Dëmet e Gërdecit, qeveria në gjyq: T’i paguajë Delijorgji

May 31, 2013 | 12:46
Nga shkatërrimet në Gërdec

TIRANE – Dy muaj më parë biznesmeni Mihal Delijorgji përfundoi dënimin e marrë nga Gjykata si një nga të pandehurit e fajësuar në dosjen gjyqësore “Gërdeci”. Megjithatë, ai ende nuk i ka përfunduar të gjitha përballjet gjyqësore që kanë për motiv shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Prej më shumë se tre vjetësh Gjykata e Tiranës është duke shqyrtuar një padi civile të qeverisë kundër shoqërisë “Albademil” shpk dhe ish-administratorit të saj, Mihal Delijorgji. Përmes kësaj padie, shteti i kërkon biznesmenit Delijorgji paratë e shpenzuara pas shpërthimit të Gërdecit. Në këtë padi, Këshilli i Ministrave përfaqësohet nga Avokatura e Shtetit. Shuma që i kërkohet biznesmenit dhe shoqërisë së administruar prej tij kap shifrën e gati 2.2 miliardë lekëve të rinj, aq sa është shuma që është shpenzuar nga shteti për dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Seanca e djeshme e këtij gjykimi nuk u zhvillua për shkak të mosparaqitjes së palës së paditur. “U thirr, nuk u paraqit i padituri ‘Albademil’ shpk. U thirr, nuk u paraqit i padituri Mihal Delijorgji. Nga konfirmimi i fletëthirrjes së datës 17.05.2013 rezulton se ka marrë dijeni rregullisht”, thuhej në vendimin e ndërmjetëm të gjykatës për seancën e djeshme. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi ndërprerjen e gjykimit dhe e shtyu seancën për më datë 25 qershor. Padia e Këshillit të Ministrave ndaj Delijorgjit dhe shoqërisë së administruar prej tij është regjistruar në nëntor të vitit 2009 në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e dhjetë në radhë, më 21 shtator 2010, gjykata vendosi “ngrirjen” e shqyrtimit të padisë. Në atë seancë u vendos pezullimi i gjykimit deri në zgjidhjen përfundimtare të procesit gjyqësor në ngarkim të Mihal Delijorgjit dhe 28 të pandehurve të tjerë të dosjes “Gërdeci” në lidhje me akuzat e tyre penale për shpërthimin e 15 marsit 2008. Nga shpërthimi i ish-fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec u vranë 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë si dhe u shkatërrua dhe dëmtua pasuria në vlerën 2.2 miliardë lekë. Sipas Gjykatës së Tiranës, kjo vlerë përfaqëson 2.1 miliardë lekë pasuri të shtetasve, si banesa, orendi të tyre, ferma bujqësore e blegtorale dhe 100 milionë lekë pasuri shtetërore, si objekte sociale dhe orendi të tyre.        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura