Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Zhanet Napolitano, ka bërë dje një panoramë të asaj që u la pas nga uragani “Irene”, i cili duket se po largohet i dobësuar nga territori i Shteteve të Bashkuara drejt Kanadasë. Ajo ka paralajmëruar njerëzit përgjatë rajonit të goditur nga “Irene”, se edhe pse tashmë e zvogëluar në stuhi dhe mund ta ketë kaluar zonën e tyre, rreziku vazhdon të mbetet. Napolitano tha se linjat elektrike të rrëzuara, përmbytjet, problemet me gjeneratorët dhe pemët e rrëzuara përbëjnë kërcënim për njerëzit edhe pas largimit të stuhisë. Tashmë ka filluar vlerësimi i dëmeve në shtetet jugore të Karolinës së Veriut dhe Virxhinias. Nga vlerësimi i përgjithshëm që u është bërë dëmeve, del se ato mund të kapin shifrën 200 deri 400 milionë dollarë vetëm në këto dy shtete. “Irene” konsiderohet fatkeqësia rekord e Shteteve të Bashkuara për vitin 2011.











