Biznesmeni i hekurit, Mihal Delijorgji, një nga të akuzuarit kryesorë të prokurorisë për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, shmangu dje përgjegjësinë e tij ndaj tragjedisë. Në paraqitjen e tij të parë në sallën e gjyqit që prej fillimit të këtij procesi në korrik të vitit 2009, Delijorgji iu përgjigj pyetjeve të palëve në proces si person fizik. I veshur me një bluzë të bardhë si ato të modelit “La coste”, Delijorgji tha para trupit gjykues se nuk kishte njohuri për demontimin dhe as i interesonte. Sipas tij, ai ishte përgjegjës vetëm për investimet infrastrukturore në Gërdec. Ndërsa demontimi, sipas tij, në bazë të kontratave, i takonte amerikanit Henri, i cili do të sillte makineritë, teknologjinë dhe specialistët. Para treshes gjykuese, Delijorgji tha se nuk kishte pasur asnjë marrëveshje me shtetin. “Unë nuk kisha lidhje, nuk kisha asnjë kontratë me shtetin shqiptar. I kishte vetëm SAC-i edhe procesin e demontimit, edhe përgjegjësitë e tjera”, tha Delijorgji. Për disa prej pyetjeve ai nuk pranoi të përgjigjej, duke thënë se do të fliste kur të pyetej në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Albademil”. Më poshtë vijon dëshmia e të pandehurit Mihal Delijorgji dhënë dje në Gjykatën e Tiranës.
DËSHMIA
Prokuroria: E njihni shtetasin Patrik Henri?
Delijorgji: Po.
Prokuroria: Në ç’rrethana jeni njohur me të?
Delijorgji: Jemi takuar rastësisht në zyrat e ndërmarrjes shtetërore “MEICO” në tetor të vitit 2006. Unë në atë kohë po zbatoja një kontratë si nënkontraktor për skrap. Ai ishte i interesuar për një projekt për demontimin e fishekut. Pasi diskutuam dhe mori vesh me çfarë merresha, ai më ofroi një mundësi bashkëpunimi për demontimin e fishekëve në Shqipëri, duke qenë se nuk e bënte dot andej. Ai vendosi ta bënte këtu. Ramë dakord të bëhej nëse do të merrej kontrata e demontimit. Në vijim biseduam për të gjetur një formulë biznesi të përbashkët.
Prokuroria: Kujt i lindi ideja e bashkëpunimit mes jush dhe Henrit?
Delijorgji: Ideja i lindi Patrik Henrit. Unë do të financoja demontimin, ndërsa ai do të mbështeste anën teknike dhe specialistët. Ai ishte i licencuar dhe këtë punë e bënte edhe në Amerikë. Kështu më tha në bisedën e konsumuar.
Prokuroria: A kishe njohuri për demontimin?
Delijorgji: Jo, nuk kisha dijeni dhe as më interesonte.
Prokuroria: Si u krijua shoqëria “Albademil” dhe cili ishte objekti i saj?
Delijorgji: Shoqëria “Albademil” u krijua në muajin dhjetor 2006. Ideja për krijimin e shoqërisë ishte e imja dhe lindi nga biseda me Henrin. Nuk na kushtonte gjë që të krijonim shoqërinë, edhe nëse nuk merrnim licencën, pasi 100 mijë paguanim si tarifë. Në zbatim të legjislacionit shqiptar, krijuam shoqërinë me dy administratorë: unë dhe Patrik Henri.
Prokuroria: Ku ishte selia e kësaj shoqërie?
Delijorgji: Në momentin e parë, selia e shoqërisë ishte në letër. Fillimisht ishte një shoqëri jo aktive. Kur u bë aktive, selia ishte në Vorë, në ish-repartin ushtarak të Gërdecit.
Prokuroria: A kishit dijeni nëse shoqëria “SAC” ishte e licencuar për demontim?
Delijorgji: Me sa kisha folur me Patrik Henrin, me çfarë kisha parë në kompjuterin e tij dhe fabrikën që kishte në Karolinën e Jugut në SHBA, kisha krijuar bindjen se kishte licencë, pasi nuk mund të punonte në SHBA pa licencë. Nuk ishte detyra ime të vërtetoja nëse kishte licencë. Ishte shteti shqiptar.
Prokuroria: Cilat ishin kontributet tuaja në SAC?
Delijorgji: Asnjë lidhje. Nuk kisha asnjë kontribut.
Prokuroria: E njihni të pandehurin Ylli Pinari?
Delijorgji: E kam njohur para njohjes me Patrik Henrin. E njoh që në vitin 2001. E njihja qëkur kompania “Përparimi”, ku unë isha administrator, ishte nënkontraktore për skrapin. Jam njohur në marrëdhënie pune me të, si drejtor i ndërmarrjes shtetërore “MEICO”.
Prokuroria: A ka qenë i pranishëm Pinari në ndonjë nga takimet tuaja me Patrik Henrin?
Delijorgji: Vetëm në një rast, në takimin e parë kur u takuam dhe u njohëm te zyrat e MEICO-s.
Prokuroria: Ishte i pranishëm gjatë gjithë bisedës?
Delijorgji: Vetëm në momentin e prezantimit. Bisedat janë bërë vetëm mes meje dhe Patrik Henrit. Në të gjitha takimet ka qenë prezent drejtori, Dritan Minxolli, i cili edhe më përkthente.
Prokuroria: Ishte takim rastësor, apo i lënë më parë?
Delijorgji: Pyetja më duket provokative. E thashë që ishte takim rastësor.
Prokuroria: Gjatë bisedave, a mësuat ku do ta gjente sasinë e fishekëve Henri?
Delijorgji: Nuk më interesonte, ishte puna e tij.
Prokuroria: A keni dijeni për kontratat që SAC ka lidhur me ndërmarrjen “MEICO”?
Delijorgji: Nuk më ka interesuar dhe nuk kam pasur dijeni për këto kontrata. Unë nuk kisha asnjë marrëdhënie me shtetin.
Prokuroria: Në momentet e lidhjes së kontratave të bashkëpunimit për veprimtarinë mes SAC dhe Albademil, a ka qenë i pranishëm Henri?
Delijorgji: Po, ka qenë.
Prokuroria: A kishit kontratë me ndërmarrjen “MEICO” për shitblerje municionesh?
Delijorgji: Jo.
Prokuroria: A keni qenë i licencuar për demontim?
Delijorgji: Jo.
Prokuroria: Kush ishte personi përgjegjës për realizimin e demontimin?
Delijorgji: Kompania “SAC”.
Prokuroria: E njeh të pandehurin Dritan Minxolli?
Delijorgji: Po.
Prokuroria: Keni qenë më parë në Gërdec, para demontimit? Po gjatë vitit 2006-2007?
Delijorgji: Kam qenë në vitin 2002 apo 2003. Nuk më kujtohet mirë. Kam shkuar si nënkontraktor për skrapin. Kam qenë edhe në vitin 2006-2007 kur SAC mori kontratën nga Ministria e Mbrojtjes dhe Gërdeci u caktua si vend për demontim.
Prokuroria: Kur filloi procesi i demontimit?
Delijorgji: Nuk e mbaj mend datën. Nisi diku nga maji 2007.
Prokuroria: Për këtë kontratë keni nënshkruar ndonjë kontratë për vazhdimin e demontimit në Gërdec?
Delijorgji: Mbaj mend një rast që kam firmosur një kontratë me prokurorë nga SAC dhe Patrik Henri për 400 metra katrorë truall me qira në Gërdec. Ndërsa për SAC nuk di gjë.
Prokuroria: A jeni takuar me Henrin më 7 qershor 2007? Nëse po, ku dhe pse?
Delijorgji: Jemi takuar shumë herë. Nuk e mbaj mend datën dhe vendin.
Prokuroria: Atë ditë është firmosur kontrata e Albademil-it për demontimin e municioneve.
Delijorgji: Jemi takuar në zyrën e avokatit që bëri kontratën.
Prokuroria: Cila është metodologjia e punës dhe linja teknologjike që do të përdorej gjatë procesit të demontimit?
Delijorgji: Nuk ishte pjesë e punës sime. Ishte pjesë e punës së Patrik Henrit. Ai ishte i licencuar dhe kjo ishte pjesë e kontratës së firmosur me MEICO-n.
Prokurori: A shkonit ju në Gërdec dhe a kishit dijeni për aktivitetin që kryhej?
Delijorgji: Po, si administrator. Kam shkuar 5 apo 6 herë në gjithë periudhën 1 vit e gjysmë, qëkur filloi aktiviteti dhe deri kur ndodhi shpërthimi.
Prokuroria: Si bëhej pagesa për municionet?
Delijorgji: Për këtë pyetje do të përgjigjem kur të jem në cilësinë e administratorit të Albademil-it.
Prokuroria: E njihni Sokol Ngjeçin? A jeni takuar me të gjatë viteve 2006-2007?
Delijorgji: E njoh që nga kontrata e parë në vitin 2002 si nënkontraktor për skrapin. Jemi takuar pasi paralelisht vazhdonte kontrata për skrapin me shoqërinë “Përparimi” sh.a.
Prokuroria: E njihni Luan Hoxhën dhe në ç’rrethana? A jeni takuar në vitet 2006-2007?
Delijorgji: Po, në kohën e kontratës së skrapit. Jemi takuar sepse vazhdonte kontrata e skrapit.
Prokuroria: E njihni Shpëtim Spahiun?
Delijorgji: Nuk e kam njohur më parë, e kam takuar vetëm një herë kur përfaqësova Henrin në kontratën për truallin me qira në Gërdec. Kjo ka qenë hera e vetme që e kam takuar.
Prokuroria: Pse ishit te zyrat e MEICO-s?
Delijorgji: Kisha kontratën e skrapit dhe pata disa probleme në disa reparte për dorëzimin e mallit.
Prokuroria: A ju njihte juve Patrik Henri?
Delijorgji: Para momentit të njohjes rastësore nuk e di a më njihte.
Prokuroria: A biseduat me Patrik Henrin në lidhje me rrugët që do të ndiqte kompania “SAC” për të fituar të drejtën?
