Del Piero e mbyll si kampion: Dua të luaj

May 14, 2012 | 14:39

Sa e bukur, po aq e trishtueshme, sa e buzëqeshur, aq edhe e përlotur! Kështu përfundon sezoni 2011-2012 i Juventusit, kështu përfundon karriera 19-vjeçare e legjendës Alesandro del Piero përpara tifozëve të tij në “Juventus Stadium”. Fati donte që “Pinturikio” ta mbyllte me një tjetër gol kampionatin e tij të fundit si pjesëtar i formacionit torinez, për të përshëndetur në mënyrën më të bukur të mundshme një tifozeri, një qytet që e ka dashur dhe e ka duartrokitur, e ka mbrojtur edhe në momentet më të vështira të karrierës së tij. Ai, por edhe Juventusi, tregoi që janë më të fortët sivjet, të pamposhtur pas 38 ndeshjesh kampionat, sepse në javën e fundit edhe Atalanta është dorëzuar në shifrat 3-1 përpara skuadrës së pathyeshme të Kontes. Momenti më i bukur ishte minuta e 52-të e takimit, kur Alesandro del Piero duhet të lërë fushën e lojës dhe i gjithë stadiumi, të gjitha kamerat, për më shumë se dhjetë minuta harrojnë se në fushë po luajnë 22 futbollistë dhe një ndeshje zyrtare e këtij kampionati. Arena e “Juventus Stadium” është e gjithë për kapitenin e tyre i cili, pasi bën dy xhiro të fushës, përlotet së bashku me më shumë se 40 mijë të pranishmit, deri në momentin e shumëpritur, ngritja e trofeut kampion në qiell dhe festa le të fillojë, nga ora 17:00 e pasdites e deri në agimin e ditës së sotme. Juventusi përshëndet tifozët, Del Piero përshëndet Juventusin, në pritje të finales së Kupës së Italisë më 20 maj.
Fjalët e Del Pieros
“Sot (dje) është një ditë fantastike, por pas ndeshjes pata edhe një zhgënjim total. Një e ardhme si drejtues? Harrojeni, kam gjithë jetën përpara për t’u ulur në një post të tillë, por unë kam lindur për të luajtur futboll, jam ende në formë të shkëlqyer dhe dua të vazhdoj të luaj. E ardhmja ime? Tani më duhet të përgatitem për finalen e Kupës së Italisë”. Në fund, Del Piero as që ka ndër mend të bëjë polemikë me Konten. “Marrëdhënia ime me të është fantastike, e njoh prej shumë vitesh, ndaj është e kotë të kërkoni diçka polemizuese mes meje dhe atij. Ky vit nuk ishte i lehtë për askënd, por nuk dua t’i drejtoj gishtin ndonjërit për këtë gjë, sepse tani dua vetëm të shijoj këtë moment. E ardhmja ime tani për tani është me Konten përkrah, duke festuar me shokët dhe tifozët, të tjerat ia lëmë kohës”, përfundoi ikona e Juves.

Inzagi lamtumirë me gol, Interi jashtë Europës
Ashtu siç ndodh nëpër përralla, na ishte njëherë… dhe Inzagi përgjigjet gjithmonë me gol, vendimtar që dhuron fitoren. Bomberi i pavdekshëm i kuqezinjve dhe i futbollit italian zhvlerëson avantazhin e Novarës, të vulosur nga Garsia në pjesën e parë dhe, 8 minuta nga fundi shënon një nga golat më të bukur të karrierës (për Milanin më parë kishte barazuar Flamini), duke festuar në mënyrën më të bukur ndeshjen e tij të 300-të si milanist, mbase ndeshjen e fundit, sepse Inzagi duket se ka ndërruar mendje për lamtumirën e tij. Gjithsesi, në fund të gjithë në fushë për të përqafuar për herë të fundit disa legjenda të papërsëritshme, nën fjalët prekëse të administratorit kuqezi, Adriano Galiani. Mbase të gjitha këto lamtumira bënë të harrohet edhe zhgënjimi i sezonit, një disfatë e madhe, por asgjë që mund të krahasohet me këtë kujtim melankolik, pas shumë suksesesh që veteranët Nesta, Zambrota, Gatuzo dhe Inzagi i kanë dhuruar popullit kuqezi. Por në fund vjen edhe një surprizë e këndshme, sepse në një deklaratë të tijën Inzagi i habit të gjithë: “Mbase, mbase vendos të mos i jap lamtumirën futbollit, ndihem ende mirë…”. Interi u mund mbrëmë nga Lacio 3-1 duke i dhënë lamtumirën Europës.

© Panorama.al

Te lidhura