Del për të peshkuar, katër ditë i zhdukur

Feb 2, 2012 | 12:15
Peshkatari i zhdukur, Asllan Hasaj

LEZHE – Prej katër ditësh, një peshkatar 48-vjeçar nga Lezha është zhdukur, pasi kishte dalë i vetëm në det të hapur. Policia e ka shpallur atë të zhdukur, ndërsa kanë nisur kërkimet pasi dyshohet se ai është mbytur në tentativë për të peshkuar me varkën e tij. Sipas Policisë, shtetasi Asllan Hasaj, 48 vjeç, ka 4 ditë që është zhdukur dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Denoncimi për zhdukjen e tij është kryer nga familjarët 24 orë më pas. Familja shpresonte se ai do të kthehej, pasi edhe pak ditë më parë ai ishte vonuar me shpresën se mund të kapte peshk në orët e vona të natës. Sipas familjarëve, pritja këtë radhë ka qenë më e gjatë, ndërsa ai nuk është kthyer. Burime të Policisë bënë të ditur se kanë kërkuar, por nuk është gjetur asnjë gjurmë. Ata kanë kërkuar në Tale, aty ku sipas familjarëve ai peshkonte përgjithësisht, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të tij, madje as varkën. Besnik Hasaj, vëllai i peshkatarit të zhdukur, u shpreh se Asllani ka dalë para katër ditësh nga shtëpia rreth orës 06:30. “U nis për në bregun e Tales, ku do futej në det për të peshkuar. Por deri tani nuk është kthyer. Kemi kërkuar edhe ndihmën e Policisë së Lezhës e cila ka ardhur, ka marrë denoncimin dhe ka nisur kërkimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, por asnjë gjurmë e tij”, u shpreh ai. Sipas Policisë, është njoftuar edhe Durrësi, pasi dyshohet se dallgët mund ta nxjerrin në kepin e Radonit. Peshkatarët e tjerë kanë deponuar në polici se e kishin parë për herë të fundit Asllan Hasajn, teksa ka pirë kafe katër ditë më parë në një lokal në afërsi të bregut. Ai më pas është ngjitur në varkën e tij dhe ka dalë në det të hapur. Por dyshohet se dallgët mund t’i kenë përmbysur varkën, ndërsa ai e ka pasur të pamundur të dalë në breg. Familjarët kanë deponuar se ai nuk ka pasur as telefon me vete. “Ne i frikësohemi faktit që dallgët mund ta kenë shtyrë drejt thellësisë dhe nuk e kanë lënë të kthehej në breg, pasi edhe sanalli ka qenë i dëmtuar. I bëjmë thirrje Policisë, por edhe shtetit shqiptar të nisin kërkimet edhe në det, edhe në ajër”, u shpreh Besnik Hasaj.               r.n

© Panorama.al

Te lidhura