Deputetët e Partisë Socialiste vazhdojnë të jenë edhe për vitin 2010 më të pasurit në Parlament. Deklarimet pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nxjerrin të gjitha lëvizjet që deputetët socialistë kanë bërë gjatë vitit të kaluar.Në vend të parë për nga pasuria duket se edhe këtë vit qëndron Tom Doshi, i cili, nga ajo që kuptohet nga deklarimi i pasurisë, ka shitur pronat në Australi dhe ka investuar në Tiranë. Sipas deklarimit të tij të pasurisë, vitin e kaluar ai ka shitur dy shtëpi dhe truallin në kontinentin e largët në shumën 2.7 milionë dollarë australianë (2.5 milion dollarë amerikanë) dhe me një pjesë të tyre, 350.000 dollarë australianë, ka paguar një kredi. Ndërkohë, në Shqipëri ai ka blerë një tokë 2.8 milionë lekë të reja në Marikaj. Gjithashtu, ai ka marrë edhe një kredi prej 300 mijë eurosh në Tiranë. Të ardhura të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar ka siguruar edhe deputeti Sadri Abazi. Vetëm nga kompania “Usluga” ai ka fituar 244 milionë lekë ose 2.4 milionë USD. Në të njëjtën kohë, ai ka shitur një makinë 18 mijë euro, ndërkohë që paga e bashkëshortes dhe e vajzës gjatë 2010-s kanë qenë 4.4 milionë lekë të rinj. Abazi ka deklaruar bilancin negativ me 1.4 milionë lekë në kompaninë tjetër “Jeni-Co”. Deputeti Dashamir Peza ka paguar 500 mijë lekë të rinj si kapar për blerjen e një toke arë në sipërfaqe 3500 m2. Për sa i përket të ardhurave, veç pagës si deputet dhe asaj të bashkëshortes, Peza ka përfituar nga interesat e depozitave 5 mijë euro dhe 3 milionë lekë, ndërkohë që nga shitja e bagëtive të imëta dhe produkteve të tyre ka përfituar 900 mijë lekë të rinj. Në të njëjtën kohë, ai vazhdon të paguajë 6 kredi dhe në vitin 2010 ka paguar 12 mijë euro dhe 1 milion lekë të rinj. Deputeti i qarkut të Beratit, Fidel Ylli, ka blerë një makinë tip “Cadillac”, 56.000 euro, ndërkohë që të ardhurat nga paga si deputet kanë qenë 1.2 milionë lekë të rinj. Arben Ahmetaj ka deklaruar gjatë vitit 2010 blerjen e një makine 30 mijë euro, ndërsa të ardhura përveç Parlamentit, ka marrë edhe 22 mijë euro nga dhënia e ambienteve me qira. Ai paguan 3 kredi me vlerë 16 mijë euro dhe 432 mijë lekë.
Pasurite e deputeteve te PS
Dritan Prifti
– Llogaria në Bank of America (zvogëlim) zero
– Llogaria e pagës në Credins Bank 189.435 lekë
– Shitje makine 2 milion lekë
– Blerje makine 22.336 euro
– Paga si deputet 650.177 lekë
– Paga si ministër 1.114.380 lekë
Bashkëshortja Meri Prifti
– Llogaria në Bank of America zero
– Llogaria në Credins Bank (pakësim) 37.920 euro
– Rritet gjendja cash si rrjedhojë e shitjes së aksioneve të Kompanisë “Fortis 2” 350.000 euro
Gramoz Ruçi
– Makinë “Tuareg” e blerë nga Kuvendi si deputet 900.000 lekë
– Të ardhura nga paga si deputet dhe pjesëmarrja në Komisione 2.093.337 lekë
Fidel Ylli
– Blerë autoveturë tip Cadillac 56.000 euro
– Llogari rrjedhëse në Bankën Credins 1.250.925 lekë
– Depozitë bankare në Euro në Bankën Societe General 51.199 euro
– Pakësuar llogaria rrjedhëse në Bankën Societe General me – 2.550 euro
– Pakësuar llogaria rrjedhëse në Bankën Societe General me – 138.347 lekë
– Shtuar llogaria rrjedhëse në USD Bankën Societe General + 463 usd
– Tërhequr llogaria rrjedhëse në Bankën Societe General në shumën 2.600.000 lekë
– Depozitë në USD 150.000 USD, njësoj si një vit më parë
– Celur llogari rrjedhëse në Bankën Raiffeisen në shumën 98.694 lekë
