
TIRANE- Ministria e Punëve të Jashtme tha sot se ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe dënon ashpër dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe kundër trupave paqeruajtës të KFOR-it në fshatin Rudarë.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, MPJ shprehet se “mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.”
Ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë paqeruajtësve të plagosur në aksionin për të siguruar lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës, MPJ thekson se nxjerrja para drejtësisë e autorëve të dhunës, si dhe çmontimi i strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë janë imperative për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit.
Gjatë një aksioni për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, dy ushtarë të KFOR-it dhe tre serbë lokalë kanë mbetur të plagosur
© Panorama.al











