
TIRANE – Një 31-vjeçare është gjobitur me 70 mijë lekë me një vendim gjyqësor të formës së prerë për braktisjen e foshnjës së saj 16 vjet më parë, kur ajo vetë ishte 15 vjeç. Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë të pandryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin ndaj të pandehurës Vera M. Kjo e fundit në nëntor 2011 është deklaruar e fajshme, në mungesë, për akuzën e “braktisjes së fëmijëve të mitur”. Referuar vendimit të Apelit, të shpallur pak ditë më parë, historia e braktisjes së foshnjës zinte fill në vitet 1994-1995. Në këtë kohë, Vera M. është njohur dhe ka bashkëjetuar me shtetasin F.C., në fshatin Bastar i Mesëm, Tiranë. “Që para fillimit të bashkëjetesës, e pandehura Vera M. i ka shpjeguar shtetasit F.C. se ishte shtatzënë dhe priste një fëmijë. Këtë fakt e ka pranuar edhe F.C., i cili ka shpjeguar se në janar të vitit 1995 e pandehura Vera M. ka lindur një vajzë të cilën e kanë quajtur Marsela”, thuhej në vendimin e Apelit. Po sipas Gjykatës, duke qenë se çifti nuk kishte lidhur martesë ligjore dhe se F. C. nuk ishte babai biologjik, ata nuk e kanë regjistruar foshnjën në asnjë regjistër të zyrës së gjendjes civile. Në vijim, referuar Gjykatës, pas datës 25 mars 1995 Vera M. ka shkuar bashkë me foshnjën te disa të afërm të saj në fshatin Fushë-Mamurras, të rrethit Kurbin. Pas një jave qëndrim, ajo është larguar në drejtim të paditur duke e braktisur foshnjën e saj. Në vendim sqarohet se një vit më pas ajo është rikthyer në banesën e të afërmve të saj, me një person që e ka prezantuar si bashkëshort, por përsëri nuk ka pranuar ta marrë fëmijën. “Në bazë të aktit të ekspertimit mjekoligjor nr. 1087, datë 05.09.2011, i kryer me kërkesë të organit të akuzës, rezultoi se personi i ekzaminuar është i seksit femër, me trup të rregullt, me moshë 16-vjeçare, me gjatësi trupore 1.57 m, pa shenja të veçanta identifikuese”, thuhej në vendim. Sipas Apelit, Vera M. ka konsumuar veprën penale të “braktisjes së fëmijëve të mitur” dhe se vendimi i Shkallës së Parë, Kurbin, ishte i drejtë dhe i bazuar në ligj e në prova. ar.ba
Prokuroria kërkoi 1 vit burg
TIRANE – Në apelin e vendimit ndaj Vera M., Prokuroria e Kurbinit i kërkonte Gjykatës ndryshimin e vendimit dhe dënimin e saj me një vit burg. Përfaqësuesi i akuzës pohonte se ishte dakord me fajësinë e të pandehurës, por jo me masën e dhënë nga Gjykata e Kurbinit. “Dënimi i dhënë nuk është mbështetur në rrezikshmërinë shoqërore të veprës, pasi dënimi me gjobë, kur e pandehura është në mungesë, vlerësojmë se është i papërshtatshëm, madje i pamundur për t’u vënë në ekzekutim. Edhe ulja e gjobës nën minimumin e kufijve të parashikuar nga ligji, në rastin konkret vlerësojmë se është i pavend”, argumentonte Akuza në shkaqet e Apelit.