– Tërhequr depozitë bankare në shumën 100.000 euro
– Llogari rrjedhëse në bankën Raiffeisen 30.317 euro
– Pakësuar llogaria rrjedhëse në USD me – 6.483 lekë
– Gjendje cash nga tërheqja e llogarive dhe depozitave 40.000 euro
– Të ardhura nga paga si deputet 1.250.925 lekë
– Të ardhura nga puna e bashkëshortes në SHBA 15.600 USD
Sadri Abazi
– Fitimi nga “Usluga” për vitin 2010 244.558.499 lekë
– Shitje automjeti 18.000 euro
– Paga si deputet 1.224.075 lekë
– Pagesa TAP në “Usluga” si ortak janar- korrik 2010 175.000 lekë
– Paga e bashkëshortes 1.425.000 lekë
– Paga e vajzës 1.267.280 lekë
– Të ardhurat e vajzës nga paga si administratore në “Usluga” 3.000.000 lekë
– Shitje automjeti 500.000 lekë
– Humbje financiare nga aktiviteti i kompanisë “Jeni- Co” 1.462.908 lekë
Artan Gaçi
– Shitur pjesët e kapitalit në “Trio Defenition” ku ka 34% të aksioneve me vlerë 34.000 lekë
– Fitimi i vitit 2010 në “FGA” 3.130.000 lekë
– Shtuar gjendje cash nga të ardhurat 6.000.000 lekë
– Tërheqje e gjendjes në Tirana Bank – 608.450 lekë
– Të ardhurat nga paga dhe shpërblime si deputet 1.080.061 lekë
– Të ardhura nga pjesëmarrja në komisione 70.200 lekë
– Të ardhura nga dieta, shpenzime telefoni, karburant 570.104 lekë
– Të ardhurat e bashkëshortes 575.100 lekë
– Të ardhura nga qeraja 6.437.788 lekë
Arben Ahmetaj
– Likujdim i tokës- arë në Farkë 1.000.000 lekë
– Blerje automjeti Benz 30.000 euro
– Paga si deputet 1.081.634 lekë
– Pjesëmarrja në komisione+ karburant dhe telefon 739.508 lekë
– Interesat nga një depozitë prej 300 mijë euro 14.310 euro
– Interesa nga llogaria “Futura” në emër të vajzës 300 USD
– Të ardhura të përfituara nga dhënia me qira e zyrave 1.100 euro/ muaj
– Kredi në Bankën Credins në shumën 9.1 milion lekë për rikonstruksion apartamenti. Në 2010 ka paguar 432.188 lekë
– Shlyerje e kredisë 100.000 euro, në shumën 12.248 euro gjatë 2010
– Shlyerje e kredisë 24.111 euro në shumën 4.032 euro gjatë 2010
– Paga e bashkëshortes 3.562.615 lekë
– Të ardhura nga dhënia me qira e një apartamenti 9 mijë euro
Paulin Sterkaj
– Ka përfituar një sipërfaqe 34.32 m2 dhe 6 garazhe (16 m2 secili) me sipërfaqe totale 96 m2
– Të ardhurat nga paga si deputet 2.272.002 lekë
– Të ardhurat e bashkëshortes (bar- kafe) 5 mijë euro
– Të ardhurat nga qeradhënia e një objekti 6.000 euro
– Në llogarinë pranë BKT është kaluar vlera e një apartamenti si marrëveshje me bashkëinvestuesin 40.000 euro
– Pagesa e universitetit të djalit Martin Sterkaj 4500 euro
– Pagesa e shkollë së djalit Franc Sterkaj 900 euro
Tom Doshi
– Shitje ndërtese në Australi 2 milion dollarë australianë
– Shitje shtëpi banimi dhe truall në Australi 700.000 dollarë australianë
– Blerje toke arë në Marikaj 2.800.000 lekë
– Paga dhe shpërblime nga Kuvendi 1.301.425 lekë
– Të ardhura nga paga e bashkëshortes 1.511.676 lekë
– Të ardhura nga shoqëria “Hutibiotik” 544.546 lekë
– Kredi e marrë në Tirana Bank 300.000 euro
– Likujdim kësti kredie në Australi nga të ardhurat nga shitja 350.000 dollarë australianë
Dashamir Peza
– Pagesë kapari për blerjen e një toke arë me sip. 3500 m2 500.000 lekë
– Këmbim në depozitë nga 64.000 USD në 4.805.000 lekë
– Depozita në Tirana Bank tërhequr në muaj të ndryshëm për blerjen e një makine “Golf 5”
– Shitje e 50% të aksioneve në “Palma shpk” 50.000 lekë
– Paga si deputet 1.091.733 lekë
– Pjesëmarrja në komisionet parlamentare 706.138 lekë
