Dell: Zgjedhjet lokale serbe, pa efekt ligjor

May 5, 2012 | 10:59
Ambasadori Dell

Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell ka thënë se zgjedhjet lokale në veri janë tërësisht pa ndonjë ndikim, ndërsa ato parlamentare dhe presidenciale paraqesin një shembull të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.

“Është herët të thuhet (nëse zgjedhjet do të përmirësojnë raportet), por ky është një shembull i mirë, se si dy shtete fqinje mund të punojnë së bashku, që të sigurojnë se po respektohen  standardet evropiane”, ka thënë ambasadori amerikan gjatë një konferencë për gazetarët në Graçanicë, me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të granteve për organizatat e shoqërisë civile.

Ai ka përshëndetur rolin lehtësues të OSBE-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në territorin e Kosovës.

Dell ka thënë është me rëndësi që roli lehtësues i OSBE-së, është pajtuar në një formë, që të mos shkilet sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, duke theksuar qëndrimin e OSBE-së se do të ndalojë së ndihmuari zgjedhjet, po që se aty tentohet të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale të Serbisë.

“Gatishmëria e qeverisë së Kosovës për t’ia lejuar OSBE-së që të lehtësojë votimet në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, nënvizon synimin për raporte të mira fqinjësore dhe përkushtimin e saj për standardet evropiane”, tha ambasadori amerikan.

Duke folur për paralajmërimin e disa serbëve lokalë të pjesës veriore të Kosovës se më 6 maj, karshi zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, të mbahen edhe zgjedhjet lokale, Dell foli për mungesën e ndikimit të kësaj nisme…

“Ato janë po aq të rëndësishme sa referendumi që ata e patën mbajtur në shkurt, e të cilin e patën injoruar të gjithë. UNMIK-u, Beogradi dhe e tërë Bashkësia Ndërkombëtare kanë deklaruar se nuk i njohin si legjitime këto zgjedhje”.

“Me sa di shefi i UNMIK-ut pati thënë se nuk do të merret me liderët që do të dilnin nga këto zgjedhje. Nuk mërzitem për to dhe mendoj se askush s’do të duhej”, tha Dell, për të shtuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës nuk do të prodhonte asnjë efekt ligjor.

Ai ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që e diela të kalojë qetësisht si një ditë që, siç tha ai, forcon tolerancën e ndërsjellë dhe parimet demokratike.

© Panorama.al

Te lidhura