Dekretet me 84 vota. Zbulohet kushti i PS për heqjen e imunitetit

Jul 9, 2012 | 13:29
Fatmir Xhafaj

Opozita do të kërkojë që dekretet e Presidentit për gjykatësit e lartë të miratohen me 84 vota, Xhafaj: Duhen 4 javë.

Partia Socialiste do t’i vendosë kushte Partisë Demokratike lidhur me heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe deputetëve. Socialistët do t’u kërkojë demokratëve, që përveç ndërhyrjes në Kushtetutë lidhur me imunitetet, të vendoset edhe votimi me shumicë të cilësuar, me 84 vota, i dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kjo duket se do të jetë pika e madhe e debatit që pritet të rindezë situatën politike në vend, pasi shumica e cilësuar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë do të kërkojë dhe votat e opozitës. Në këtë mënyrë, maxhorancës parlamentare i hiqet e drejta e deritanishme për të votuar anëtarët e gjykatave të larta me shumicë të thjeshtë. Aktualisht, Kushtetuta përcakton zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese me shumicë të thjeshtë, ndërsa shkarkimi i tyre, për rastet e përcaktuara në Kushtetutë, kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit. Rregullimi kushtetues për zgjedhjen e anëtarëve të gjykatave të larta do të bëjë të mundur që edhe opozita të ketë propozimet e saj për këto gjykata.
Imunitetet
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, tha dje për mediat se Partia Demokratike u kthye te propozimi i hershëm i PS-së për të ndërhyrë në Kushtetutë për çështjen e imunitetit. “Më duhet të vlerësoj deklaratën e bërë nga drejtori i Kabinetit të Kryeministrit, i cili shprehu mbështetjen e faktit që kjo nismë e Grupit Parlamentar të PD-së ndjek linjën e arsyetimit të propozimit që ka mbajtur me kohë PS; që imuniteti mund të hiqet në rrugë kushtetuese. E vlerësoj këtë si një reflektim pozitiv të PD-së dhe vetë Kryeministrit. Nga ana tjetër, kjo është një dëshmi e falsitetit të gjithë asaj propagande që ka bërë Kryeministri gjatë kësaj periudhe, atij abuzimi politik lidhur me qëndrimin e PS-së. PS është shprehur disa herë në disa qëndrime publike drejtpërsëdrejti edhe nga kryetari saj, se ne kemi qenë dhe jemi dakord për kufizimin e imuniteteve për zyrtarët e lartë. Por, kemi këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme për ndjekjen e rrugës ligjore, pra përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa kundërshtarët tanë kanë bërë sikur e kanë dashur këtë fakt, por gjithmonë kanë hezituar që ta sjellin një propozim të tillë”, tha dje Xhafaj.
Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve tha se procedura e këtyre ndryshimeve duhet të jetë shumë e kujdesshme, siç edhe parashikohet në dy nene të Rregullores së Parlamentit, pasi nuk kemi të bëjmë me proces ligj-prodhues të zakonshëm në Kuvend.
“Deklaratat e disa eksponentëve të PD-së apo disa eksponentëve të partive të tjera që amendimet kushtetuese duhet të miratohen brenda këtij sesioni, janë thjesht hipokrizi, ose në rastin më të mirë janë njerëz që nuk njohin as Rregulloren e Kuvendit. Në 2008-n ka ndodhur diçka jo shumë e pëlqyeshme. Ka pasur ndryshime kushtetuese përmes një procesi jo shumë të pranueshëm, në një proces po e them paksa blic. Duhen minimalisht 4 javë që të realizohet procesi në rastin më ideal, që do të thotë në rastin që nuk do të kishte fare debat. Mirëpo këtu flasim, edhe njëherë e theksoj, për ndryshimin e Kushtetutës, nuk flasim për ato ligjet që i nxjerr si simitet nga furra qeveria e Sali Berishës”, komentoi Xhafaj.

Propozimet e PS
Ndryshimet në Kushtetutë

Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, kur për të kanë votuar pro të paktën 84 deputetë.

Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, kur për të kanë votuar pro të paktën 84 deputetë.

Imuniteti
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve i ka cilësuar të drejta shqetësimet e nënkryetarit të Grupit të PS-së për imunitetet. “Zoti Braçe është një opozitar model që meriton respektin e të gjithë kolegëve të tij. Ne nuk mund të mendojmë se si do t’i heqim formalisht imunitetin një zyrtari të lartë, por nga ana tjetër duhet të mendojmë se si ta bëjmë prokurorin e Përgjithshëm, se si ta bëjmë sistemin e Prokurorisë shumë më të pavarur, shumë më eficent, shumë më të përgjegjshëm se deri më tani”, tha Xhafaj.

Abdiu: Votimi me 84 vota rrit cilësinë e gjyqtarëve
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese përshëndet nismën

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, tha dje për “Panorama” se e cilëson shumë të nevojshëm mundësinë e votimit të anëtarëve të gjykatave me shumicë të cilësuar. Sipas tij, një votim me 84 vota në Kuvend për dekretet e Presidentit të Republikës do të rrisë cilësinë dhe integritetin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. “Zgjedhja me shumicë të cilësuar, 84 vota, e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë në Kuvend do të forconte dhe misionin e Presidentit të Republikës në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës kreu i shtetit për zgjedhjen e anëtarëve të gjykatave të larta duhet të rrisë bashkërendimin mes grupeve parlamentare për të gjetur një konsensus sa më të gjerë për kandidatët e propozuar prej tij”, u shpreh Abdiu. Për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, një zgjedhje e gjyqtarëve të lartë me 84 vota do të vendosë dhe një logjikë më të përafruar në aspektin procedural, pasi deri tani në formulimin kushtetues, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese zgjidhen me shumicë të thjeshtë dhe shkarkohen me dy të tretat e votave në Kuvend. Por Abdiu e sheh me interes dhe procesin e nisur për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke shtuar se ai duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me grupet e interesit dhe me trupat e gjyqtarëve.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura