
Me Italinë, Spanja do të kërkojë të ruajë hapin e një kampioneje të denjë bote dhe Evrope.Do të jetë testi që Del Boske kërkon të vlerësojë edhe një herë tjetër forcën e “Furias” së tij në kolaudimet e fundit në prag të Evropianit të 2012-s. “Italia është Italia. Gjithnjë një skuadër për t’u mundur, por kësaj radhe emrat kanë pak rëndësi, sepse të gjithë i druhen kësaj Spanje. Jemi Kampionë Bote dhe Evrope”, – tha trajneri i Kombëtares iberike, në prag të miqësores së nesërme me “azzurrët”. “Është e vërtetë që janë në një fazë rindërtimi dhe nuk po korrin rezultatet që shpresonin, pas botërorit të fundit, por Prandeli ka ndërtuar një skuadër të denjë për ta fituar si Kupën e Botës, ashtu edhe atë të Evropës”. Ish-tekniku i Realit u shpreh se ishte i lumtur që bënte pjesë në historinë e kësaj përfaqësueseje. “A do të tentojmë një tjetër Kupë Bote? Është shumë larg për të folur. Por unë kam bindjen se Spanja e sotme është në gjendje ta mbrojë trofeun ‘Afrikë e Jugut 2010’. Gjithsesi, përpara kemi Evropianin, ndaj duam që të mbrojmë edhe titullin e 2008-s. Prandaj, miqësorja me Italinë ka rëndësi më shumë për këtë garë”. Ai nuk i kurseu elozhet për lojtarët e tij, ndërsa paralajmëroi edhe një herë tjetër se kombëtarja ishte e unifikuar dhe nuk kishte asnjë përplasje mes lojtarëve të Realit dhe Barcelonës brenda dhomave të zhveshjes. “Besoj se Kasijas është portieri më i mirë në botë. Ndodhet këtu falë punës së jashtëzakonshme që ka bërë në hapat e parë si një profesionist. Ka dhe një familje të mrekullueshme, e cila e ka mbështetur. Sot për sot, për mua është i pakrahasueshëm me asnjë numër tjetër 1. Për sa u përket mesfushorëve, ata janë të shumtë. Ka një rivalitet të madh për një vend në këtë repart. Ishte një fatkeqësi që nuk arrita t’i thërras dot të gjithë. Unë jam një tifoz i Realit dhe Barçës deri në vdekje. Kam kaluar 36 vjet në Madrid, por tani simpatizoj edhe katalanasit. Është e pamundur të më besojnë të gjithë, por ja që është kështu. Nuk ka probleme mes lojtarëve madrilenë dhe atyre katalanas te Spanja. Si mund të shkojë keq Ksabi Alonso me Ksavi Hernandezin apo Iker Kasijas dhe Raul Albioli me Xherard Pikenë? Janë gjëra absolutisht të pakonceptueshme për një nivel të tillë profesionalizmi. Duhet ta ndajmë rivalitetin sportiv nga marrëdhëniet njerëzore dhe profesionalizmin jashtë flamurëve të skuadrave respektive”, – përfundoi tekniku 60-vjeçar.
Çezare Prandeli: Te Italia vendin e ka të sigurt vetëm…De Rosi
Kundërshtari i Italisë, nesër në miqësoren e Barit është një model për t’u ndjekur për teknikun e Italisë, Çezare Prandeli. Është Spanja, Kampionia e Botës dhe Evropës. “Dua të shoh personalitet dhe kurajë për të rikuperuar topin. Dhe më pas ta luajmë atë sipas mënyrës sonë. Sigurisht që Spanja është favoritja për shkak të punës së madhe që ka bërë këto vitet e fundit me ekipet zinxhir. Por kjo ndeshje do të shërbejë pikërisht për këtë qëllim”, – thotë trajneri i Kombëtares italiane, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes. Prandeli sqaroi se synon që edhe në këtë ndeshje të vazhdojë të luajë me katër mesfushorë dhe dy sulmues. “Kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi një fantazist të mirëfilltë në fushë. Do të jetë një lojtar, i cili do shërbejë si pikë referimi dhe do të ketë detyra të përcaktuara, për ta parë më shumë drejt portës kundërshtare”. Fjalë të rëndësishme për sulmuesin e Vilarealit, Xhuzepe Rosi: “Për atë që ka treguar sezonin e fundit se është favorit për të qenë titullar në krahasim me sulmuesit e tjerë. Ndërsa, mesfushori i Romës, De Rosi, e ka vendin të sigurt”.











