e batalionit në konsultimin e gjerë që u bë, u arrit në mendimin se ajo duhej
reduktuar dhe nuk duhet të ishte tip standard në çdo batalion, por sipas drejtimit. Ky studim u reflektua në strukturën që do t’i paraqitej
Këshillit të Mbrojtjes në vjeshtë të vitit 1982. E vërteta është se me porosi të
udhëheqësit, unë kam insistuar që të studiohet dhe të bëhet organizmi i mbrojtjes kundërtanke kudo.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshmitë e bërë nga Halim Abazi me datën 29.6.1983. Ç’ ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Halim Abazit dhe kam për të thënë se stërvitjet në korpuse e brigada bëheshin sipas idesë së përafërt të planit operativestrategjik. Provat për gatishmërinë kanë qenë të vazhdueshme
në të gjitha rangjet, mua kështu më është raportuar nga Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Operative dhe ky vetë si kryetar Dege. Koordinimi
i stërvitjeve me kufirin dhe forcat e brezit të Sigurimit bëheshin nga korpuset
dhe kontrolloheshin nga Drejtoria Operative dhe vet ky. Nuk është e vërtetë që të kem qenë për teorinë e rrëshqitjes.Për mbulimin e drejtimeve kryesore të lëna pas dore, siç ishin ai i Kukësit, Tropojës, Peshkopisë me objekt
fortifikimin, janë dokumentet dhe le të shikohen. Kërkesa për kompletimin e
fortifikimit me transhe, flasin dokumentet, nuk është lënë pas dore. Rishikimi i dislokimit të reparteve të gatishmërisë së përhershme është bërë me porosi të udhëheqësit dhe do t’i paraqitej atij gjatë vjeshtës së vitit 1982. Studimi
i strukturës së ushtrisë u bë me pjesëmarrjen e kuadrove të nevojshëm sipas miratimit të udhëheqësit. Nëse ka dal ndonjë sekret, unë nuk e di.
Përllogaritjet në planin operativ ekzistues kanë qenë të fryra dhe për to kam dhënë shpjegime. Nuk është e vërtetë të kem thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes nuk është problem zbatimi i vendimit të Byrosë Politike mbi
metodën e punës, strukturën dhe kompetencat.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Veli Llakaj, datë 6.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Veli Llakës dhe kam për të thënë se për stërvitjet e mëdha kanë qenë Mehmet Shehu, Veliu dhe drejtues të tjerë të Ministrisë. “Shebenikun 80” e kishin përgatitur këta me kohë, unë
kam qenë për stërvitjen e vogël me kompaktësim deri në batalion pranë shkollës së lirë dhe krahas kësaj të forcohej përgatitja e shtabeve dhe
rrallë të bëheshin stërvitje në shkallë brigade me trupa. Veliu ka hezituar për këtë lloj stërvitje, por megjithatë ka rënë dakord dhe kjo është reflektuar
në programet stërvitore. Për prapambetjen e vendkomandave dhe të pikave të drejtimit, që thotë Veliu, unë di se është ecur sipas planit.
Nga ana ime është shtruar si detyrë që të studiohet projekti tip i pikave të drejtimit për t’i thjeshtuar ato në bazë të funksionit të tyre, sepse ashtu siç
ishin ndërtuar, ishin një dublim i vendkomandës. Për këtë gjendje nuk mbaj unë përgjegjësi, pasi ato janë ndërtuar para se të shkoja unë ministër i Mbrojtjes. Për ndërtimin e madh dhe pa kriter të rajoneve të fortifikimit
me qendra zjarri betonarme e kanë përgjegjësinë Mehmet Shehu, Veli Llakaj e
të tjerë, që i kishin miratuar e ndërtuar ato. Kur kam vajtur unë ministër i Mbrojtjes, kemi diskutuar thjeshtimin e objekteve betonarme, të përgatiten
pozicione gjysmë të gatshme dhe t’u jepen prioritet transheve, punimeve fushore që të lidheshin qendrat e zjarrit. Kemi hequr disa pozicione
betoni për artilerinë e transportueshme që ishin pa vlerë dhe të rrezikshme për konceptimin e luftës. Fortifikimin nga lart poshtë e kam thënë
unë të bëhet në zonat kodrinore për çdo rajon mbrojtjeje batalioni. Kjo për
mua ishte e drejtë, sepse endej pas numrit të qendrave të zjarrit, dhe jo në bazë të rajonit të mbrojtjes të çdo batalioni. Është e vërtetë që kam
biseduar me Veli Llakën se na duhet të studiojmë disa rajone mbrojtëse batalioni, që kishin dendësi qendrash zjarri pa kriter, prej të cilave një
pjesë mund të çmontoheshin në vend që të prodhoheshin të reja. Ky ishte një mendimi imi që e shpreha në gusht të vitit 1982, me të cilin ishte
dakord edhe Veli Llakaj e që duhej studiuar me Shtabin e Përgjithshëm dhe Drejtorinë e Fortifikimit. Për vendkomandën e Këshillit të
Mbrojtjes (e quajtur “Fusha”) asgjë nuk është penguar nga unë. Veli Llakaj dhe Alfred Moisiu janë dërguar disa herë në këtë objekt dhe më kanë
raportuar se çdo gjë ecën në rregull. Kishte mbetur vetëm problemi i administrimit nga Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes. Nuk është e vërtetë
të kem thënë unë që të futet në programet stërvitore rimarrja e qendrave të zjarrit përballë. Po kështu, nuk është e vërtetë t’i kem zvarritur unë
raportet për Këshillin e Mbrojtjes, por janë zvarritur nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Veli Llaka. Radio-rrjeti që lidhej me repartet e garnizonit të
Tiranës, ka ekzistuar me kohë. Qëllimi ka qenë që të mos humbte drejtimi i këtyre reparteve në rast të ndërprerjes së ndërlidhjes telefonike.
Veli Llakaj këtë e ka ditur prej kohe. Studimi i strukturës së batalionit dhe i peshës së ushtarit është bërë me urdhrin tim dhe me miratim të
udhëheqësit, pra, kur kam vajtur unë ministër i Mbrojtjes, dhe jo siç thotë Veliu në vitin 1979. Për këtë le të shihen dokumentet. Mehmet
Shehu nuk ka qenë dakord për studimin e strukturës, por kur i thashë që ky është mendimi edhe i udhëheqësit, nuk e kundërshtoi. Për komandantin
e Brigadës së Saukut unë nuk e kam mbrojtur, por e kemi gjykuar
kolegjialisht sipas rregullave dhe vendosëm ta heqim dhe e hoqëm.. Për aviacionin dhe flotën unë nuk kam penguar blerjen e materialeve të prapavijës. Për gjendjen e uzinave ushtarake Këshilli i
Mbrojtjes është vënë në dijeni, sepse kjo ishte dhe metoda e punës sime. Unë s’jam marrë me emërimin e nuses së djalit të Mehmet Shehut
dhe njëkohësisht të djalit të Llambi Peçinit, se propozimi ka dalë nga Drejtoria e Kuadrit, pavarësisht se në rastin e djalit të Llambi Peçinit mund të jetë firmosur shkresa nga ana ime. Për forcat vullnetare jam për pjekur për ingarnimin e tyre në stërvitjet me trupa, këto janë nënvlerësuar nga Mehmet
Shehu para se të vija unë. Tek Ismet Isufi kam shkuar jo më vonë se ora 21:00, dhe jo siç thotë Veliu. (Është fjala për natën e vetëvrasjes së Mehmet
Shehut, ku sipas Llakajt Hazbiu ka shkuar në shtëpinë e Mehmetit para vetëvrasjes, ndërkohë që Kadriu pohon se atë natë ka qenë në ditëlindjen
e sekretarit të tij, Ismet Isufi-shënim). Për pushkënshkop, pushkë e përgatitur
nga Dhimitër Sherkua (mjeshtër i laureuar me çmimin e “Republikës” për teknologjinë e armatimit-shënim) për Mehmet Shehun kam porositur
Veli Llakën, Nazar Berberin e Gaqo Pojanin, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, që të shohin se ç’armë janë prodhuar jashtë kontrollit e të shihet
Dhimitër Sherkua në këtë drejtim. Para vetëvrasjes së Mehmet Shehut, më ka thënë Dhimitër Sherkua se kam përgatitur një pushkë-bastun për
t’ia dhënë Mehmet Shehut. I thashë që t’i mbajë dhe ai kështu bëri. Detyrën për kontrollin e armëve që prodhoheshin jashtë serie ia kam ngarkuar gjatë vitit 1982 dhe Ali Vukatanës(ish-sekretar i Komitetit të Partisë së Ministrisë
së Mbrojtjes-shënim). Për lëndë fiziko-kimike për vënien në gjumë kam pyetur në telefon Veli Llakën, nëse kemi të tilla. U përgjigj se kemi. E porosita
që t’i niste me helikopter bashkë me specialistët për në Çermë, ku ishte rrethuar diversanti Xhevdet Mustafa. Ato nuk u dërguan, se s’kishte
të gatshme. Kështu më ka raportuar Veli Llakaj pas kthimit tim në zyrë. Pas kësaj, kam vënë për detyrë që të prodhohen lëndë të tilla që të
jenë të gatshme.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e Jani Samarës datë 10.5.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Jani Samarës dhe kam për të thënë se nuk e ka nënvleftësuar rolin udhëheqës të Partisë, por s’e kam shtruar
me forcë rritjen e rolit të shtabeve në raport me komandat
dhe të rritet llogaridhënia e tyre para komiteteve të Partisë.
Pyetje: Ç’ke për të hënë i pandehur për atë çështje që ka shpjeguar dëshmitari Janko Konomi?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Janko Konomit dhe kam për të thënë se është e vërtetë sa thotë Janko Konomi, se më ka informuar me një letër. Për projektin e objektit (është fjala për objektin e Uzinës së Eksplozivëve
në Mjeks të Elbasanit, e cila u nderua pas shumë peripecive me teknologji suedezeshënim) unë nuk di gjë, sepse kur kam vajtur unë ministër i
Mbrojtjes, vepra jo vetëm ishte miratuar, por punohej në stil të gjerë për ndërtimin e saj. Projekti, me sa di unë, është miratuar nga ish- ministri –
Mehmet Shehu, ish-zëvendësministri për sektorin e industrisë ushtarake dhe Niko Shuli, si drejtori përkatës(i Drejtorisë së industrisë ushtarake).
Unë nuk di se kur është miratuar kjo vepër nga Këshilli i Ministrave, se nuk
isha në atë kohë ministër i Mbrojtjes. Nuk di se ç’përfundime ka dhënë zbatimi i projektit të kësaj vepre, nga se vijnë këto sabotime dhe
nuk më janë ngritur çështjet siç i ngre tani Jankua. Sigurisht, këtu në këtë vepër ka sabotime të rënda, si e kuptoj unë, se për një vepër të tillë të madhe
duhej të merrej më parë projekti që nuk e kishin blerë, se kushtonte dhe donte kohë. Kështu që ndërtimi i saj u bë me projekte të pjesshme, siç
vinin nga Suedia. Konkretisht, pasojat e këtij sabotimi unë nuk i di, porse në këto kushte nuk ishte e mundur të përcaktoheshin drejt vlera dhe afatet
dhe Instituti i projektimit u vu në vështirësi. Afatet e ndërtimit të objekteve të kësaj vepre janë caktuar në ballafaqimet e përbashkëta investues – ndërtues – projektues. Për ndjekjen e punimeve është krijuar një
grup me Rexhep Saraçin, Nuro Bratin dhe përfaqësuesi i ndërtimit të Kombinatit dhe komanda e Brigadës xhenios. Unë di që është punuar me
projekt dhe preventiv të pjesshëm. Nëse kjo nuk është zbatuar, përgjegjësi kanë investuesi Rexhep Saraçi, Janko Konomi, Niko Shuli e Mendu
Backa. Për vlerën e objektit unë nuk kam miratuar ndryshime nga ç’ishin parashikuar se do mbulohej nga fondet rezervë të qeverisë. Sigurisht, pati rritje të fondit kur u inkludua ndërmarrja e ndërtimit të Kombinatit
(sepse në fillim ishte parashikuar ta ndërtonte vetëm Brigada e xhenios) që
janë bërë para se të vija unë ministër i Mbrojtjes. Sa kam qenë unë ministër, nuk kam pasur ndonjë raport nga financa ose nga plani se po tejkalohen
fondet e planifikuar për këtë vepër. Është e vërtetë se ushtarët e xhenios nuk e kishin të mirë përbërjen politike, por unë kam porositur Sigurimin
e ushtrisë që të hiqeshin ata më të komprometuarit dhe di se janë hequr.
Unë nuk di të jem njoftuar me hollësi për këto punime të përsëritura që thuhet nga Janko se kushtuan 200 mijë lekë dhe as se janë shpenzuar me
miliona lekë kot. Nuk di për studimin prej 30-faqesh që i është dhënë Mendu Backës, siç thotë Jankua. Me hollësi çështjet teknike që ngre Janko
Konomi, nuk i di. Ato që u ngritën me letër nga ky, u ballafaquan nën drejtimin e njerëzve që dërgova unë me Alfred Moisiun dhe Ali
Nekalanën.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Nazar Berberi më datën 7.6.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Nazar Berberit dhe kam për të thënë se për miratimin e armës që do të prodhohej, unë kam qenë në Kryeministri, kur isha ministër i Brendshëm, bashkë me ish-zv. kryetarin e parë të Këshillit të Ministrave. Di se u aprovua ai tip që u quajt më i përshtatshëm nga specialistët, të cilët së bashku me zv. ministrat e Mbrojtjes ndodheshin
në mbledhje. Në atë kohë, unë nuk dija vështirësitë që paraqiteshin për
prodhimin e këtij tipi pushke. Këto i ndesha kur vajta në Ministrinë e Mbrojtjes. Për artilerinë bregdetare janë ato që thashë te Xhemal Dingo,
Nazari (Berberi-shënim) si specialist artilerie ka qenë dakord me konkluzionet që u arritën. Unë nuk kam qenë ministër i Mbrojtjes kur është
bërë ndërrimi avionëve “Mig 19” me kinezët, siç thotë Nazari, dhe as më ka
pyetur njeri për këtë problem. Rëndimi i batalioneve me artileri është miratuar nga Mehmet Shehu dhe këta si zv. ministra, para se të vija
unë, që kam qenë për ta reduktuar atë dhe ky është versioni në studimin që do paraqisnim në strukturën që përgatitej, ka dokumente për
këtë problem. Për stërvitjet e mëdha ose të vogla e për komandantin e Brigadës së Saukut dhashë shpjegime në dëshminë e Veli Llakës. Për
lëshimin e raketës kundërajrore në Fier, unë kam dhënë urdhër të hetohet ngjarja dhe fajtorët t’i jepeshin gjyqit. vijon
AFRIM IMAJ











