Dekanët e rinj të UT, sot zyrtarizohen kandidaturat

Feb 3, 2012 | 11:25

Formula e zgjedhjeve. Kush voton për rektorët e dekanët në fakultete

Lista përfundimtare e kandidatëve që do të garojnë për postet drejtuese në fakultetet e Universitetit të Tiranës pritet të dorëzohet sot në Rektorat. Ndërkohë, një pjesë e mirë e profesorëve që garojnë për dekanë dhe shefa departamentesh kanë shpallur tashmë programet e tyre. Më 20 shkurt do t’u drejtohen kutive të votimit stafi akademik i punësuar me kohë të plotë në universitet, personeli joakademik i punësuar me kohë të plotë dhe studentët. Vota këtyre të fundit ka peshë në masën 20%, sipas formulës që përcakton ligji për shpalljen e fituesve. Në masën 75% vlerësohet vota e personelit akademik të institucionit, ndërsa stafi joakademik ka peshë në masën 5%. Pedagogët e jashtëm, të cilët janë të punësuar part-time, nuk do të kenë mundësi të votojnë. Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoritetit drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati që është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoritetit drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%. Kur asnjë kandidat nuk rezulton fitues sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje, brenda dy javësh nga dita e votimit zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve me rezultatin më të lartë. Në raundin e dytë shpallet fitues kandidati që arrin rezultatin më të lartë. Data e zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve caktohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Në rastet kur në listat e kandidatëve për anëtarë të Senatit Akademik, Këshillit të Administrimit dhe Këshillit të Fakultetit, kandidatët e renditur brenda numrit të parashikuar të anëtarëve kanë numër të barabartë votash, kandidati fitues zgjidhet me short.
“Në rast se nuk paraqitet asnjë kandidat për një post të caktuar autoriteti drejtues, zgjedhjet për këtë pozicion përsëriten pas një periudhe një vjeçare”, thuhet në rregullore.

Formula
.  Staf akademik me kohë të plotë 75% të votave

.  Staf joakademik me kohë të plotë 5% të votave

.  Studentët 20% të votave

© Panorama.al

Te lidhura