Dekorohet polici që vrau shqiptarin në vitin 1997

Jun 2, 2012 | 14:12

ROME – Një efektiv i Policisë italiane, i akuzuar për vrasjen e një shqiptari në vitin 1997, është dekoruar së fundi nga Policia e vendit fqinj. Oficeri i Policisë italiane, Agatino Russo, sipas mediave, u dekorua për meritat e tij profesionale e morale gjatë një operacioni antidrogë të kohëve të fundit. Lajmi është bërë i ditur dje nga gazeta italiane “Corriere della Sera”. Ajo raportoi ngjarjen duke thënë se polici italian është dekoruar edhe pse ndaj tij në të shkuarën ka pasur një pikëpyetje, e madje një akuzë të rëndë për vrasje. Sipas mediave në Itali, në 1997, agjenti i Policisë në fjalë është akuzuar se qëlloi dhe vrau 19-vjeçarin shqiptar Julian Alikaj. Polici italian Agatino Russo, më 2 dhjetor 1997 ishte agjent i Policisë Rrugore. Ai i kërkoi të ndalonte një makine e cila nuk iu bind dhe vazhdoi tentativën për t’i ikur policisë, por gjatë ndjekjes së 19-vjeçarit Julian Alikaj, i cili ndodhej në një makinë të vjedhur, polici e qëlloi shqiptarin për vdekje me armë zjarri. Pas vrasjes së shqiptarit, në Itali u hap një proces gjyqësor. Gjatë deklarimeve para gjykatës, polici italian pranoi autorësinë e ngjarjes, por pretendoi se ishte një aksident. “Qëllova pa dashje sepse u pengova dhe rashë, ndërsa arma u shkrep pa dashjen time”, ka thënë polici. Oficeri Agatino Russo u gjykua për nëntë vjet me radhë, por gjykatësit e Krimeve të Rënda të Bergamos thanë se versioni që dha polici ishte i bazuar dhe i besueshëm, ndaj e pranuan logjikën e ngjarjes aksidentale dhe e konsideruan krimin si të ardhur nga pakujdesia. Polici që vrau shqiptarin u la i lirë. Por, përtej Gjykatës italiane, çështja u trajtua nga autoritetet ndërkombëtare. Në mars të vitit 2011, Kolegji Europian për të Drejtat e Njeriut, pas një ankese të familjes së shqiptarit, vendosi që shteti italian të shpërblejë të afërmit e emigrantit me 155 mijë euro. Sipas hetimeve në lidhje me ngjarjen, vrasja e shtetasit shqiptar ka qenë e pajustifikuar, pasi ai nuk i është kundërpërgjigjur Policisë. Po kështu, i riu nga Shqipëria nuk ka pasur në diskonim armë zjarri apo mjete të tjera të dhunshme.

© Panorama.al

Te lidhura