Debitorët, CEZ aksion për ndërprerjen e energjisë

Jul 27, 2012 | 11:34
Zyrat Qendrore të CEZ

Kompania CEZ Shpërndarje, pasi ka konsumuar disa nga mënyrat “paqësore” të arritjes së një marrëveshjeje me qytetarët që vjedhin energji apo nuk e paguajnë atë, tashmë ka kaluar në fazën tjetër. Prej disa ditësh, ekipe të kësaj kompanie janë duke bërë verifikimet e nevojshme në terren për të shkëputur energjinë për ata individë që kapen me shkelje apo kanë detyrime të papaguara. Vjedhja e energjisë duket të jetë një nga problemet kryesore me të cilat përballet kompania nëse u referohemi shifrave. Aktualisht niveli i vjedhjeve varion nga 15% në muajt me konsum të ulët, në 30% në muajt me konsum të lartë.
Aksioni i ndërprerjeve
Burime të kompanisë bëjnë me dije se aksioni për monitorimin dhe verifikimin, paralelisht me atë të ndërprerjeve, do të shtrihet në gjithë vendin, por faza e tij fillestare është përqendruar në Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë, Durrës dhe rrethinat. Kjo është një masë e re që çekët po marrin në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimit për qytetarët që paguajnë energjinë, si dhe uljes së shkallës së atyre që e vjedhin atë dhe që rezulton në humbje. Për të gjithë ata që kanë dashur që të shlyejnë debinë, CEZ Shpërndarje ka vënë në dispozicion edhe pagesën me këste të saj. Pavarësisht numrit të atyre që kanë pranuar këtë mënyrë, ka edhe nga ata që kanë vijuar me shkelje dhe këtë kategori CEZ ka preferuar ta lërë në dorën e drejtësisë. Në shifra rezulton se në Gjykatë janë paraqitur 1705 raste për vjedhje të energjisë nga ana e kompanisë së shpërndarjes. Aktualisht çdo ditë për të bërë kontrollin dhe verifikimin e situatës në terren dalin 74 ekipe dhe secili prej tyre kryen 25 kontrolle në terren, për zbulimin dhe penalizmin e abuzuesve të energjisë. Për CEZ Shpërndarje, kjo duket të jetë mënyra e vetme e mbetur për të mbledhur detyrimet dhe për të ulur humbjet në rrjet. “Vjedhja e energjisë ul cilësinë e shërbimit që ne u ofrojmë klientëve, shton numrin e defekteve për shkak të mbingarkesës, rrit kostot e furnizimit me energji, pengon investimet. Gjithashtu, duhet theksuar se shpesh klientët abuzues konfliktohen me punonjësit tanë dhe i kërcënojnë ata”, shprehen përfaqësues të CEZ Shpërndarje. Zonat më problematike me dukurinë e vjedhjes janë ato rurale apo informale  dhe specifikisht Shkodra (fshat dhe qytet), Lezha, Tropoja, Kukës (fshat dhe qytet), Fushë- Kruja, Laç, Tiranë (Bathore, Kamzë, Domje, Laknas, Bregu i Lumit), Durrës (Zona e Kënetës shquhet për linja të dyfishta), Fieri (fshat dhe qytet), Vlorë fshat.
Masat që merren
Kur ekipet e CEZ në terren hasin në një lidhje të jashtëligjshme apo në një klient që ka kryer shkelje, i bëjnë me dije qytetarit llojin e shkeljes dhe penalizimet që mund të ndërmerren ndaj tij.
Nëse bëhet fjalë për një lidhje të dyfishtë në rrjet, lidhja e paligjshme ndërpritet në vend. Nëse është një lidhje pa kontratë, fillojnë procedurat për vendosjen e një matësi të ri, që të matet energjia e konsumuar. Klientit i faturohet dëmi ekonomik dhe, nëse ai nuk e paguan, energjia i ndërpritet deri në kryerjen e pagesës.
Në rastet kur klienti bën një lidhje të jashtëligjshme, çështja kalon në Prokurori për ndjekje penale dhe nëse borxhi ndaj CEZ Shpërndarje vazhdon të mos paguhet, atëherë rasti paraqitet në Gjykatë për lëshimin e urdhrit përmbarimor. Nëse gjykata jep vendimin, agjencitë përmbarimore kryejnë sekuestrimin e pronës private apo aseteve financiare. Edhe për ndërhyrjet në matës ka një procedurë të veçantë. Matësi dërgohet në laborator, u nënshtrohet verifikimeve, klientit i faturohet dëmi ekonomik dhe, në rast se ai nuk paguan, situata përfundon sërish në Gjykatë dhe në fund te përmbarimorët.

Si vidhet energji
1. Lidhja jashtë sistemit matës ‘quhet’ dhe linjë e dytë.

Klienti duke abuzuar shtron një kabull në shtyllë dhe merr energji që kalon jashtë sistemit të matjes, për pasojë energjia nuk matet.
Ka linja të dyta nga shtyllat tona te klienti, ka lidhje të kabllos që furnizon matjen para matësit, linjë T quhet. Pra, kur linja e furnizimit kalon jashtë sistemit matës, krijon humbje dhe vjedhje të energjisë.

2. Vjedhjet në matës janë disa:
– Vjedhje duke komanduar nulin
– vjedhje duke ndryshuar skemën e lidhjes së matësit
– vjedhje duke hapur urat e matësit në morseteri
– hapja e vulvave të morseterisë për të ulur indeksin. Me anë të një gjilpëre, klienti arrin te numëratori duke e kthyer atë mbrapsht.
– cenime fizike, si vrimë në drejtim të diskut duke bllokuar lëvizjen e diskut ose duke e kthyer matësin kokëposhtë.
– te konsumatorët e mëdhenj abuzimi më i shpeshtë është shkëputja e fijeve të transformatorëve të rrymës.

3. Te të gjithë këta matës CEZ ka instaluar vula sigurie.
Këto cenohen nga klientët për të kryer këto veprime abuzive dhe rivulosen në disa raste dhe me vula false ose vulat e cenuara ngjiten me mjete të ndryshme. Të gjitha këto verifikohen nga grupet e Kontrollit të Energjisë dhe në bazë të rezultatit të laboratorit konkludohet.

4. Lidhje të paligjshme
I referohemi klientit që nuk ka një kontratë me CEZ Shpërndarje, pra e vjedh direkt nga linja e shpërndarjes. Ky akt dënohet edhe penalisht e klienti gjobitet për dëm ekonomik. Pra, janë të gjithë ata abuzues që vjedhin energji pa pasur kontratë me furnizuesin.

© Panorama.al

Te lidhura