Dëshmia e Feçor Shehut: Lidhjen e djalit të Mehmetit me Silva Turdiun e mësova nga Kreshnik Tartari

Aug 8, 2011 | 10:36
Feçor Shehu gjate seancave gjyqesore

“Lidhjen e Skënder Shehut me Silva Turdiun e mësova nga trajneri i Dinamos, Kreshnik Tartari, por nuk ia tregova Partisë. Mehmet Shehu më thirri që të bëja biografinë e familjes Turdiu për të bindur të birin të ndahej nga Silva. Në variantin e parë nuk rezultonte emri i Arshi Pipës. Më vonë dolën edhe të arratisur”

Në pjesën e dëshmisë se Feçorr Shehut për fejesën e padëshiruar të djalit të Kryeministrit të vetvrarë në kushte të dyshimta, marrë nga libri i studiuesit Kastriot Dervishi “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, ish-ministri i Brendshëm sqaron rrethanat si është njohur me lidhjen e Turdiut me Skënder Shehun dhe bisedat që ka bërë me Mehemtin për të zbardhur biografinë e profesor Turdiut. Gjatë seancave në vijim ish-kreu I Sigurimit ka kundërshtuar akuzën e të vesë së Kryeministrit dhe Ali Çenos, ish-truprojës së Mehmetit, sipas të cilëve fejesën e padëshiruar e ka kurdisur ai për qëllime agjenturore. Teksa pohojnë faktin që Feçor Shehu e ka ditur para korrikut të vitit 1981 lidhjen e Turdiut me djalin e Mehmetit, dëshmitarët Koço Josifi, Sokol Koleka, Neshat Tozaj, Kristofor Mërtiro, Kadri Gojashi, Hodo Hodaj, Isa Halili, Bardhyl Çipi, Hasan Caslli, Dhimitër Bonata, Telat Agolli, Sulejman Osmani, Dalan Hajdari, Sefedin Jonuzi, Bajram Pelos Agim Çaushi, Dhori Dimroçi, Tasim Spahiu, Ilo Manushi e Isa Dervishi, sjellin të tjera prova që hedhin dritë mbi veprimtarinë armiqësore të ish-ministrit të Brendshëm dhe sjelljet e turpshme të tij me femrat. Duke iu rikthyer episodit të fejesës së padëshirueshme, Tahir Malo, i thirrur në proces si dëshmitar, pohonte se pas vetëvrasjes së Kryeministrit, Feçor Shehu ka urdhëruar goditjen  e Kreshnik Tartarit dhe Skënder Pogonit, si personat që kishin dashur të realizonin lidhjen e Skënder Shehut me sportisten e Dinamos. Çast tronditës për ish-ministrin e Brendshëm ka qënë ballafaqimi me dëshmitarët që pohonin takimin e tij me Mehmet Shehun dy net para se të vriste veten…

Hetuesia ndaj Feçor Shehut
Feçor Shehu, ish-ministri i Punëve të Brendshme, filloi të pyetet më 25 mars 1982 nga hetuesit Piro Dautaj dhe Pelivan Luçi. Menjëherë përgjigjej se nuk pranonte se kishte bërë tradhti ndaj atdheut. Më 2 prill 1982, hetuesinë e vazhdon Raqi Iftica dhe Pëllumb Kapo. Pyetja shtrohej se çfarë dinte ai rreth fejesës së Silva Turdiut me Skënder Shehun. Ai pohonte se në korrik 1981 e kishte kërkuar Mehmet Shehu, duke e porositur të bënte biografinë e Silva Turdiut. Kësisoj, kishte marrë dosjen operative 2B të përpunimit të Qazim Turdiut, duke porositur punëtorin operativ Pandeli Pano të nxirrte anët negative të personit objekt ndjekjeje, duke porositur në fund që dosja të arkivohej. Pasi ia kishte dhënë biografinë, Mehmet Shehu në prani të Fiqretes e kishte pyetur nëse njihte “një Pipa” dhe “një Aranitasi”. Feçori i është përgjigjur se në dosjen e Qazimit (Turdiut, babait të Silvës-shënim) këta nuk përmendeshin fare. Qazimi ishte marrë 2–3 herë në kontroll operativ, por ndaj tij nuk dilnin materiale kundër pushtetit, se ai ishte dekoruar etj. Mehmeti i kishte bërë pyetjen se si do vepronte në rast fejese me Silvën me ato të dhëna. Feçori ishte përgjigjur se do vinte tek ai (Mehmeti) për ta pyetur. Në shtator 1981, Mehmeti e ka thirrur në shtëpi Feçorin, duke i shprehur se kishte gabuar rëndë me fejesën që kishte bërë. Mehmeti kërkoi një biografi të re për Qazimin “për të bindur djalin” të ndahet nga