– Paga e bashkëshortes 967.200 lekë
– Përfitim nga depozita bankare 5.162 euro
– Përfitim nga depozita bankare 270.000 lekë
– Përfitim nga depozita bankare 56.700 lekë
– Përfitm nga shitja e bagëtive të imëta, të trasha, vaj ulliri, qumështi dhe nënproduktet e tij 900.000 lekë
– Pagim kësti kredie 110.651 lekë
– Pagim kësti kredie 3.843 euro
– Pagim kësti kredie 6.118 euro
– Pagim kësti kredie 2.281 euro
– Pagim kësti kredie 638.505 lekë
– Pagim kësti kredie të marrë nga vajza 276.000 lekë
Prifti shet aksionet te “Fortis 2”
Deputeti Dritan Prifti ka deklaruar shitjen e aksioneve te kompania “Fortis 2”, të cilat janë në emër të bashkëshortes së tij. Nga shitja e këtyre aksioneve, familja Prifti ka përfituar 350 mijë euro. Gjatë vitit të kaluar, ai ka blerë një makinë për 22 mijë euro dhe ka shitur një tjetër me vlerë 2 milionë lekë. Ndërsa kreu i Grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka deklaruar blerjen e makinës tip “Tuareg” nga Kuvendi për 900 mijë lekë, si dhe të ardhurat nga rroga 2 milionë lekë.
Pasuritë e politikanëve
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nisi dy ditë më parë publikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit. Në një njoftim për shtyp të këtij institucioni theksohet se “ILDKP fton të gjithë faktorët e jetës sociale dhe politike shqiptare që të tejkalojë fazën e komentimeve të thjeshta mbi të dhënat e pasurive dhe të jenë aktivë në denoncimin e korrupsionit me fakte konkrete”.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka publikuar të ardhurat e kryeprokurores
Ina Rama deklaron vetëm pagën e dietat
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka kursyer gjatë vitit 2010, 1.4 milionë lekë të rinj. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka publikuar të ardhurat dhe shpenzimet e kryeprokurores, nga ku rezulton se të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit gjatë vitit të kaluar kanë qenë vetëm rrogat dhe paga në shkollën e Magjistraturës.Konkretisht, vitin e kaluar Ina Rama ka tërhequr nga llogaria e saj 2.4 milionë lekë të rinj, të cilët, siç ka deklaruar pranë Inspektoratit, i ka përdorur për mobilimin e pjesshëm të shtëpisë. Për sa i përket të ardhurave nga puna si Prokurore e Përgjithshme, ajo ka marrë gjatë gjithë vitit 2.5 milionë lekë të rinj. Këtu përfshihen dietat dhe shpërblimet për pozicionin që ka. Përveç këtyre të ardhurave, Ina Rama ka marrë edhe 63 mijë lekë të rinj për punën si eksperte dhe udhëheqëse teme në shkollën e Magjistraturës. Bashkëshorti i saj ka punuar gjatë vitit 2010 në pozicionin drejtor i Drejtorisë së Standardeve Profesionale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të ardhurat për vitin e kaluar për të kanë qenë 957 mijë lekë të rinj.
Shlyerja e kredive
Në të njëjtën kohë, Ina Rama dhe bashkëshorti i saj kanë vazhduar të lajnë dy kredi të marra në vitin 2003 dhe 2009. Kështu, në vitin 2003 ajo ka marrë një kredi me vlerë 25 mijë dollarë me afat 15 vjet dhe që përfundon në vitin 2018. Vetëm gjatë vitit të kaluar ajo ka shlyer 2.857 dollarë, ndërkohë që mbeten ende për t’u shlyer edhe për shtatë vitet e ardhshme 15.939 dollarë. Kredinë e dytë 150 mijë euro, Ina Rama e ka marrë në vitin 2009 dhe afati i shlyerjes është 25 vjet, deri në vitin 2034. Gjatë vitit 2010, ajo ka shlyer në total 6 mijë euro (500 euro çdo muaj). Ndërkohë, asaj i kanë ngelur për të paguar edhe 143.500 euro.
