Dënohet Peqini e deputeti i PD-së, ndryshon renditja

May 10, 2012 | 14:22

Shkumbini është dënuar me humbje të ndeshjes ndaj Flamurtarit dhe heqje të tri pikëve nga renditja, ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht zv/president i klubit peqinas, Dashnor Sula, është ndëshkuar me 10 ndeshje dhe 5 milionë lekë gjobë.
Nga parajsa, në ferr. Nëse deri mëngjesin e ditës së djeshme peqinasit e shikonin veten të shpëtuar një herë e mirë nga “play-out”-i dhe rënia nga kategoria, në mesditë erdhi edhe goditja e rëndë nga Komisioni i Disiplinës. Referuar asaj që patën raportuar me shkrim gjyqtarët e takimit Shkumbini-Flamurtari, si dhe delegati e vëzhguesi i FSHF-së për këtë ndeshje, anëtarët e Disiplinës kanë ndëshkuar në mbledhjen e djeshme klubin e Shkumbinit me humbje të ndeshjes 0-3 në tavolinë (kishin fituar 1-0) në favor të vlonjatëve, si dhe zbritje të tri pikëve nga renditja e përgjithshme, që kjo skuadër ka grumbulluar në 25 javë kampionat. Kjo do të thotë që një javë nga fundi i kampionatit, peqinasit janë në zonën e “play-out”-it dhe, më së paku, teorikisht zor se mund të mbijetojnë pa luajtur edhe një ndeshje shtesë me një nga skuadrat e Kategorisë së Parë (vetëm marrja e 3 pikëve në transfertën e së shtunës në Shkodër ndaj Vllaznisë vendëse dhe barazimi ose humbja e Tomorit në Fier i shpëton direkt nga kategoria). Duhet thënë se në një farë mënyre Shkumbini i kishte punët në vijë edhe nëse do kishte humbur ndeshjen me Flamurtarin në javën e 25-të, por incidenti i shkaktuar në dhomat e zhveshjes, ku protagonist u bë deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, njëkohësisht edhe zv.president i klubit, bëri që skuadra tanimë të mos ketë asgjë të sigurt për sa i përket qëndrimit në Superiore. Kërcënimi dhe presioni me armë në dhomat e zhveshjes së lojtarëve të Flamurtarit, por edhe të gjyqtarëve të ndeshjes, është konsideruar real dhe i mirëqenë nga Komisioni i Disiplinës, i cili ka marrë për bazë raportet e zyrtarëve të FSHF-së në Peqin dhe jo ekspertizën (qesharake duhet thënë) e Prokurorisë së Elbasanit, e cila konkludoi të martën me idenë se arma e gjetur nga policia ishte lodër dhe jo luftarake. Pikërisht për këtë incident të paprecedentë për një deputet, Dashnor Sula është dënuar me 10 ndeshje ndalim hyrjeje në stadium dhe me pesë milionë lekë gjobë. Sakaq, duhet thënë se deputeti ka qenë protagonist negativ edhe në 5 raste të tjera, ku në secilin është dënuar ose gjobitur nga Disiplina, por jo në të njëjtën shkallë sikundër dje.

Dashnor Sula: Më dënoi nipi i Nexhmije Hoxhës

Deputeti Dashnor Sula gjatë një ndeshjeje në stadiumin e Peqinit

Nuk ka vonuar reagimi i deputetit të PD-së, Dashnor Sula, pas vendimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Ai e ka konsideruar si totalisht politik dhe i iniciuar nga një pinjoll i ish-regjimit komunist, referuar në këtë mënyrë anëtarit të Komisionit, Saimir Xhuglini (nipi i Nexhmije Hoxhës). “Unë nuk e kam mohuar se kam qenë në dhomat e zhveshjes atë ditë, së bashku me dy donatorë të klubit. Por, absolutisht nuk kemi kërcënuar njeri dhe nuk kemi ofenduar askënd. Ca më pak pastaj që të kemi qëlluar me pistoletë. Edhe në relacionin e vëzhguesit thuhej se kishte dëgjuar zhurmë që vinte nga tualeti, por jo se ai kishte parë pistoletë. Kjo të bën të mendosh se gjithçka ka qenë fantazi. Ndërkohë unë e shikoj si një vendim kryekëput politik, pasi jo më kot gjatë këtyre ditëve është marrë vetë Edi Rama me Peqinin. Përveç kësaj, jam dënuar nga nipi i Nexhmije Hoxhës, i cili prej kohësh priste rastin të më dënonte. Më vjen realisht keq që Komisioni nuk mori parasysh jo vetëm arsyetimet e mia, por as hetimin e Prokurorisë së Elbasanit”, ka pohuar Sula për “Panorama Sport”. Më tej, deputeti i PD-së ka theksuar se do të apelojë vendimin dhe më pas do të hapë një padi civile për anëtarët e Disiplinës. “Sigurisht që do ta apelojmë vendimin, pasi jemi në të drejtën tonë dhe besojmë se nuk kemi bërë asgjë për të merituar një ndëshkim të tillë”, përfundoi Sula.

Renditja pas vendimit të Disiplinës
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    Gola    P

1. Skënderbeu    25     16     6     3     42-15    54
2. Teuta    25     16     5     4     31-17    53
3. Tirana    25     15     5     5     32-21    50
4. Flamurtari    25     13     6     6     39-20    45
5. Kastrioti    25     11     5     9     36-28    38
6. Vllaznia     25     10     4     11     35-29    34
7. Laçi    25     11     6     8     26-28    33
8. Bylis    25     8     8     9     37-36    32
9. Tomori    25     8     4     13     31-41    28
10. Shkumbini    25     8     6     11     33-38    27
11. Kamza    25     7     6     12     22-31    27
12. Pogradeci     25     6     4     15     24-44    19
13. Apolonia    25     4     6     15     21-41    18
14. Dinamo     25     3     7     15     18-38    13
SHËNIM: Dinamo minus 3 pikë, dënuar nga FIFA. Laçi minus 6 pikë, Pogradeci dhe Shkumbini minus 3 pikë dënuar nga Disiplina.

Variantet
Si shpëton Tomori (nga play-out)

Tomori fiton me Apoloninë.
Tomori barazon dhe Shkumbini e Kamza barazojnë.
Tomori humbet, por edhe Shkumbini e Kamza humbin.
Si shpëton Shkumbini (nga play-out)
Shkumbini fiton me Vllazninë dhe Tomori s’fiton në Fier.
Shkumbini barazon, Kamza barazon dhe Tomori humb me Apoloninë.
Si shpëton Kamza (nga play-out)
Kamza fiton me Tiranën, Shkumbini humb ose barazon në Shkodër dhe Tomori humb ose barazon në Fier.
Si shpëton Pogradeci (nga rënia)
Pogradeci fiton me Skënderbeun dhe luan “play-out”.
Pogradeci barazon, Apolonia barazon ose humb me Tomorin.
Pogradeci humb dhe Apolonia humb me Tomorin.
Si shpëton nga Apolonia (nga rënia)
Apolonia fiton, Pogradeci barazon ose humb me Skënderbeun.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura