Deputeti i PD: Kryesia e re, si ekip rezervë

Jul 29, 2011 | 10:03

Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, kritikon ashpër produktin e dalë nga Këshilli
Kombëtar, Kryesinë e partisë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai
thotë se Kryesia e re nuk ishte më cilësorja, më profesionalja, më kompetentja, më e moralshmja dhe më seriozja, duke shtuar se “PDja
nuk e ka luksin që në organet drejtuese partiake të luajë me ekipin rezervë”.
Zoti Hoxha, në fundjavë Këshilli Kombëtar zgjodhi Kryesinë e re 2 vjet pasi Kryesisë së vjetër i kishte përfunduar mandati. Nga votimi ngelën jashtë figura si Mustafaj, Oketa, Demi, Imami, Pollo. Si e vlerësoni këtë proces?
Mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar u përjetua nga media, por edhe nga
publiku i gjerë si një ngjarje e rëndësishme edhe pse e vonuar, por produkti i tij nuk ishte ai që pritej dhe kjo i jep përgjigje në një mënyrë edhe pyetjes suaj për mungesën e figurave të rëndësishme dhe me peshë në jetën e PD-së. Po, është e vërtetë se mbetën jashtë Kryesisë së re figura të rëndësishme
dhe me potencial të lartë politik dhe përfaqësues si G. Pollo, Tritan Shehu,
Arben Imami, Ilir Bano, Gent Strazimiri apo ndonjë tjetër dhe është e vërtetë se në vend të tyre u votuan edhe njerëz pa formatin e duhur
politik. Kryesia që u zgjodh nuk ishte më cilësorja, më profesionalja, më kompetentja, më e moralshmja dhe më seriozja. Ne nuk kemi luksin që politikanë me përvojë, të papërfolur dhe njerëz me integritet, në një
moment kur kërkohet të forcohet mesazhi i përfaqësimit, ne “dehemi” nga fitorja dhe i lejojmë vetes eksperimente. Ky nuk është mesazhi i duhur për përfaqësim. Zgjedhjet u fituan.  Shqiptarët na dhanë votëbesimin.
Votëbesimi nuk është stoli. Ne duhet të përveshim mëngët, t’i futemi
punës e të dalim faqebardhë. Dhe kjo bëhet vetëm përmes përfaqësimit politik qendror e lokal, cilësor, kompetent, të drejtë dhe të moralshëm.
Këtë e realizojnë ekipet e përzgjedhura me kujdes dhe që ngjallin besim tek njerëzit. A mund të themi se e kemi bërë këtë me gojën plot? Për
qeverinë po, por jo për pushtetin lokal, kudo dhe në çdo vend. Sikurse nuk mund të themi një ‘po’ të plotë për të gjitha forumet politike qendrore
apo lokale. Sikur çështja të mbyllej këtu, nuk është ndonjë dëm i madh, pasi
qeveria është në funksion të plotë dhe kompenson boshllëqe të tilla e toleron
edhe votën jo shumë inteligjente. Problemi është kur mesazhi i (mos) përfaqësimit përcillet në bazë. PDja nuk e ka luksin që në organet
drejtuese partiake të luajë me ekipin rezervë.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Jemi në periudhën e konstituimit të këshillave lokale dhe këshillave të qarqeve. Dukshëm ka vende ku përzgjedhja jonë çalon. Ndryshe nga kryeqyteti, ka  qytete ku nuk kemi nxjerrë dhe nuk po nxjerrim më të
mirët. Duket se po bëjmë garë kush pengon më shumë vetveten. Nuk po luajmë në fushën e lojës me lojtarët më të mirë, por me ata të dëmtuarit dhe, nëse mund të përdor një metaforë nga futbolli, po luajmë dhe
me lojtarë me 2 të verdhë apo me ata që na kanë shitur kualifikimin dhe nesër rrezikojnë të na shesin pushtetin? Në ndonjë rast, ne po luajmë dhe me “bixhozin” politik. Në këndvështrimin tim, kjo është shumë e rrezikshme.
Si e sheh veten PD për zgjedhjet e ardhshme?
Është i disati ballafaqim që PD nuk ka problem fitoren. Ajo duket e garantuar.
Garanci janë rezultatet e reformave të ndërmarra nga kryeministri Berisha që në vitin 2005, garanci është realiteti i ri që po e prekin të gjithë shqiptarët, garanci  është vetë figura e kryetarit të PD-së. Në këtë kuptim,
zgjedhjet e përgjithshme për ne janë më të lehta se ato lokale. Në kutitë e votimit votuesi shqiptar do të zgjedhë mes z. Berisha dhe z. Rama. Në psikologjinë e tij, shqiptari projekton me votën e tij kryeministrin e
ardhshëm. Votuesi shqiptar e sheh natyrshëm z. Berisha si kryeministrin e vet, si njeriun që bën atë që thotë dhe thotë atë që bën, si njeriun
që bëri epokë në periudhën e tranzicionit. Shqipëria në NATO nuk është ëndërr, por realitet, lëvizja pa viza nuk është ëndërr, por realitet, Shqipëria
me rrugët më të mira në rajon nuk është ëndërr, por realitet, ekonomia e vetme në Europë që njeh rritje ekonomike nuk është fantazi,
por realitet. Në anën tjetër, z. Rama nuk sjell histori suksesi te votuesi shqiptar, një basketbollist që nuk u bë dot basketbollist,
një piktor që nuk u bë dot piktor, një kryetar Bashkie që ktheu Bashkinë në parti dhe një kryetar partie që nuk fiton asnjë betejë. Por PD nuk duhet të gëzohet vetëm pse përballë ka një opozitë që vetëm proteston dhe qarravitet,
PD nuk ka betejë me ata që po fitojnë përvojë të mirë në humbje, PD ka betejë
me votuesit, PD e ka betejën me të ardhmen. Në këtë kuptim është e rëndësishme të shmanget euforia dhe të bëhet një përzgjedhje me
kujdes e njerëzve dhe ekipeve që ngjallin besim tek  njerëzit.
Në votim rezultoi që nënkryetarët e PD, Topalli e Patozi dhe sekretari i Përgjithshëm Bode, u renditën poshtë vendit të pestë. Si e shpjegoni ju këtë rezultat?
Ashtu siç dhe u shpreha më sipër, anëtarët e Këshillit Kombëtar duhet të jenë
njerëzit me përgjegjshmërinë më të lartë politike dhe, si e tillë, vota e tyre duhet të peshohet e të mbartë përgjegjësinë më të lartë në atë çka ajo përfaqëson, por kjo nuk rezultoi e tillë.