Delijorgji: Ishte diçka që po negocionte prej gati një viti i gjysmë dhe ishte diçka që nuk më takonte mua. Unë isha jashtë marrëdhënieve SAC – shtet shqiptar.
Prokuroria: A ju tha nëse ishte lidhur apo jo marrëveshja?
Delijorgji: E vetmja gjë që më tha ishte se kishte një vit e gjysmë që po negocionte dhe unë s’e pyeta më gjatë. Kishte një problem teknik, pasi fishekët kinezë, qofshin këta edhe për skrap, nuk lejoheshin në Amerikë.
Prokuroria: A ju ka kërkuar ndihmë për përfundimin e marrëveshjes?
Delijorgji: Jo.
Prokuroria: A e kujtoni nëse marrëveshja SAC – shtet u krye përpara, apo pas krijimit të shoqërisë “Albademil”?
Delijorgji: Për këtë pyetje do të përgjigjem kur të jem në cilësinë e administratorit të Albademil-it.
Prokuroria: A mund të na thoni pse ratë dakord për krijimin e Albademil-it?
Delijorgji: Në momentin që u njohëm, më tha që ishte negociuar dhe ramë dakord në parim, menduam të krijonim shoqërinë me 100 mijë lekë kapital. Nuk përbënte humbje ekonomike edhe nëse nuk fitohej e drejta e demontimit.
Prokuroria: A ju ka thënë Patrik Henri që ka biseduar me shoqëri tjetër?
Delijorgji: Jo.
Prokuroria: A është biseduar mes jush se si do të ecnit me fitimin përpara se shoqëria të krijohej?
Delijorgji: Vetëm në momentin e themelimit të shoqërisë.
Prokuroria: Ku do të qëndronte kontributi juaj në shoqërinë “Albademil”?
Delijorgji: Kontributi im ishte financimi infrastrukturor i zyrave dhe kapanoneve, ndërsa Henri do të sillte makineritë, teknologjinë e specialistët.
Prokuroria: Cili ishte shkaku që kontributet tuaja ishin 67% dhe të Henrit 33%?
Delijorgji: Sepse e tillë ishte mënyra e financimit. Unë do të financoja gjithë projektin për infrastrukturën dhe kur të vinte malli do t’i jepja lekët për të paguar MEICO-n.
Prokuroria: Si u vutë në dijeni për ngjarjen?
Delijorgji: Unë ndodhesha te kompania tjetër ku isha administrator. Më mori Dritan Minxolli në telefon dhe më tha që kishte rënë zjarr. U nisa direkt me shoferin dhe 200 metra larg fabrikës na ka rënë një predhë. Falë Zotit nuk pësuam gjë.
Prokuroria: Cili ishte qëllimi i krijimit të shoqërisë?
Delijorgji: Qëllimi i biznesit ishte fitimi, punësimi dhe pagimi i taksave për shtetin.
Prokuroria: A fituat?
Delijorgji: Jo, humba.
Prokuroria: Po Patrik Henri?
Delijorgji: Ai mbase ka fituar.
Prokuroria: A e keni takuar Sokol Ngjecin në Gërdec?
Delijorgji: Sokol Ngjeci nuk ishte i punësuar në Gërdec. Ai ishte përfaqësuesi e ndërmarrjes “MEICO”. Puna e tij ishte të përzgjidhte mallin nëse kishte përbërje tunxhi apo çeliku. Kjo bëhej që të mos vinte ndonjë ngarkesë gabim dhe të kthehej mbrapsht. E kam takuar në Gërdec. Jemi përshëndetur.
Prokuroria: Po në lidhje me demontimin?
Delijorgji: Unë nuk kisha lidhje, nuk kisha asnjë kontratë me shtetin shqiptar. E kishte vetëm SAC-i edhe procesin e demontimit, edhe përgjegjësitë e tjera. Unë nuk di gjë.
Prokuroria: A keni qenë prezent në dhjetor të vitit 2007, kur u eksperimentua demontimi i shtimjeve 100 mm?
Delijorgji: Nuk dua t’i përgjigjem në këtë moment kësaj pyetjeje. Do të përgjigjem kur të pyetem si administrator i shoqërisë “Albademil”.
Prokuroria: Thatë më lart që kishit njohje me Ylli Pinarin. Ç’marrëdhënie keni pasur?
Delijorgji: Unë e njoh që në vitin 2002 e në vazhdim. Kam pasur marrëdhënie pune me të.
Prokuroria: Nga analizimi i tabulateve telefonike që ndodhen në dosje duket që keni pasur kontakte të shpeshta gjatë periudhës 2007-2008. Cila është domethënia?
Delijorgji: Po të shihni telefonatat, edhe më parë kanë qenë të shpeshta, pasi kisha probleme të shumta përsa i përket zbatimit të kontratës së skrapit, ku unë isha në cilësinë e administratorit të “Përparimi” sh.a.
Prokuroria: Sa ishte investimi juaj në Gërdec?
Delijorgji: Nuk kam bërë asnjë investim si Mihal Delijorgji, por si kompani.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











