ELBASAN – Dhanë leje kundrejt parave për të burgosurit, dënohet me 3 vite burg ish-drejtori i Burgut të Rrogozhinës. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Elbasanit, e cila e dënoi Pajtim Murjan me akuzën e korrupsionit. Sipas vendimit të djeshëm, Murja dënohet me tri vite burg e 700 mijë lekë gjobë. Bashkë me të u dënua me 2 vjet burg dhe 700 mijë lekë gjobë specialisti i edukimit të burgut, Denis Tosku, si dhe dy sekserët, sipas prokurorisë: Fatos Gosa, me 2.6 muaj burg e 700 mijë lekë gjobë, si dhe 1 vit e 400 mijë lekë gjobë për Naim Maçin. I vetmi person i pafajshëm u shpall shtetasi Ismail Cunami. Nga ana e akuzës, kryesuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gokaj dhe prokurori i Task-Force Durrës, Afrim Shehu, ishte kërkuar një masë dënimi prej 5 vitesh për ish-drejtorin. Pajtim Murja, u arrestua verën e kaluar nga njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Durrësit, bashkë me katër personat e tjerë. Arrestimi i Murjas dhe i shtetasve të tjerë u bë pasi Prokuroria e Durrësit kishte siguruar prova bindëse, ku Murja shfaqej duke u kërkuar nga 500 euro shtetasve që vuanin heqjen e lirisë në Burgun e Rrogozhinës, në këmbim të dhënies së lejeve pesëditore. Hetimet rreth këtij fenomeni nisën që në muajin mars të një viti më parë nga Task-Forca në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, ku pas përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale është arritur të provohet korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës së këtyre zyrtarëve. Ata akuzohen për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”. m.s