Më i votuari në këtë proces doli kryetari i Bashkisë  së Tiranës, Lulzim Basha. A është ky rezultat logjik i kontributit të tij në zgjedhjet lokale të 8 majit, ku PD humbi shumë qytete kryesore, por fitoi Tiranën?
Zoti Basha realizoi një fitore spektakolare, sepse gjunjëzoi kryetarin e partisë
më të madhe të opozitës, i dha një leksion shembullor kryearrogantit të
kryeqytetit dhe çliroi Bashkinë nga kthetrat e matrapazllëkut, tarafllëkut dhe
korrupsionit. Entuziazmi i kësaj fitoreje sigurisht pritej të reflektonte edhe në
votimin e Këshillit Kombëtar. Por kjo votë, përveç entuziazmit për Tiranën,
është edhe një votë që shkon në logjikën e arritjeve të zotit Basha në drejtimin e dikastereve të rëndësishme të ekzekutivit si në
mandatin e parë, ashtu edhe në atë të dytin. Po ashtu, z. Basha solli një fushatë tjetër, një fushatë që në qendër vendosi qytetarin,
një fushatë që do të regjistrohet në historinë e zgjedhjeve shqiptare si garë, ku nuk u përdor asnjë epitet ndaj kundërshtarit, si fushatë model, e denjë për
aspiratën që ka vendi, si fushatë që mbylli epokën e fushatave të tranzicionit.
A tregon ky rezultat votimi që Basha po kristalizohet si numri dy i PD pas Berishës?

PD-ja është partia që u ktheu lirinë shqiptarëve, kreu reformat më të mëdha,
arriti të bëjë realitet atë që shqiptarët nuk guxuan ta shohin as në ëndërr, është parti e lirisë dhe e njerëzve të lirë. Është parti e lindur
nga studentët dhe mban gjithmonë frymën e rinisë dhe insipiron, është partia
e parë demokratike që ka të shenjtë votën e lirë dhe fshehtësinë e saj, është partia që ka promovuar dhe shpërblyer me dhjetëra e qindra
anëtarë e simpatizantë, është parti që i ka mbajtur të hapura dyert e saj si për ata që kanë ardhur, edhe për ata që janë kthyer, është parti që
mundësinë ua jep të gjithëve dhe meritën ia njeh gjithsecilit. Z. Basha me
postet që ka mbajtur dhe garat që ka fituar është shembulli ilustrues për pyetjen tuaj. Z. Basha dëshmoi se PD është një parti që nuk
kurorëzon apo emëron njerëz, por u jep medaljet fituesve.      ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura