“Dëgjonim këngë italiane, shpesh bënim zhurmë”- Hotel “Donika”, vendi i njohjeve, takimeve të fshehta dhe dashurive të mëdha të sportistëve! Ja rrëfimet

Jul 2, 2025 | 12:21

hotel donikaUVIL ZAJMI

Me një emër pak të veçantë “Donika”, ai nuk ka qenë thjesht një hotel për familjarë, por ai i ka shërbyer të gjithëve. Tejet nostalgjik i brezave, qytetarëve kryeqytetas, por edhe atyre të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Në qendër, në bulevardin kryesor të Tiranës, një motiv më shumë për t’u frekuentuar. Por ajo për të cilën do rrëfejmë, i referohet lidhjes së këtij hoteli, me sportin. Madje tejet i rëndësishëm ndër vite, me një funksion unik edhe në këtë drejtim, si hoteli i ekipeve, klubeve, kombëtareve në grumbullimet përballë sfidave kolosale të kohës.

Në një mjedis modest të tij janë projektuar taktikat, janë shpallur formacione, janë bërë analizat, për të marrë më pas rrugën për në “Qemal Stafa”, apo pallatin e sportit, e ndeshur me kundërshtarët europianë, të privilegjuar e të sistemuar në “Dajti”. Nga “Donika” e kanë startin fitoret 1-0 ndaj Danimarkës, barazimet 1-1 me Irlandën e Xhorxh Bestit, dhe ai historik 0 0 me Gjermaninë Federale. Ndeshjet e mëdha me Holandën, Zvicrën, Jugosllavinë, humbja 0-1 me Gjermaninë e Bekenbauerit, Mylerit, Shneligerit, apo fitorja 3-0 me Turqinë. Bashkë me barazimet epokale të “17 Nëntorit” me “Standaratin” e Liezhit dhe Ajaksin e Johan Krujfit. “Donika” kujtohet edhe si hoteli i njohjeve, takimeve klandestine, dashurive të mëdha të sportistëve, për listat “dramë”. Gjithashtu, për tifozët, dhe për pak dollarë. Një rrëfim i rrallë, e i pa treguar, deri diku edhe e harruar.

PAK HISTORI

Hotel “Donika”, e ndërtuar në kohën e Italisë, me një strukturë të atij stili, në vijim të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”, ngjitur me Cirkun, Kinema verore “Partizani”. Një ndërtesë trekatëshe, me dhjetë dhoma, në secilin kat, të dytë e të tretë më shtretër. Dhomat ishin pa banjë, vetëm me një lavaman, ndërsa në fund të korridorit ishte banjë e përbashkët. Brenda saj edhe një vaskë e mbetur nga koha e Italisë, për të bërë banjë, por që nuk përdorej. Dhomat me pamje nga bulevardi, kishin edhe me një ballkon. Kati i parë, ishte restoranti, ndërsa në të dytin, bashkë me dhomat ishte edhe një lozhë (kështu e quanin). Vetëm me një hyrje të madhe ballore për në hotel dhe një tjetër për në restorant, pasi nuk kishte komunikim të brendshëm ndërmjet tyre. Përdorej, frekuentohej nga të gjithë, sidomos të ardhurit në Tiranë ata ditorë ose për pak ditë, dhe për familjarë të sapo martuar në pritje për të marrë apartament, qëndronin provizorisht aty. Një hotel ku gatuhej mirë. Shërbente për evenimente festivë, dasma, etj., me muzikë, orkestër, dhe një këngëtar, kryesisht në fundjavë.

