Demonstruesi i 21 janarit, sërish në gjykatë për kundërshtim ndaj policisë

Jun 29, 2011 | 11:02

TIRANE – Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale në ngarkim të Gjin Ndreut. Ndreu akuzohet për goditjen e dy efektivëve të një patrulle policie në 24 janar, vetëm pak orë pasi ishte liruar nga paraburgimi për llogari të hetimeve ndaj demonstratës së dhunshme të 21 janarit në Tiranë. Fillimisht, ai u arrestua pas demonstratës për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Në një nga pamjet filmike të demonstratës së dhunshme, ai shfaqej me një objekt në rripin e pantallonave, që u interpretua nga Prokuroria si pistoletë. Tre ditë pas demonstratës, ai u lirua më pas nga Gjykata e Tiranës, pasi nuk rezultoi e provuar fakti që ai të kishte qenë i armatosur. Gjykata e kryeqytetit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që të provonin dyshimet se Gjin Ndreu ishte i armatosur. Por, vetëm pak orë pas lirimit, zuri fill historia për të cilën dy ditë më parë ai është dërguar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria e kryeqytetit e akuzon Gjin Ndreun për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën akuzohet Gjin Ndreu u shënua mbrëmjen e 24 janarit në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku Ndeu ka ofenduar me gjeste një patrullë policie. Po sipas hetimeve, më pas ai është konfrontuar fizikisht me punonjësit e Rendit. Nga konfrontimi është grisur uniforma e njërit prej policëve. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, në 27 janar, vetë Ndeu pretendoi se ishte dhunuar nga punonjësit e policisë. Dosja penale në ngarkim të tij në lidhje me këtë ngjarje është regjistruar me numrin 1744 në Gjykatën e Tiranës. Shorti i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Sokol Tona si gjyqtarin kryesues të shqyrtimit të kësaj dosjeje në Gjykatën e Tiranës. Burime zyrtare të gjykatës pohuan se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij procesi.                              ar.ba

Demonstruesi i dhunshëm

Gjin Ndreu është identifikuar nga efektivat e policisë dhe nga pamjet filmime si një nga demonstruesit më të dhunshëm të 21 janarit. Ai u filmua nga kamerat teksa ndodhej në radhën e parë të personave që goditën me gurë dhe me sende të forta efektivat e policisë para Kryeministrisë në Tiranë. Për disa ditë, u pretendua, gjithnjë referuar filmimeve, se i riu nga Shkodra kishte pasur edhe një armë me vete në demonstratë. Kjo për shkak se në filmime ai dukej se kishte diçka të zezë në anën e majtë të belit, nën rroba. Arma nuk u sekuestrua, ndërsa Prokuroria ka hedhur poshtë pamjet filmime, duke mos ngritur akuzë për këtë fakt.

© Panorama.al

Te lidhura