3 vjet e 4 muaj burg dhe 27 mijë euro dëmshpërblim është vendimi i gjykatës për Gerta Mezurajn.
TIRANE – Gerta Mezuraj, motra e ish-fitueses së programit “Big Brother Albania 4”, Ermela Mezuraj, u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Tiranës. Ajo u deklarua e fajshme për vjedhjen e një shume prej afro 67 mijë eurove më 14 dhjetor 2010, para të cilat ishin xhiroja disaditore e një agjencie udhëtimesh ku ajo vetë ishte e punësuar. Vendimi i fajësisë ndaj saj u shpall dy ditë më parë, në përfundim të 14 seancave gjyqësore. Sipas Gjykatës, vepra penale e “vjedhjes me pasoja të rënda” është kryer nga Gerta Mezuraj në bashkëpunim me të dashurin e saj. Për të pandehurin R. M, gjykata vendosi deklarimin e tij fajtor dhe dënimin me 5 vjet heqje lirie. Po sipas vendimit të gjykatës, Gerta Mezuraj dhe R. M janë të detyruar të dëmshpërblejnë administratoren e agjensisë së udhëtimeve që grabitën me një shumë prej 27 mijë euro. “Të pandehurit R. M dhe Gerta Mezuraj t’i kthejnë në mënyrë solidare shumën prej 27 400 eurosh, palës paditëse –
e dëmtuar nga vepra penale”, thuhej në vendimin e GJYKATËS.
R. M dhe Mezuraj u arrestuan nga policia, pas dyshimeve se ata kishin bashkëpunuar në grabitjen e parave të një agjencie udhëtimesh, ku vetë Mezuraj ishte e punësuar. Sipas Prokurorisë, në momentin që bashkëpunonjësja e saj do të transportonte paratë drejt bankës, dyshohet se Mezuraj i ka dërguar një mesazh të koduar të dashurit të saj. “Çoji divanët në shtëpi”, u mësua të ketë qenë teksti i SMS-së, që sipas Prokurorisë i tregonte atij se kolegia e saj doli në rrugë me paratë me vete. “Sapo ka dalë në rrugë, një djalë rreth 20-25 vjeç pasi e ka qëlluar me shqelm në kokë, i ka marrë çantën me të holla dhe më pas është larguar”, rrëfehej ngjarja në dosjen e prokurorisë. Sipas hetimeve, dyshohej se shtetasi R. M, së bashku me shtetasen Gerta Mezuraj dhe një person tjetër të paidentifikuar, kishin organizuar grabitjen e kartëmonedhave.
© Panorama.al