“DONIKA” E SPORTISTËVE

Tirana kishte edhe hotele të tjera, si “Internacionali”, “Vollga”, “Vjosa”, “Peza”, “Dajti”, por, fama e “Donikës” ishte e lidhur për misionin, traditën marrëdhëniet e krijuar edhe me sportin. Fotografi Nikolin Baba, kujton: “Përballë hotelit ishte fusha e zezë, “Spartak” quhej. Aty stërviteshin paradite, ekipet e grumbulluar në hotel “Donika”. Topat, materialet, i linin te shtëpia ime, pasi e kishim ngjitur me fushën, që sot mundet të ketë qenë te pellgu i shkollës “Sami Frashëri”. Në vitet 60-të, hotel “Durrësi” në krye të Bulevardit, djathtas, sot Hotel “Tirana International” është përdorur kryesisht nga futbollistët e “17 Nëntorit”. Ndryshe ekipet, arbitrit e ardhur në Tiranë sistemoheshin në hotel “Adriatik” në Rrugën e Kavajës, Hotel “Vjosa”, në fillim të rrugës së Dibrës, hotel “Tirana përballë Mapo-s, më pak te “Internacionali”, “Vollga”, kurse hotel “Dajti”, ka shërbyer vetëm për ekipet, arbitrit e huaj. Më pas për sportistët kanë funksionuar edhe Arbana e Arbëria. “Donika” ka qenë hoteli më klasik, i ekipeve kombëtare në futboll, në lojërat me dorë, në grumbullimet në prag të takimeve ndërkombëtare, kur ato do të zhvilloheshin në Tiranë, si dhe klubin e “17 Nëntorit”, futbollin e lojërat me dorë. Prenotohej dhe askush tjetër nuk mund të qëndronte, flinte aty, vetëm në raste të rralla edhe persona të tjerë.

HOTELI I SFIDAVE KOLOSALE

Nga ai hotel e kanë zanafillën takimet e mëdha të kombëtares, nga fitorja e parë historike 1-0 me Danimarkën, dhe dy barazimet e famshme 1-1 me Irlandën e Veriut, dhe 0-0 me Gjermaninë Perëndimore. Por edhe mjaft ndeshje si ato me Holandën, Zvicrën, Jugosllavinë e Xhaicit, deri edhe humbja 0-1 me Gjermaninë e Bekenbauerit, Mylerit, Shneligerit. Për të ardhur te barazimi 1-1 me Poloninë, fitorja3-0 me Turqinë, ajo 1-0 me Finlandën bashkë me dy humbjet fatale, ndëshkuese me Rumania dhe RD Gjermane me shifrat e thella 4-1, pas të cilave do vijë ajo vetëndarje, vetëshkëputje, vetëlargim 7-vjecar i futbollit me Europën. Ky do të jetë sipari, ai i lidhjes shumëvjeçare e ekipit përfaqësues me hotelin tij, “Donikën”. Në hollin, mjediset e tij tejet modest, Zyber Konci, Loro Borici, Myslym Alla, Ilia Shuke, ashtu thjesht me mjete rrethanore kanë projektuar strategjitë e përballjeve, skemat, kanë shpallur formacionet. Pikërisht në ato mjedise Lym Alla ka ideuar mënyrën e lojës ndaj “Standarat”, “Liezhit” dhe “Ajaksit” të Amsterdamit për të regjistruar barazimet e papërsëritshme. Nga ai hotel, me një autobus modest, shoferët e paharruar dhe drejt “Qemal Stafës”. Për t’u rikthyer sërish te “Donika” në përfundim të tyre Nga ai hotel kanë marrë rrugën për në pallatin e sportit “Partizani”17 Nëntorit në volejboll me vajza në Kupën e Kampioneve, 1969 ndaj Fenerbahces, dhe në basketboll, ato të djemve në sfidat e paharruar ndaj Zadarit, Jugoplastikës, Zvezdës.

ME NJË KASETEFON FSHEHURAZI

Shumë sportistë një pjesë të karrierës, kujtimeve e kanë të lidhur dhe me hotel Donikën. Të grumbulluar me ekipin kombëtar U17 për një turne në Kinë, Edmond Gëzdari ish-futbollisti goleadori i Shkëndijës, “17 Nëntorit”, “Shkëndijës” rrëfen: “Korrik 1974, një muaj aty, stërviteshin paradite, në mesditë, mbrëmje i kalonim në dhomat e njëri-tjetrit. Babai më kishte sjellë një kasetofon, disa kaseta nga jashtë shtetit, dhe me të dëgjonim këngë italiane. Shpesh krijonim zhurmë, vinte trajneri Refik Resmja, na bërtiste. Kujtoj se aty improvizonim “Tutto il calcio minuto për minuto”, emision radiofonik shumë i ndjekur çdo të diel nga ne. Kreshnik Agolli imitonte nga studio qendrore drejtuesin Roberto Bortoluzin, ndërsa ne grupi nga pas krijonte zhurmë fallso duke i rënë karrigeve me duar si në stadium. Pas dëgjohej Sul Starova që imitonte Enriko Amerin. Me zërin e trashë të Sandro Cioti isha unë. Arjan Bakiri imitonte Alfredo Provencialin, Il Metani Enzo Folianezen, etj. E regjistruam, e pata ruajtur shumë vite më vonë, por humbi kasetofoni, me të edhe kaseta. Në ato dhoma dikush këndonte Celentanon, një tjetër Xhani Morandin, dhe i incizonim. “Shejtanë, çfarë po bëni”- na bërtiste trajneri Thanas Jance. Por edhe filmat janë ndjekur nga ai hotel, sepse mbrapa tij ishte kinema verore “Partizani”. Keshnik Agolli kujton: “Shihnin filmin, “Rrugë të bardha”, sapo kishte dalë. Ora 20-22 kur shfaqej. I patëm mësuar përmendësh dialogët. Me Lida Cangonjin, vajza e tezes e Mond Gezdarit dhe Rikard Ljarjen”.

HOTEL “DONIKA” I LISTAVE “DRAMË”

Në atë hotel, në njërin nga mjediset e tij, një apo dy ditë para nisjes për jashtë shtetit, nga të gjithë, sportistë, drejtues, trajnerë pritej me padurim, ankth, leximi i “listës”, siç edhe është njohur. Por çfarë ishte ajo listë, çfarë përfaqësonte, pse ishte që shumë e rëndësishme, e që përcillte aq tension, emocion, që kishte lidhje direkt me sportistët? Kush e ka përjetuar ato kohë, ato prag nisje për ndeshjet jashtë vendit e kupton, e di mirë çfarë ngjarje ishte momenti i leximi i saj: Kënaqësi për disa, e kundërta “dramë”, mërzitje, dëshpërim, për të tjerët. Mjaftonte çasti i leximi të saj para skuadrës, kur i ardhuri nga klubi, ministria, në pak minuta në një sallë të hotel “Donikës”, do shpallte emrat e lojtarëve, trajnerëve, që do të niseshin jashtë shtetit. Ata që nuk e kishin emrin në listë, do të qëndronin në Tiranë. Ishte vërtet e vështirë, një shok psikologjik i jashtëzakonshëm, dhe ata që nuk figuronin në listë, ishin të detyruar ta braktisnin “Donikën”, të ktheheshin në shtëpi, në qytetin e tyre, duke marrë pas edhe fjalët, thashethemet, e mos vajtjes. I gjithë opinion informohej menjëherë pas leximit të saj. Sa herë është lexuar ajo listë ankthi në Hotel “Donika”.

KUR NJOFTOHEJ POLICIA

Ankesa sistematike, pa fund nga familjarët e pallatit përballë, atyre që janë edhe sot, kur sa herë në Donika grumbulloheshin ekipe sportivet e para që njoftohej, që ishte kthehej në një problem madhor, me sportistët, veprimet e tyre, me futbollistët kryesisht protagonistë. “Të shqetësuar, familjarët e pallateve akuzonin se sportistët dalin me mbathje në ballkon. Sipas tyre, nuk ishte normale, jo vetëm për banorët e ndërtesave përreth por si bulevardi kryesor, njerëz që lëvizin, dhe me veprime të tilla, ata bënin figurë jo të mirë. Këreksa arrinte në nivele të larta, deri në rajonet e policisë, të cilët dërgonin agjentët e tyre për të marrë masa. Ish-sulmuesi i njohur I Shkëndijës, 17 Nëntorit, Luan Metani kujton: “Duke qenë se pamja ballore, e hotelit, dhomat e katit të dytë ishin me ballkone, sportistët për të tharë rrobat sportive i vendosnin aty. Në periudhë verë ne qëndronim, dilnim në ballkon edhe me mbathje. Ose kur dikush në thërriste, nga rruga, që i shqetësonte familjarët përballë. Vinin te sportelisti, ankoheshin, njoftoheshin trajnerët, na jepnin urdhër, por verë, vapë, pa asnjë mjet freskues, ishim të detyruar rrinim në ballkon. Po kështu edhe në mbrëmje, kur kishte fluks kalimtarësh, qëndronim në ballkon edhe për të komunikuar me miq, të njohur. Grumbullimet ishin të gjata, kushte minimale”-shprehet Metani.

HOTELI I MIQËSISË, ANALIZAVE DHE I FILMAVE

Nga “armiq” në fushë, miq në atë hotel. Rivalë, kundërshtarë në ndeshje të rivalizuara, të tensionuara të kohës, së bashkë në kombëtare, dhe në një dhomë në hotel Donika. Futbollistë, basketbollistë, trajnerë, secili prej tyre, të paktën një natë, ka pasur mundësinë të jetë klient i atij hoteli. Të ngjisë, e të zbresë shkallët e tij. Në atë mjedis të vogël, pa kushte trajnerët Loro Boriçi, Lym Alla, Ilia Shuke, Zyber Konci, Refik Resmja i kanë zhvilluar analizat para ndeshjes, ndonëse sportistët i ndante një fushë, një rrjetë, një tabelë, në grumbullime i bashkonte ajo dhomë, ai korridor, ai restorant, ajo sallë, ajo derë nga hynin e dinin së bashku. Po kështu edhe për lojtarët e marrë “hua” Pano i Partizanit i marrë nga “17 Nëntori” ndaj “Standartit” në atë hotel ka qëndruar. Duke qenë se mbrapa tij ishte kinema verore “Partizani”, dhomat, ballkonet e “Donikës”, kanë shërbyer si ballkone, llozha për të ndjekur edhe filmat që shfaqeshin aty. Ben Bukoviku, rrëfen: “Unë zakonisht e kisha dhomën nga ajo anë dhe çdo mbrëmje ajo mbushej nga futbollistët për të parë filmin”. Ndërsa Kreshnik Agolli kujton: “Shihnin filmi, “Rrugë të bardha”, sapo kishte dalë. Ora 20-22 kur shfaqej. I patëm mësuar përmendësh dialogët. Me Lida Cangonjin, vajza e tezes e Mond Gezdarit dhe Rikard Ljarjen”. Po në atë hotel janë realizuar regjistrimet e filmit “Shtigje lufte”.

“DONIKA” E HISTORIVE ROZË

Ai hotel ka përjetuar edhe mjaft histori rozë të sportistëve, dashuritë e mëdha, të bujshme, shumë prej tyre aty e ka pasur zanafillën aty. Deri edhe ato klandestine, takimet në fshehtësi, me protagonistë edhe ato ballkone, atë hotel me emrin “Donika”. Shumë sportistë aty tek ai hotel i kanë njohjet, fillimet, shkëmbimet e para të njohjeve, me vajzat, bukuroshet e Tiranë. jo vetëm, edhe me ato të qyteteve të tjera ë vinin për t’i takuar. Në darkë, si një xhiro, paradë demonstruese, kalonin vajzat, në pritje dhe me shpresën për të parë të dashurin, të preferuarin, sportistin e tyre që ishte i grumbulluar te “Donika”. Nuk kanë munguar edhe largimet fshehurazi të lojtarëve, takimet qëndrimet me vajzat, të dashurat, të fejuarat dhe pastaj kthimi në hotel, mundësisht pa u parë nga trajnerët. Deri edhe nga rrethet, vajza që vinin me tren, apo mjete të tjera udhëtuese, mjafton disa çaste, vetëm për ta takuar, parë dhe shkëmbyer shikime, me të preferuarit, simpatizantët-sportistë të grumbulluar aty. “Donika” ka qenë dhe mbetet një hotel i pasioneve pa limite, një imitim në miniaturë e “Kleinhof Hotel” nisur nga filmi i njohur i xhiruar në Berlin, një hotel me të njëjtin emër.

TIFOZËT DHE PËR NJË DOLLAR MË SHUMË

Të qenit në një rrugë kryesore, në qendër të kryeqytetit, hotel “Donika” ishte një pikë e fortë takimi, qëndrimi edhe për tifozët, ata pasionantë, por edhe për familjarët e futbollistëve. Jo vetëm për ata që banonin, jetonin në Tiranë por edhe për të afërm që vinin nga qytete e tjera. Për të takuar sportistët, për të marrë një biletë prej tyre, në prag të ndeshjeve. Por edhe për pak kontrabandë. Pikërisht në atë hotel, sportistët këmbenin, merrni valutën e ndaluar, sigurisht fshehurazi, kur në mjediset e tij. Gjithmonë para nisjes për një takim jashtë shtetit, aty shfaqeshin ata persona që kishin mundësinë e sigurimit në tregun e ndaluar të valutës, dollar, apo monella floriri, apo “gjeli”, ndonëse një proces I tillë ishte e ndaluar me ligj. Por, sportistët, artistët, ishin ata që e kanë qarkulluar, përdorur valutën e huaj, pasi ishin të vetmit që kishin mundësinë të dilnin jashtë shtetit.

ÇIFTI ZAÇE, SË BASHKU TEK AI HOTEL

1974, në hotel “Donika”, janë dhe bashkëshortët Zaçe, Kushtrimi me ekipin kombëtar në përgatitjet për EK Europian, në RFGjermane, ndërsa Marjeta, volejbolliste me përfaqësuesen vajzave, për në K Ballkanik, në Greqi. “Është periudha që ka shpërthyer një fushatë e ashpër e luftës së klasave e ndërsa po afrohet data që ekipi i djemve të niset, Kushtrimin dhe Bert Kuqon i kanë thirrur në një dhomë të hotelit dhe pa asnjë motiv i kanë komunikuar se nuk do të shkonin. Disa ditë më vonë edhe unë u largova nga hoteli, u ktheva në shtëpi. Një ndër arsyet ishte se dy njerëz të një familje nuk mund të udhëtonin në të njëjtën kohë jashtë shtetit. U gjet si justifikim”-shprehet Marjeta.

NGA ILJAZ CECO TE FARUK SEJDINI

“Grumbullimin e parë te ai hotel e kam kur isha 17-vjec, kundër Holandës, më 1964 në një dhomë me Qemal Maliqatin. Gjithashtu me Gjermaninë dy herë, Jugosllavinë, Poloninë. Po kështu edhe me 17 Nëntorin ndaj Ajaksit, me Mehdin Zhegën në një dhomë që bashkë me Gani Xhafën u morëm përforcim. Të privilegjuar ishin ata me dhomat nga bulevardi. Për lojtarët e Tiranës, ishte një mjedis i njohur, pasi aty grumbulloheshin, njiheshin deri edhe me pastrueset. Për të ngrënë për sportistët shpesh përdorej lozha në katin e dytë, ku shtroheshin tavolinat. Aty shërbente kamerier, Bajrami, i paharruar. Gatuhej mirë, 250 lekë dita e kishim, na jepnin bono. Analizat i zhvillonim në një sallë të katit të parë. Familjarët vinin për të na takuar, por nuk futeshin. Ishte një recepsionist, që nuk i lejonte”,-rrëfen Iljaz Ceco, futbollisti i njohur i Dinamos, kombëtares. Ndërsa Faruk Sejdini, mbrojtësi i Dinamos, përfaqësueses kujton: “Me kombëtaren, në dhomë qëndroja me Ilir Përnaskën, Gani Xhafën si dinamovitë. Shofer ka qenë i paharruari, Estrefi, me autobusin e “Partizanit”. Na priste dhe nga ai hotel, jemi nisur për në stadium, kemi barazuar 1-1 me Poloninë, fituar 3-0 me Turqinë”.

NGA ROLAND TOPALLI TE AHMET SHQARRI

Ndërsa Roland Topalli, ish -basketbollist i njohur i “17 Nëntorit” dhe i kombëtares, i rikthehet hotel “Donikës”, kur shprehet: “Aty jemi grumbulluar në takimet ndërkombëtare për Kupat e Europës, me “Zadarin”, “Jugoplastikën”, “Zvezdën”. Edhe me ekipin kombëtar, ku pjesa më e madhe e lojtarëve ishin nga “Partizani” e “17 Nëntorit”. Donika për ne lojtarët e “17 Nëntorit”, basketbollistë e futbollistë ishte si shtëpia jonë e dytë. Në dhomë qëndroja me Gavrosh Lëvonjën. Ushqim i bollshëm, dorëzonim një letër si bono. Lidhur me atë hotel, edhe gazetari mirënjohur Ahmet Shqarri, ka një detaj: “Isha i ri, punoja në Radio Tirana, ka qenë shtator 1970, para takimit 17 Nëntori-Ajaks, me një magnetofon në krah, kam vajtur në hotel “Donika” për të bërë një intervistë, ku ishte ekipi i “17 Nëntorit”. Ngjita shkallët në katin e dytë, në një dhomë, ku ishin të gjithë lojtarët, trajneri Alla po zhvillonte analizën. I befasuar, nuk më njihte, reagimi i tij ishte pak ashpër:”Gjalo ktheu nga ke ardhur”- më tha. Nuk bëra fjalë, dola. Një episod që më rikthen te ai hotel, te një intervistë e pa realizuar”.

NGA JANI RAMA TE ASTRIT ZIU

Jani Rama, portieri i Dinamos, i kombëtares, me atë hotel, ka një moment të paharruar. Ishim të grumbulluar për ndeshjen me Gjermaninë, atë të dhjetorit 1967. Dy ditë para takimit, në stadiumin Dinamo, kohë e keqe shi, në fund të stërvitjes, duke pritur një top, u përplasa me shtyllën. U dëmtova rëndë, pas urgjencës në hotel “Donika”, ku më kanë dhënë ndihmën mjekësore që të luaja, por ishte e pamundur. Në vendim tim u aktivizua Dinella. Ishim të dy portierë të Dinamos, rrinim në një dhomë”. Ndërsa Astrit Ziu, mbrojtësi i “Partizanit”, Kombëtares, ka një moment historik. “Një ditë para ndeshjes me RFGjermane, atë të shkurtit 1971, të grumbulluar te “Donika”, në korridorin e tij, Loro Boriçi më tha: “Ziu, përgatitu, nesër do të luash. U befasova, nuk e prisja, sepse mbrojtës i majtë ishte Gëzim Kasmi. Kur ditën e ndeshjes, në hollin e “hotelit kur ai deklaroi formacionin besova. Për mua ajo ndaj Gjermanisë më 1971, ka qenë dhe mbetet ndeshja e karrierës, gjithçka e nisur, projektuar te hotel “Donika”.

ARBEN ÇELA, ASTRIT NALLBANOI,

“Në atë hotel për herë të parë jam grumbulluar me “17 Nëntorin” ndaj “Standartit” më 1969, në turneun në Rumani dhe me Ajaksin. Në dhomë kam qenë me Lulzim Shalën, Gëzim Kasmin. Isha i ri, shkoja ku më thoshin. Kujtoj se analizat i zhvillonim në korridorin e katit të dytë. Në një tavolinë, trajneri bënte skemat me gurët e tavllës. Te “Donika” nuk kishte lavanteri, rrobat tona, secili i lante në shtëpinë e tij. Çdo mëngjes shkonim te Parku i Madh, bënim gjimnastikë, ndërsa në mesditë te “Qyteti i Nxënësve”. Me një autobus Robur, me shofer Safetin. Në mbrëmje ne dhoma, luanim me letra apo tavëll. Nuk kishte televizor, pak muzikë nga radioja. Për pije alkoolike as që bëhej fjalë. Në një rast Lym Alla, ia hoqi shishen e birrës nga goja Ali Memës, që nuk pinte kurrë. Ishte shumë rigoroz, në këtë drejtim. Vetë flinte në shtëpi se e kishte afër, ndërsa Enver Shehu me futbollistët te “Donika”. Një dhomë edhe për ndihmës mjekun Osman Metanin. Kurse Astrit Nallbani, ishportieri , “Xof-i” i Tiranës siç edhe është njohur në mesviteve 70-80-të rrëfen: “Për Kupën Ballkanike, 1975, ishim te “Donika” Si përforcim patëm marrë disa lojtarë, ndër to edhe të mirënjohurin Ilir Përnaska, golashënuesin e Dinamos. Kishte kënaqësi kur luante me ne. Kujtoj se në mjediset e “Donikës” mbante fanellën e “17 Nëntorit”. Ndaj Radnickit, ai realizoi katër gola, në foltoren 6-0 të ekipit tonë. Një rekord i papërsëritshëm për të, historinë dhe që i shënoi me fanellën e “17 Nëntorit”. Me start nga hotel “Donika”.

GRUMBULLIMET E SKUADRAVE

Kryesisht para të takimeve ndërkombëtare, klube, ekipet përfaqësuese, krahas grumbullimeve klasike, në konvaleshencat në Durrës, ato Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, “Donika” ka qenë hoteli më klasik, në prag të takimeve, kur ekipi duhet të ishte në Tiranë. Veçanërisht në periudhën e viteve 60-70 ai ka qenë më i frekuentuari, ku janë sistemuar ekipet. Për t’u nisur më pas për ndeshje. Nga ai hotel kanë marrë rrugën për “Qemal Stafa”, “Partizani”, “17 Nëntori”, kombëtarja. Jo vetëm ato të futbollit për edhe të lojërave me dorë. Dhe në ndeshje të mëdha, epike, që edhe Hotel “Donika”, ka pjesën e saj, në ato përballje historike. Ndonëse në takimet e rëndësishme në kampionat, skuadrat shfrytëzonin mjediset e tyre, ato pranë klubeve, për ndeshjet ndërkombëtare kanë preferuar, “Donikën”, hotelin që i ka shërbyer në pafundësi.

Në mjediset e tij kanë fjetur, janë trajtuar emrat, legjenda, lojtarë, trajnerë, aty janë lexuar lista, janë projektuar taktikat, formacione, janë bërë analiza. Ai hotel ka përjetuar edhe mjaft histori rozë të sportistëve, dashuritë e mëdha të tyre, gjithçka nga ato ballkone, me takimet në fshehtësi. Nga ai hotel e kanë shtratin barazimet 1-1em Irlandën e Xhorxh Bestsiut, 0 0 me Gjermaninë Federale, humbja 0-1 me Gjermaninë e Bekebanaurot Mylerit Shneliger, bashkë me fitoren kolosale të Partzoanit me Torinon, barazimet kolosale të “17 Nëntorit” me Standaratin dhe Ajaksin./Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura