
Deputetët e Partisë socialiste të Komisionit të Ligjeve kanë kërkuar leje nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që të shtyjë për në orët e pasdites mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit. Shtyrja lidhet me një vizitë përkujtimi që deputetët socialistë do të zhvillojnë në shtëpinë e ish-gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën një vit më parë në një atentat mafioz me shpërthim. Fillimisht mbledhja e sotshme ishte programuar për t’u zhvilluar në orën 10:30, por më pas Kuvendi njoftoi shtyrjen për pasdite në orën 18:30. Gjatë deklaratave të fundit publike të deputetëve socialistë, por dhe të kryetarit Rama, PS e ka cilësuar të pafalshme për qeverinë dhe organet e Drejtësisë në vend moszbardhjen e vrasjes së gjyqtarit, nëpunësit të shtetit, i cili, sipas tyre, humbi jetën për shkak të detyrës. Më 9 shtator u mbush një vit nga vrasja e gjyqtarit Konomi, ndërsa Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë e ka cilësuar si ogur jo të mirë për Drejtësinë dhe shoqërinë mosgjetjen e autorëve të atentatit.











