PERMET – Një 63-vjeçar nga fshati Çarshovë i Përmetit i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në verandën e banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së dielës, në katin e dytë të një godine banimi trekatërshe ku jetonte viktima Hekuran Avdiu. Ky i fundit është gjetur rreth orës 13:30 nga komshinjtë i vetëvarur me një kabllo elektrike në verandën e banesës. Ata kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarjes. 63-vjeçari Avdiu kishte lidhur kabllon elektrike në qafë dhe në një tra prej druri të montuar në verandë. Nga hetimet e policisë është zbuluar se shkak për vetëflijimin e Hekuran Avdiut është bërë një krizë depresioni që ai po vuante kohët e fundit. Shenjat e kësaj krize, sipas dëshmitarëve, ishin shfaqur prej kohësh te viktima. Ndërkohë, te familjarët e tij ai kishte deklaruar ditët e fundit se ishte në depresion dhe se do të vriste veten. Sipas Policisë, ndaj Hekuran Avdiut, dy ditë më parë ishte depozituar një kallëzim nga bashkëshortja e tij për dhunë psikologjike. Për këtë, shprehen burime policore, dokumentacioni ndaj Hekuran Avdiut i kishte kaluar gjykatës për lëshim urdhër-mbrojtjeje. Në kushtet e kësaj dhune, gruaja e tij kishte dy ditë që ishte larguar nga banesa dhe jetonte me prindërit e saj.











