
“Qëlluam kur ra rrethimi dhe u sulmua porta e Qeverisë”
Gardisti: Më 21 janar na thanë: Lini armët, mos e mbroni Berishën.
Takimi me Prendin pas demonstratës, Ahmetcenaj: Ishte gjakosur në fytyrë.
Alfred Ahmetcenaj, komandanti i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, rrëfeu në Gjykatën e Tiranës veprimet e tij orë pas ore më 21 janar 2011, teksa Kryeministria ishte rrethuar nga demonstrues të dhunshëm. Ahmetcenaj, dikur i dyshuari i Prokurorisë për “21 janarin”, u paraqit dje si dëshmitar i Akuzës në procesin në ngarkim të ish-shefit të Gardës, Ndrea Prendi dhe të bashkëpandehurve të tij, Agim Llupo e Margarit Kume. Ai tha se gjatë demonstratës nuk kishte dhënë urdhër të qëllohej me armë zjarri. Në vijim publikohet dëshmia e plotë e tij në sallën e gjyqit.
DESHMIA
Prokurori: Dëshmitar, cili është pozicioni juaj? Detyra funksionale? Si u zhvillua ngjarja e 21 janarit 2011? Veprimet që ju keni ndërmarrë?
Ahmetcenaj: Jam komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. Dy ditë para 21 janarit jemi thirrur nga komandanti i Gardës, ku na është kërkuar të kryhet shërbim i përforcuar në lidhje me ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë. Në këtë takim na është thënë nga komandanti i Gardës që nuk është se s’kemi informacion të veçantë për demonstratën e 21 janarit, por nisur nga informacionet mediatike, na është kërkuar forcim i masave të sigurisë. Po në këtë takim, nga komandanti i Gardës iu la porosi sektorit të analizës për grumbullimin e informacionit nga strukturat. Pas këtij takimi vajta në Njësi, ku i kam paraqitur Shtabit të Njësisë dhe komandantëve të seksioneve detyrën e marrë. Më pas erdhi edhe urdhri i komandantit të Gardës, që urdhëronte kalimin në shërbim të përforcuar nga 21 janari e në vazhdim, deri në një urdhër të dytë. Në kuadër të kësaj detyre, së bashku me shtabin dhe me komandantët e seksioneve kemi filluar përgatitjen për marrjen e masave për zbatimin e detyrës. Më 20 janar u thirrëm sërish nga komandanti i Përgjithshëm i Gardës. Kemi raportuar për masat e marra në zbatim të detyrës së ngarkuar. Në përfundim të takimit nuk pati ndonjë urdhër shtesë. Pas takimit përfundoi dhe plani i masave të Njësisë Speciale në lidhje me veprimet e saj në ditën e protestës. Më 21 janar, Njësia ishte e angazhuar në shërbim. Në organikë ka pasur 45 veta. Atë ditë u angazhuan 43. Në takim u bëra të njohur situatën dhe detyrat për çdo seksion të njësisë. U bë instruktazhi nga komandantët e seksioneve, që konsistonte me njohje të situatës dhe detyrat e planifikuara. Rreth orës 11:00 të 21 janarit filloi lëvizja nga Garda në bazë seksionesh drejt parkimit të Ministrisë së Financave. Në orën 11:45 u raportua nga komandantët e seksioneve që forcat ishin vendosur. Rreth orës 12:00 i raportova sallës operative të Gardës për vendosjen e forcave në gatishmëri pranë parkingut të Ministrisë së Financave. Rreth orës 13:00 forcat ishin në gatishmëri. Rreth orës 14:00 të gjitha forcat e Njësisë Speciale u inspektuan nga komandanti i Gardës dhe nuk pati ndonjë problem. Unë vetë kam qenë përpara Kryeministrisë, nga ana e bulevardit. Gjatë kohës që isha në këtë pjesë u afrua turma e demonstruesve. Sapo demonstruesit u vendosën te rrethi i parë i sigurisë, që ishte kordoni i policisë, kam konstatuar se ata filluan t’i godasin me hunj këto forca. Pastaj filluan të përdorin edhe gurë. Një pjesë e gurëve vinin edhe brenda rrethimit. Gjatë kësaj kohe nuk pati veprime nga forcat e Gardës. Efektivët e Gardës vetëm shmangeshin që mos goditeshin nga gurët. Me kalimin e minutave po shtohej dhuna mbi policinë. Pas ndërhyrjes së dy mjeteve për të shpërndarë turmën, dhuna u shtua. Rritej sasia e gurëve brenda rrethimit. Në vlerësim të kësaj situate, rreth orës 14:30 urdhërova shefin e Shtabit të Njësisë Speciale të vendosnin forcat e tyre në përputhje me detyrat e përcaktuara në planin e masave. Pasi m’u raportua vendosja e forcave, e kontrollova vendosjen e tyre dhe ishte sipas planit të masave. Nuk konstatova ndonjë problem. Intensiteti i dhunës shtohej. Gazi lotsjellës filloi të jepte efekt edhe te forcat e Gardës, që konsistonte në lotim të syve, probleme në rrugët e frymëmarrjes, djegie në lëkurën e fytyrës dhe provokim të vjellash. Si rezultat i dhunës së ushtruar nga demonstruesit, kordoni i forcave të policisë u çorganizua, derisa u largua fare. Në këto momente jam rivendosur në pjesën perëndimore, përballë Kuvendit, duke parë që ai segment ishte më i rrezikuar, pasi demonstruesit çanë kordonin dhe u ngjitën te kangjellat. Në këtë moment, iu kam kërkuar demonstruesve të mos i kalojnë kangjellat, pasi ishte objekt i rëndësisë së veçantë dhe gëzon mbrojtje ligjore. Ndërkohë kam konstatuar se filloi të digjet një pemë nga ana e Piramidës. Gjatë gjithë kësaj kohe goditjet kanë qenë me intensitet të jashtëzakonshëm: gurë, pllaka mermeri dhe bomba molotov. Pas këtyre momenteve kam konstatuar një përqendrim të demonstruesve në ballë portës së Kryeministrisë. Demonstruesit e përqendruar aty vepruan mbi portën duke e hapur me forcë. Pasi u shkallmua porta, u vu re që turma vërshoi brenda rrethimit të Kryeministrisë. Turma ka kaluar kordonin e Njësisë Nr. 2 të Gardës, që nuk mundën t’i përballonin, dhe u tërhoqën. Pasi kreu i turmës vazhdoi sulme intensive ndaj forcave të Gardës me mjete të forta dhe i pari i turmës kaloi vendin ku unë kisha fushëpamje, forcat e Gardës kanë qenë të detyruara dhe kanë filluar përdorimin e armëve. Mendova dhe vlerësova se ishin nga efektivët e Gardës, pasi dëgjoja demonstruesit që thoshin: “Vazhdoni se janë fishekë manovër”. Demonstruesit u kërkonin gardistëve t’i linin armët dhe të largoheshin. Edhe disa punonjës Garde të Njësisë Nr. 2 filluan të përdornin armët e zjarrit në ajër. Përreth 10-15 minuta turma u tërhoq. Kam thirrur oficerin Martin Nika, i cili kishte për detyrë të mbronte pjesën jugore dhe të ndërhynte me pajisje policore për zmbrapsjen e demonstruesve që ishin brenda gardhit. Vlerësova t’i zhvendosja nga ku ishin dhe t’iu vinin në ndihmë te porta nr. 1. Së bashki me oficer Sokol Sulën kemi dalë përballë protestuesve dhe arritëm t’i nxirrnin nga porta me forcë. Pas këtij momenti demonstruesit vazhdonin të qëllonin me mjete të forta. Sulmi ishte intensiv dhe nga krahu i Piramidës. Më pas gjendesha te pjesa ballore, ku edhe kam evidentuar një automjet “Benz” që shoqërohej nga një pjesë e demonstruesve. Mjeti u drejtua në portë. Sulmi i ndërmarrë nga mjeti u ndërpre nga barriera mbrojtëse. Nëse nuk do të kishte funksionuar barriera, pasojat do të ishin shumë të rënda për forcat e Gardës dhe për demonstruesit. Pasi barriera funk-











