Dënohet 25 vjet super-spiuni që dorëzoi Ana Çapmanin

Jun 28, 2011 | 10:39

Një zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete ruse u dënua dje nga Gjykata Ushtarake me 25 vjet burg, pasi u gjet fajtor për spiunimin e identitetit tek autoritetet amerikane të Ana Çapman dhe spiunëve të tjerë rusë që u arrestuan në SHBA. Koloneli Aleksander Potejev u shpall fajtor për tradhti të lartë dhe dezertim në gjyqin me dyer të mbyllura. Potejev kishte udhëtuar për në SHBA pak përpara se autoritetet amerikane të shpallnin zbulimin e rrjetit të spiunëve rusë gjatë verës së kaluar. Mes agjentëve të spiunuar nga Potejev ishte edhe flokëkuqja Ana Çapman, e cila dëshmoi në gjyq bashkë me nëntë të tjerët. Çapman tha se vetëm Potejev mund ta kishte siguruar informacionin që çoi në arrestimin e tyre vitin e kaluar, sipas agjencive ruse të lajmeve. Spiunët rusë u kthyen në atdheun e tyre në këmbim të katër të dyshuarve si agjentë amerikanë që ishin të burgosur në Rusi. Ky ishte sensacioni më i madh i bërë publik i lojës së spiunazhit, që nga koha e Luftës së Ftohtë. Çapman, më e famshmja prej spiunëve të zbuluar, tha në Gjykatë se ajo ishte kapur pasi një agjent i mbuluar amerikan e kontaktoi atë duke përdorur kodin e saj sekret, të cilin e dinte vetëm Potejev dhe manovruesi i saj personal.

© Panorama.al

Te lidhura