Del udhëzimi, si të aplikoni për në universitet italiane

Jun 1, 2012 | 14:04

Publikohen procedurat që duhet të ndjekin studentët shqiptarë për t’u pranuar në universitetet italiane. Ambasada e shtetit fqinj njoftoi dje se udhëzimet për vitin akademik 2012-2013 janë gati. Në to saktësohen edhe datat e regjistrimit, që do të jetë në dy faza. Studentët duhet që në fazën e parë të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit. “Dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasadës Italiane, duke caktuar takim nga data 4 deri në datën 20 qershor 2012, për të sjellë dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit ‘Prenoto online’ në faqen e  internetit të kësaj ambasade”, thuhet në udhëzim. Më pas, nga data 1 deri në datën 31 korrik, do të dërgohet përmes korrierit “Albanian Courier”, dëftesa e pjekurisë (ose diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet.
Dokumentet
Në udhëzim jepet lista e dokumenteve që duhen dorëzuar në dy fazat e regjistrimit. Dokumentet e lëshuara nga institucionet shqiptare duhet të jenë të legalizuara. Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar. Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar
Faza e parë
Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit “Prenoto online”, të faqes së internetit të ambasadës, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet universitare”. Takimi mund të caktohet edhe përmes call center-it, në numrat 0900 404 3000 (nga telefonat fiks) dhe 0900 404 4000 (nga telefonat celularë). Takimet mund të caktohen nga data 4 deri në datën 20 qershor 2011.
Faza e dytë
Nga data 1 deri në datën 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim, duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes “Albanian Courier”, dëftesën e pjekurisë ose diplomën universitare të apostiluar (nëse nuk janë dorëzuar në fazën e parë), si dhe dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të “Albanian Courier”.

Dokumentacioni
Faza e parë

Formulari i regjistrimit (Modello A) i plotësuar, por i pafirmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.
Duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare, që nuk do të mund të ndryshohet më pas.

Formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar por i pafirmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

Dëftesa e pjekurisë dhe certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal dhe 2 fotokopje.
Studentët që nuk zotërojnë dëftesën origjinale, do të dorëzojnë një vërtetim nga shkolla që vërteton ndjekjen e vitit të fundit.

Studentët që kanë marrë dëftesën e pjekurisë para vitit 2011, duhet të sjellin edhe certifikatën e Maturës Shtetërore (ose, nëse do ta marrin në verën e 2012-s, një kopje të formularit të regjistrimit në provime).

Studentët e regjistruar në vitin e fundit, që do të marrin dëftesën në verën e 2012-s, do të paraqesin një vërtetim nga shkolla, që vërteton ndjekjen e vitit të fundit. Kopja e apostiluar e dëftesës përfundimtare do të dorëzohet në ambasadë përpara lëshimit të vizës.

Fotokopje e certifikatës së gjuhës italiane të nivelit B2 të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), nga Universiteti për të Huajt i Sienës (CILS) dhe Universiteti “Roma”.

Fotokopje e pasaportës.

2 fotografi për dokument

Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen:
•    Emri dhe mbiemri i studentit
•    Universiteti, fakulteti, dega e studimit
•    Numri i telefonit (celular dhe telefon fiks)
•    Adresa e postës elektronike (e-mail)

Faza e dytë
Dokumentet
Nëse nuk është dorëzuar gjatë para-regjistrimit, dëftesën e pjekurisë apo diplomën universitare të apostiluar në Ministrinë e Jashtme dhe të përkthyer nga një përkthyes i betuar.

Formulari për kërkesën e vizës, tërësisht i plotësuar dhe firmosur, me një fotografi të bashkëngjitur.

Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë

Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale.

Deklaratë për vendbanimin në Itali (në dy kopje):
Në rast qëndrimi pranë një personi privat:
deklaratë strehimi për periudhën 24.08.2012-31.01.2013, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë (p.sh., nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit).

Sigurim shëndetësor për udhëtim, i vlefshëm nga data 24.08.2012 deri më 31.01.2013, (në dy kopje).

Faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri, që të vërtetojë derdhjen e pakthyeshme në favor të vetë studentit me vlerë 4.500 euro.

© Panorama.al

Te lidhura