TIRANË- Në kuadër të luftës kundër korrupsionit komisionet parlamentare kanë gati për shqyrtim dy projektligje, amendimin për deklarimin e pasurive të zyrtarëve dhe ai për konfliktin e interesit. Gjatë një konference për shtyp, ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka bërë me dije se shtohen sanksionimet por shkelësit, zgjerohet lista e atyre që detyrohen ligjërisht të deklarojnë pasuritë dhe rriten kompetencat e ILDKP-së.
“Ndërkohë që ligji aktual kërkon deklarimin e familjarit të zyrtarit kjo në shumicën e rasteve nuk është bërë. Projektligji sanksionon ndëshkimin për shkelësit dhe deklarimet e rreme, përcaktohet detyrimi për cdo shpenzim mbi 5 milion lekë të vjetra që ILDKP do i kontrollojë përfshirë dhe shpenzimet jashtë vendit, përcaktohet personi i lidhur me zyrtarin që i nënshtrohet kontrollit, bashkëjetuesi dhe i besuari që administron pasuritë”- tha Pollo.
Sipas tij, në këtë listë shtohen edhe drejtorët në nivel qarku, atë të arsimit, shëndetësisë etj.
Sa i takon ligjit për konfliktin e interesit, përfshihen drejtuesit pushtetit vendor dhe shtohen kompetencat e ILDKP.
© Panorama.al