Pasuria e Kryeprokurores
– Kursime nga paga familjare 1.4 milionë lekë
– Pakësuar likuiditetet e kursyera në vite për mobilim të pjesshëm të banesës 2.4 milionë lekë
– Paga e vitit 2010 + dieta + shpërblime nga puna si Prokurore e Përgjithshme 2.535.648 lekë
– Pagesa nga shkolla e Magjistraturës si eksperte dhe udhëheqëse teme 63.360 lekë
– Paga e vitit 2010 + shpërblime të bashkëshortit nga puna si Drejtor i Drejtorisë së Standardeve Profesionale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit 957.680 lekë
– Kredi e marrë në Bankën NBG për shumën prej 25.000 USD me afat shlyerjeje 15 vjet, fillon në vitin 2003 dhe mbaron në vitin 2018, shuma e shlyer në vitin 2010 2.857 USD
– Kredi e marrë në Bankën Credins për shumën prej 150.000 euro, me afat shlyerje 25 vjet, fillon në vitin 2009 dhe përfundon në vitin 2034, shuma e shlyer në vitin 2010 6.000 euro
Subashi blen makinën e KQZ 125 mijë lekë, e shet 300 mijë lekë
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka blerë makinën që ka përdorur më parë për 125 mijë lekë të rinj dhe e ka shitur 300 mijë lekë të rinj. Nga kjo shit-blerje ajo ka përfituar 175 mijë lekë të rinj. Në deklarimin e përvitshëm të pasurisë, ajo ka deklaruar gjendje cash me burim kursimin nga të ardhurat vjetore 1 milion lekë të rinj, si dhe gjendje cash me burim zbatimin e vendimit gjyqësor të pensionit të bashkëshortit me vlerë 1.4 milionë lekë të rinj. Ky vendim është zbatuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Gjatë vitit 2010, Dëshira Subashi ka pasur të ardhura nga posti që mban në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 1.6 milionë lekë të rinj. Këtu përfshihen edhe shpërblimet gjatë vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, ajo ka përfituar edhe 3.100 euro nga mësimdhënia në Universitetin Amerikan të Tiranës. Ndërsa të ardhurat nga pensioni i parakohshëm i bashkëshortit si ushtarak ishin 244 mijë lekë të rinj. Vitin e kaluar, Dëshira Subashi ka vazhduar të lajë një kredi të deklaruar më parë në Bankën Raiffeisen. Vjet ajo ka shlyer 534 mijë lekë, ndërkohë që i kanë mbetur ende edhe 2.8 milionë lekë të rinj.
Pasuria e Subashit
– Gjendje cash nga të ardhurat vjetore 1.000.000 lekë
– Gjendje cash nga të ardhurat e bashkëshortit (vendim gjyqësor për pensionin) 1.400.000 lekë
– Blerje automjeti i KQZ 125.000 lekë dhe i shitur 300.000 lekë
– Paga dhe shpërblime si nënkryetare e KQZ 1.682.299 lekë
– Të ardhura nga mësimdhënia 3.100 euro
– Të ardhura nga pensioni i parakohshëm i bashkëshortit si ushtarak 244.400 euro
– Shlyerje kësti kredie 534.216 lekë
Ristani ndërton shtëpi në Lundër për 170 mijë euro
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka blerë një truall në Lundër për 170 mijë euro. Në këtë shumë përfshihet sipërfaqja 330 m2, si dhe ndërtesa mbi të. Në sqarimin e deklarimit të pasurisë, Ristani thekson se kjo blerje është deklaruar në vitin 2009 si kontratë porosie me vlerën 225 mijë euro. Gjatë vitit 2010, ai ka deklaruar dy depozita me afat në Tirana Bank, njëra e shtuar me 29.985 USD dhe tjetra e pakësuar 25.078 euro. Për sa i përket të ardhurave nga pozicioni si kreu i KQZ-së, Ristani ka përfituar 1.8 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e karburantit ishin 385 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, ai ka pasur të ardhura prej 29.953 USD nga dhënia me qira, shtëpi banimi, ndërsa të ardhurat nga interesat e depozitave në euro dhe dollarë ishin 163 USD dhe 719 euro. Në pjesën e formularit ‘detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë’, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka deklaruar se vazhdon të paguajë këstet e një kredie të marrë në vitin 2007. Gjatë vitit të kaluar, ai ka paguar 6.477 euro të kësaj kredie, ndërkohë që kanë ngelur për t’u paguar deri në vitin 2027 edhe 74.998 euro.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











