Dekorohet kirurgu i njohur, prof. Adnan Këlliçi

Aug 24, 2012 | 12:05

Dje gjatë ceremonisë në Ministrinë e Shëndetësisë

Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia, dorëzon dekoratën.

Titulli “Mjeshtër i Madh” për kontributin në shëndetësi.

Kirurgu i njohur i shërbimit të otorinolaringologjisë, prof . Adnan Këlliçi nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka akorduar këtë titull për kontributin e dhënë në fushën e shëndetësisë.
Ceremonia e dekorimit u mbajt dje në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë. Dekorata i është dorëzuar bashkëshortes së prof. Këlliçit, në prani të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo dhe nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Tritan Shehu, nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, u ndal në kontributin e profesor Adnan Këlliçit në shëndetësinë shqiptare dhe veçanërisht në fushën e otorinolaringologjisë.
“Sot, Presidenti i Republikës nderon shëndetësinë shqiptare dhe një nga figurat e saj të shquara, prof. Këlliçin. Është i pamohueshëm roli i tij nga ana shkencore, pasi ka formuar breza të tërë profesionistësh si studentë, ashtu dhe specializantë, duke përgatitur tekste mësimore dhe cikle leksionesh për shkencat bazë dhe ato të aplikuara të ORL-së. Formimi i tij në specialitetin ORL ishte i gjithanshëm, duke dhënë kontribut të madh në zhvillimin e kirurgjisë së kokës dhe qafës. Ishte kirurg me intuitë dhe përsosi shumë prej teknikave kirurgjikale në fushën e otorinolaringologjisë”, tha Tavo. Duke e cilësuar prof. Këlliçin si një nga kolonat e shërbimit ORL, ministri u ndal ndalur në disa pika kyçe të karrierës së profesorit.
“Profesor Adnanit i përket merita e pamohueshme e hapjes për herë të parë të shërbimit ORL në Spitalin Rajonal të Beratit, si dhe kryerja e shumë ndërhyrjeve specifike në nënspecialitete të ORL-së. Nga 1992 deri në 2003-shin ai ka drejtuar shërbimin e ORL dhe njëkohësisht departamentin ORL-okulistikë. Të gjithë ne kemi ende për të mësuar nga puna e prof.Këlliçit”, shtoi Tavo.

Dekorata i dorezohet bashkeshortes
Mes emocioneve, bashkëshortja e profesorit të njohur, Lavdie Këlliçi, falënderoi shtetin shqiptar për këtë vlerësim të madh dhe të gjithë kolegët e prof. Këlliçit. “Një falënderim të veçantë do të përcillja për Kryeministrin e vendit, i cili dhe si koleg i vjetër i Adnanit i është ndodhur afër dhe është interesuar në mënyrë konstante për shëndetin e tij, duke gjetur kohë fizike dhe ta vizitojë atë nga afër”, tha zonja Këlliçi.

© Panorama.al

Te lidhura