Silva Turdiu

Silva. Feçori kishte ngarkuar Kadri Gojashin (drejtori i Drejtorisë së Parë) për të bërë një biografi më të plotë, por pa bërë bujë. Biografia e parë kishte qenë e mangët, pasi nuk ishin pasqyruar të plota të dhënat, si pasojë e dosjes së varfër në të dhëna, që kishte hartuar Sigurimi për Qazim Turdiun. Lidhjen midis Skënderit dhe Silvës, Feçori e kishte dëgjuar nga trajneri Kreshnik Tartari. Feçori e quante veten fajtor, se nuk kishte lajmëruar partinë për këtë çështje. Në lidhje me çështje të kaluara, atij nuk i kujtohej të ishte bërë biografi për fejesën e Marjetës me Bashkim Shehun. I pandehuri nuk dinte se si kishte ardhur me gjithë ato probleme në biografi Silva Tudrdiu në klubin “Dinamo”. Më parë, rreth viteve 1978–1979, Ali Çeno i kishte bërë një biografi për të quajturën Irena Papa, studente në Kamëz. Pyetjet ndaj Feçor Shehut vazhdojnë për çështjen e fejesës, duke krijuar edhe përsëritje, derisa arrihet në pyetjen se “Hetuesia dispononte fakte”, se i pandehuri ishte “takuar me armikun Mehmet Shehu dy ditë përpara vetëvrasjes së tij”. Feçori thotë se takimi i fundit ishte bërë kur ishte folur për kthimin e Gani Kodrës. Më 6 maj 1982, hetuesit Pelivan Luçi dhe Raqi Iftica i thonë Feçorit se “dispononin prova”, se ai e kishte ditur fejesën edhe para korrikut 1981. I habitur, Feçor Shehu përgjigjet duke thënë se “nuk ishte e vërtetë”. Në vijim, Feçori hedh poshtë dëshmitë  rreth vizitës së tij të fundit në shtëpinë e Mehmet Shehut. Më 29 maj 1983, Feçori i quan të gënjeshtërta deklarimet e Skënder Shehut. Tri ditë më vonë, Feçori njihet me deklarimet e Fiqrete Shehut, e cila akuzonte Feçorin si “kurdisësin” e fejesës së Skënderit me Silvën. I përgjigjem se fjalët e saj janë “absolutisht të pavërteta”. Hetuesia ndërpritet më 29 qershor 1982, kohë kur ai flet se si kishte tërhequr në bashkëpunim një prift në Shkodër para 18 vjetësh (të cilit i kishte vënë pseudonimin “Tomori”, por që kishte tradhtuar më vonë) dhe rifillon më 30 nëntor 1982, pak javë pasi ishte arrestuar Kadri Hazbiu. Pas kësaj, Feçori flet për marrëdhëniet midis Kadriut dhe Mehmetit, të cilat i karakterizon si të mira. Në vitin 1974, Feçori kishte qenë në Vjenë për kurim. Atje kishin kaluar për në Paris edhe Fiqrete Shehu, e shoqëruar nga Perlat Çaushi. Këtu Fiqretja i kishte thënë se Beqir Balluku ishte përjashtuar nga Partia dhe familja ishte internuar. Me t’u kthyer, kishte pyetur Kadri Hazbiun, i cili ishte shprehur se Beqir Balluku kishte pikëpamje antiparti, por ende nuk kishte prova në kuptimin penal dhe, për këtë arsye, kishte nevojë përpunimi. Mehmet Shehu i kishte thirrur të dy, duke i kërkuar që “teoria e rrëshqitjes” të mos zinte shumë vend në akuzë. Më 1976, kur ishte larguar Rexhep Kolli me qarkullim, Kadri Hazbiu kishte dashur të vinte Mihallaq Ziçishti pasi kishte përvojë. Ky mendim ishte kundërshtuar, pasi Mihallaqi kishte vite që ishte larguar, duke krijuar shkëputje nga punët dhe dëshira e Kadriut binte në kundërshtim me porositë e partisë. Këto shënime i takojnë 16 dhjetorit 1982. Mbyllen hetimet dhe zëvendësohen hetuesit, në vend të Raqi Ifticës vjen Luan Bega. Gati dy muaj bëhej pushim. Siç duket, Hetuesia kërkonte reflektim. Hetimet rifillojnë më 22 shkurt 1983. Pyetet pse kishte heshtur për vrasjet pa gjyq. Përgjigjja që vjen ka të bëjë me një person në Kukës para 6–7 vjetësh (ishte bërë edhe një proces ku ishin dënuar autorët), si dhe për vrasje të shumë viteve më parë. Për dokumentet e paraqitura të ardhura nga jashtë për punë agjenturash, ai shprehej se nuk kishte dijeni. Për lokalin e Ambasadës franceze në Rrugën e Elbasanit, Feçori pohonte se nuk kishte mjete përgjimi, pasi godina ishte zënë herët nga francezët, pikërisht kur Sigurimi nuk kishte pajisje përgjuese. Kadri Hazbiu thoshte se kishte biseduar me sekretarin e KQ të PPSH-së, duke arritur në përfundimin se nuk ishin dakord të dendësonin aparatura të tilla. Më 7 maj 1983, Feçori hedh poshtë akuzën e agjitacionit e propagandës, ndërsa po atë ditë i quan deklarimet e Xhavit Ismailagës si “banale”. Më 8 maj 1983, Feçori rimerret në pyetje në prani të prokurorit Rrapi Mino. Këtu i komunikohet akuza se ka qenë në shërbim të agjenturave të huaja, se ishte “pjesëtar aktiv i organizatës antirevolucionare, që kryesohej nga poliagjenti Mehmet Shehu”, qëllimi i së cilës ishte “organizimi i puçit ushtarak, si dhe për veprime terrori kundër Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së”. Feçor Shehu llahtariset prej tyre, duke e ditur se me to i fluturonte koka drejt e në plumb, tamam si në qindra procese që kishte organizuar vetë më parë. Megjithatë, Feçori shpërfill e hedh poshtë çdo akuzë, duke shprehur pikë së pari habinë se si qenkej “anëtar” i një organizate. Ditën pasuese lexohet akuza e Elham Gjikës ndaj tij, akuza që vijohen nga dëshmitë e Kapllan Kokës, Koço Josifit, Sokol Kolekës e Neshat Tozajt, Kristofor Mërtiros, Kadri Gojashit (ndër të tjera Gojashi e akuzonte Feçorin se ishte karakterizuar nga “hakmarrja, prepotenca e arroganca”, të cilat i kishte provuar në “kurrizin e tij”), Hodo Hodajt, Isa Halilajt, Bardhyl Çipi, Hasan Caslli, Dhimitër Bonatës, Telat Agollit, Sulejman Osmanit, Tahir Malos, Dalan Hajdarit, Sefedin Jonuzit, Bajram Pelos, Agim Çaushit, Dhori Dimroçit, Tasim Spahiut, Ilo Manushit, Isa Dervishit, Koço Josifit etj. Më 13 qershor 1983, Feçori pyetet për një letër anonime, që i dërgohet Enver Hoxhës nga një prind, i cili e akuzon për shpërdorim detyre dhe marrëdhënie seksuale me vajzën e tij. Feçori i përgjigjet se kjo është intrigë, ndërsa letra i takonte vitit 1957–1958. Ndërkaq, ish- ministri i Brendshëm nuk pajtohet as me përfundimet e ekspertëve. Hetuesia e Shehut mbyllet më 29 qershor 1983. Ballafaqimi i tij me akuzën në gjyq u bë në gushtin e po atij viti…
Dëshmia e bodigardit
Ali Çeno rrëfen me gojën e tij apologjinë se ishte një nga pjestarët e “organizatës kundërrevolucionare që kryesonte kryetradhëtari Mehmet Shehu” që kërkonin të përmbysnin diktaturën e proletariatit dhe të vendosnin një rend borgjez”. Nuk harron Çeno të përmendë në apologjinë e tij se kishte qënë përgjegjës i grupit të shoqërimit të “poliagjnetit, tradhëtarit, armikut dhe xhelatit Mehmet Shehu”. Ai e hiqte veten se u kishte shërbyer teërthorazi “agjneturave të huaja”. Çeno bënte deklaratase njerëzit më të afërt të Mehmet Shehut ishin Kadri Hazbiu, Llambi Peçini dhe Gani Kodra. Feçori i akuzar nga Çeno përgjigjej: “Unë nuk jam në mbrojtje të Mehmet Shehut, ai është armik i tërbuar i Partisë”. Ndërsa Ali Çeno nga ana e tij duke harruar për një çast pozitën e tij, i thotë se në bazë të dokumetave, Feçori kishte ndihmuar fejesën e Silvës (Turdiut-shënim), duke harruar se ai (Aliu) nuk kishte akses në posedimin, analizën dhe interpretimin e dokumenatve…

Pohimet e Gani Kodrës
Gani Kodra ish shefi i grupit të shoqërimit të Mehemt Shehut, duke pohuar me gojën e tij se ka qënë “anëtar i organizatës kundërrevolucionare të drejtuar nga Mehemt Shehu” e heq veten në rolin e personit që kishte mbajtur lidhjet agjneturore midis Mehmetit dhe djalit të tij(Skënderit-shënim) që ishte me studime në Suedi.Sakaq Kodra dëshmon se porosi agjneturore kishte marrë edhe nga anëtari tjetër i organizatës Feçor Shehu. Mehmet Shehu, pohonte Kodra, më thirri dhe më tha se kishin vendosur të fejonte Skënderin me Silva Turdiun, “megjithëse kjo ishte në kundërshtim me vijën e partisë”. Mehemt Shehu i kishte dhënë porosi Gani Kodrës të ndikonte te Skënderi, për ti mbushur mëndjen të fejohej me Silva Turdiun. Edhe Feçor Shehu kur ishte në spital e kishte pyetur për fejesën dhe ganiu i kishte thënë se po bëhej. Feçori sipas Ganiut “kishte mbetur i kënaqur”

vijon…

Rrëfimi i trajnerit të Dinamos
“Në 15-ditëshin e parë të korrikut 1981, Skënderi vinte shpesh në shtëpinë e pushimit në Durrës, aty ku kalonte pushimet ekipi i vojlebollit të “Dinamos”. Për këtë arsye e pyeta përse interesohej dhe Skënderi më tha se vinte për Silvën. Aty më pyeti nëse ajo kishte pasur më parë ndonjë djalë. Pasi i thashë se nuk ka pasur, e pyeta nëse kishte biseduar me prindërit e vet, pasi Turdijtë kishin diçka në biografi. Skënderi reagoi duke thënë se secili duhet të shikonte punën e vet. Qëndrimi i Silvës në ekip ishte miratuar më 1976 nga Feçor Shehu. Në fund të muajit korrik 1981, kur Skënderi vazhdonte interesimin për Silvën, kam shkuar  në shtëpinë e Qazimit. Ky i fundit më përmendi 7 të arratisur nga familja e tij dhe ajo Pipa. Këto ia mora me shkrim. Tek Turdijtë kam shkuar, pasi kisha biseduar më parë me Skënderin, pasi ai nuk e dinte biografinë e tyre. Skënderit ia kisha bërë të njohur biografinë e Turdijve. Ai më kishte kthyer përgjigje se për biografinë ishte informuar edhe Mehmet Shehu nga Feçor Shehu, i cili kishte folur fjalë të mira për Silvën. Feçori kishte shtuar se po të kishte djalë, do të pyeste Mehmetin në duhej apo jo të fejohej djali i tij me një kandidaturë me biografinë e Silvës. Qazim Turdiu u shpreh i tronditur për një fejesë të tillë. Më ka bërë përshtypje fakti që Skënderi në muajt korrik-gusht 1981 ka bërë përpjekje të shumta për t’u fejuar me Silvën, pa u njohur më parë me të. Feçor Shehu, që i dinte interesimet e Skënderit, nuk më tha ta pengoja këtë fejesë. Madje, vetë Feçori e kishte uruar Silvën…

“Feçorr Shehu deshi ta fuste në burg Kreshnik Tartarin”

“Feçor Shehu, pas vetëvrasjes së Mehmetit, bëri ç’është e mundur për ta futur në burg Kreshnik Tartarin”. Fakti i panjohur bëhet i ditur në seancën hetimore të 2 prillit 1983 nëpërmjet dëshmisë së Tahir Malos, njërit prej punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. I thirrur për t’u pyetur mbi çështjen e fejesës së Skënder Shehut, Malo kujtonte se mbas prishjes së saj Feçori me ngut kishte kërkuar t’i sillnin biografinë e Kreshnik Tartarit dhe Skënder Pogonit, të cilësuar si persona që kishin dashur të realizonin lidhjen e djalit të Kryeministrit me sportisten e Dinamos. Sakaq, më herët, dëshmitari kishte sjellë të tjera prova kundër ish-ministrit të Brendshëm. “Në vitin 1967, ka pohuar ai, kur isha me shërbim në Sarandë, një punonjës i Sigurimit i kishte thënë se kur kishte punuar në Tiranë me Feçor Shehun, ishin dhënë pas kurvave. Një këngëtare nga Shkodra i kishte thënë se Feçori i ishte vardisur shumë. Feçori kishte futur praktikën e pritjes në Ministri të njerëzve. Në këto takime vinin shpesh femra me moral të ulët. Në përfundim, Malo e karakterizonte Feçorin shumë hakmarrës, duke sjellë si shembull rastin e Zef Çelit, i cili e kishte kritikar atë në një mbledhje të vitit 1975

 

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura