Debati me ministrin e Mbrojtjes, Imamin: Zbardhet seanca sekrete në Kuvend

Jul 19, 2012 | 12:17
IMAMI DHE LLESHI DJE NE KOMISIONIN E SIGURISE

Përgjimet, gazeta publikon të plota dy orët e bisedës me dyer të mbyllura mes deputetëve dhe ministrit të Mbrojtjes.

Gjoni: Nuk duam sekrete, por buxhetin e SHIU. Imami: Jap garanci, s’ka përgjime e trafik armësh.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka zhvilluar dje seancën dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i cili raportoi lidhur me akuzat e opozitës për trafikun e armëve dhe përgjimet. Që në fillim të mbledhjes, ministri i Mbrojtjes kërkoi nga kryetari i Komisionit, Leonard Demi, që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, pasi informacioni që do të paraqitej për deputetët e Komisionit të Sigurisë ishte konfidencial dhe, si i tillë, nuk mund të bëhej publik. Gazeta “Panorama” ka arritur të sigurojë debatin e plotë të zhvilluar në ambientet e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku u debatuan për rreth tri orë për akuzat e opozitës për përgjimet. “Panorama” ofron sot për lexuesit debatin ekskluziv dhe që pas një defekti në aparaturat e regjistrimit të Kuvendit, nuk është mundur të sigurohej një kopje për “konsum” të brendshëm edhe nga vetë stafi i Komisionit të Sigurisë.
Akuzat
Pas largimit të mediave nga salla e Komisionit, ministri Imami i ka sqaruar anëtarët e Komisionit të Sigurisë se nuk ka përgjime nga Shërbimi Informativ Ushtarak. Për ministrin, ushtria nuk ka kapacitetet e nevojshme për të realizuar përgjime. “Jap garanci të plotë. Nuk ka as përgjime, sepse nuk ka Shërbimi Informativ Ushtarak kapacitet, aq më shumë për të përgjuar opozitën. Nuk përgjohen diplomatët, se nuk është Traktati i Varshavës, dhe për këtë ju siguroj”, deklaroi ministri i Mbrojtjes. Imami ka kërkuar që dy deputetë të certifikohen dhe të kërkojnë informacion pranë Shërbimit Informativ Ushtarak, që sipas ministrit, nuk është në varësi të tij, por është një shërbim inteligjent, pjesë e NATO-s. Ministri pohoi se deputetët nuk mund ta kontrollojnë SHIU-n, pasi puna e tij është sekrete. Por, për nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, PS-ja nuk kërkon sekretet, por të kontrollojë buxhetin e SHIU-t dhe kuadrin ligjore mbi të cilin ka vepruar. Ndërkaq, deputeti Fatos Hoxha ka kujtuar rastin e kontrollit ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror dhe faktin që i është kërkuar nga kryetari i saj, Bahri Shaqiri, që disa deputetë të certifikohen dhe të njihen me materialet sekrete. Ndërkaq, Gjoni ka hedhur dyshime se ish-drejtori SHIU-t, Ylli Zyla, është ende në detyrë dhe firmos dokumentacion. Sipas Gjonit, Zyla nuk duhet të këtë akses në informacione deri në sqarimin e kësaj çështjeje. Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Komisionit theksoi se Ministria do të njoftohet me një shkresë të dytë për orarin dhe takimin që do të ketë nga grupet e mbikëqyrjes së Komisionit të Sigurisë.

PATOZI
Anëtari i Komisionit të Sigurisë, njëherësh nënkryetar i PD-së, Astrit Patozi, debatoi dje ashpër me anëtarët e opozitës lidhur me legjitimitetin e kërkesës së miratuar nga Komisioni i Sigurisë për të mbikëqyrur punën e Ministrisë së Mbrojtjes. “Për gjithçka, çdo dyshim, çdo interes që ju keni, do të ketë një përgjigje institucionale. Kudo që ju doni të rrëmoni, i keni dyert të hapura. Duhet ta bëni në mënyrë institucionale. Ky komision nuk jua heq të drejtën e dyshimit, por duhet ta bëni në rrugë institucionale. Duhet të shkojmë bashkë, dhe jo në mënyrë të njëanshme. Ju kërkoni Watergate”, tha Patozi.

Imami: Deputetët të mos u thonë as grave për SHIU-n

Ministri kërkon një grup të besuar ligjvënësish për kontroll
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pas debatit në Komisionin e Sigurisë me deputetët e opozitës, i ka mohuar kategorikisht para mediave përgjimet ndaj diplomatëve dhe deputetëve nga Shërbimi Informativ Ushtarak. Për Imamin, deputetët e opozitës, për të mbikëqyrur shërbimin inteligjent të Ushtrisë, më parë duhet të certifikohen dhe të garantojnë sekretin shtetëror. Sipas tij, deputetët e opozitës nuk duhet informojnë për ato që do të mësojnë te SHIU as kryetarët e partive dhe as bashkëshortet e tyre. “Lidhur me përgjimin, ju them se nuk ka gjëra të tilla, por për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, sikurse e thashë edhe në Parlament, ua përmenda edhe sot zotërinjve të nderuar të këtij Komisioni. Duhet të ngrihet një nënkomision me tre apo katër njerëz të besueshëm të grupeve parlamentare që të betohen për sekretin së pari, dhe kur të dalin nga ai Komision, të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe të mos informojnë as kryetarët e partive se çfarë kanë parë, as gratë e tyre, por të thonë ka apo nuk ka përgjime. Unë jam i interesuar në këtë moment më tepër se kushdo tjetër për këtë lloj kontrolli. Të ngrihet ky komision i mbështetur në ligj, drafti është gati, dhe të hyhet menjëherë e të vërtetohet gjithçka. Ne nuk punojmë në këtë drejtim. Ne punojmë kundër terrorizmit, ne punojmë së bashku me shërbimet e tjera dhe me ushtri të tjera të NATO-s. Duhet mbajtur në mendje që shërbimi i inteligjencës ushtarake është një nga shërbimet partnere të vendeve të NATO-s. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj që provokimi që janë përgjuar edhe diplomatë nuk shkon. Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të Perëndimit. Kjo është një çështje e së shkuarës, por edhe kjo tullumbace e dytë shumë shpejt do të plasë”, deklaroi Imami.

Kreu i Komisionit Demi: Gati drafti për kontrollet
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, deklaroi dje se kontrolli në Ministrinë e Mbrojtjes do të realizohet kur të miratohet drafti i paraqitur nga OSBE-ja për kontrollin e shërbimeve inteligjente. “Ne kemi bërë një draft se si kontrollohen me procedurë, dhe këtë draft ia kemi paraqitur kryetares së Kuvendit për diskutim. Kur të miratohet drafti, ne do të vemi për të kontrolluar apo për të mbikëqyrur institucionin, siç e kanë të gjitha vendet. Drafti është hartuar nga ekspertë perëndimorë me mbështetjen e OSBE-së dhe, kur ta miratojë kryetarja, do të fillojmë procedurën”, tha Demi.

DEBATI PA MEDIAN NE KOMISION

Dje gjatë mbledhjes

Leonard Demi: Ky Komision asnjëherë nuk është penguar dhe nuk do të pengohet në të ardhmen për të kryer punën e vet. Dhe këtë të drejtë ia jep neni 18, 36 dhe 102. Edhe vetë ministri e pohoi këtë gjë në seancë plenare dhe sot ministri ka ardhur sot këtu, në bazë të kësaj Rregulloreje, prandaj kualifikimet emocionale nuk i shërbejnë qëllimit tonë. Për sa i përket çështjes që ju ngritët, ne e kemi në planin tonë dhe, kur të marrim vendim për të vajtur do të vemi, por ju lutem mos debatoni dhe të dëgjojmë ministrin.
Fatos Hoxha: Problemi është i thjeshtë, unë e kuptoj dëshirën për protagonizëm dhe është normale për deputetët, sidomos në këtë vit elektoral. E mira është që ta përshkallëzojmë sipas hierarkisë dhe jo ta tejkalojmë njëri-tjetrin, sepse kjo nuk ka vlerë. Zoti kryetar, ju keni shkelur disa herë Rregulloren, sepse keni dhënë urdhër që mediat të dalin jashtë dhe kjo nuk po zbatohet.
Asllan Dogjani: Kjo s’ka kuptim që të flas për planin e përhapjes, këtu janë përgjuar të gjithë.
Mbledhja fillon pa praninë e medias
Arben Imami: Së pari, unë ju siguroj se nuk ka trafik armësh dhe do jua them sot dhe nesër dhe pasnesër, unë ju siguroj që nuk ka trafik armësh. Dhe për këtë unë jap garanci të plotë. Nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk ka as përgjime, sepse ne nuk ka Shërbimi Informativ Ushtarak kapacitet, aq më shumë për të përgjuar opozitën. Nuk përgjohen diplomatët, se nuk është Traktati i Varshavës dhe për këtë ju siguroj. Megjithatë, ne jemi më të interesuar se kushdo tjetër dhe kuptoni sepse midis jush ka ish- ministra, punonjës që kanë punuar në fushën e sigurisë dhe mund ta vazhdoni këtë luftë politike dhe nuk ju ndalon kush. SHIU nuk është në këtë mes, por ju kërkoj që të caktoni dy veta dhe të shkojnë dhe të kontrollojnë më shumë sesa di vetë ministri. Por sigurisht që është jashtë logjike, ose ngrini komision parlamentar hetimor.
Asllan Dogjoni: Po ju duhet të merrni përgjegjësi për përgjimet.
Arben Imami: Unë po ju jap garanci, dhe po ju them që nëse ka dikush kontroll ai jam unë, por ky kontroll nuk mund të bëhet jashtë procedurave. Unë do t’i lutesha këtij Komisioni të mblidhet dhe të caktojë një projekt për kontrollin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, bëjeni dhe hyni. Unë kur kam hyrë te SHIU vetë, një toger i thjeshtë më ka thënë: “Zoti ministër qëndro, dhe kam qëndruar”. Dhe kam kuptuar që disa gjëra nuk duhet t’i di as unë. Megjithatë po ju them, ngrini këtë nënkomision me njerëz seriozë dhe më të besuar, me përvojë nga të dyja palët. SHIU është një shërbim inteligjence ushtarake brenda NATO-s. Këtë mbajeni mend, sepse mund të na dëmtojë. Çdo kontroll është i nevojshëm, është i domosdoshëm.
Xhemal Qefalia: Nuk kam për të krijuar debat, diçka që nuk e thashë para mediave, ma lini ta flas këtu. Personalisht zoti ministër njihemi dhe kemi punuar, sinqerisht jam i habitur nga qëndrimi juaj, sepse po merrni mbi vete përgjegjësi që ndoshta nuk ju takojnë. Kemi punuar bashkë në një institucion jo pak të rëndësishëm dhe jeni treguar shumë liberal në mënyrën e trajtimit të problemeve në punën e rendit, por është e pafalshme për ju, si ministër dhe si Arben Imami, që të krijosh një farë ironie therëse për deputetët. T’ju vijë keq juve që shpreheni në media, që mua po më vjen keq për deputetët që ishin në mes të vapës dhe çova një punonjës për t’i futur në Ministri.
Arben Imami: Dhe prapë ta them, që ju ishit aty pa njoftuar.
Xhemal Qefalia: Po ta them personalisht, jeni duke marrë përgjegjësi më shumë seç ju takon, duke mos lejuar mbikëqyrjen. Ju thoni krijoni, por këtu ka një vendim të Komisionit të Sigurisë dhe është marrë me shumicë votash. Leonard Demi: Zoti Imami, merrni fjalën dhe mos e lëshoni më!
Arben Imami: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kushtet e politikave të sigurisë të Shqipërisël; Anëtarësimi në NATO ka detyruar për një rishikim të thellë të strategjisë dhe strukturave më të rëndësishme në Forcat e Armatosura. Plani i përhapjes nuk ka ndryshuar dhe ndryshimet e bëra janë në nivelin e dytë apo të tretë organizativ.
(Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sandër Lleshi, fillon prezantimin me slideshow të ristrukturimit të FA-së dhe planit të përhapjes të Forcave Ajrore, Detare, Tokësore).
Arben Çuko: Gjatë këtyre 750 shkurtimeve që janë bërë në forcat ushtarake, mund të më thoni sa janë rekrutuar për këto struktura që keni ju në varësi?
Arben Imami: Ne nuk e kemi nisur për të bërë shkurtime, ne e kemi nisur që çdo njësi ta masim nga produkti që ajo jep. Në qendrën e personelit kemi bërë një mbledhje dhe kemi bërë një përmbledhje sa njerëz kemi, ku i kemi, çfarë pune bëjnë. Doli që qendra kishte mbi 60 njerëz nëpër rrethe, të cilët që merreshin me rekrutimin. Ne kemi marrë afërsisht të njëjtin numër dhe kemi caktuar që do të kemi një zyrë të vogël në të 12 prefekturat, që do të kryejë të gjithë këtë funksion. Lidhur me dokumentacionin dhe lidhur me rekrutimin, kemi marrë të gjithë dokumentacionin dhe e kemi sjellë në qendër që të mos ruhej me ushtarë. Me internet transmetohet informacioni sa herë i duhet qytetarit dhe vjen në qendër kërkesa, përgatitet dhe kthehet përgjigjja. Ne kemi arritur që të kemi 12X2, pra 24 njerëz të shpërndarë. (Prishet aparatura e regjistrimit në Komisionin e Sigurisë)
Leonard Demi: Zoti Ministër, është prishur pajisja dhe nuk po regjistrohet. Duhet ta regjistrojmë, se në mbledhjet e kaluara zoti Hoxha na ka bërë vrenjtje pse nuk është regjistruar dhe e kishim me dyer të mbyllura, por nuk del në website, por regjistrohet. Zoti ministër, po thotë një deputet i opozitës që nga Komisioni i Sigurisë ka dalë Presidenti, dhe zoti Skuqi ka zënë vendin e zotit Nishani dhe ne këtu kemi dy kandidatë për President, juve zoti Imami dhe gjeneralin Lleshi.
Ilir Gjoni: Gjenerali është njeri jo politik.
Leonard Demi: Gjithsesi, ne e dëgjuam nga ju si kandidat.
Piro Lutaj: Po të ishe bërë President ti, do e kishim kontrolluar Ministrinë tani.
Arben Imami: Po unë po ju lë ta kontrolloni. Shërbimi Informativ i Ushtrisë është strukturë sekrete, bëni komision dhe shkoni atje, unë s’kam punë fare dhe mos u hidhni qoshe më qoshe. Ju e dini mirë që atë ditë që erdhët unë kisha 6-mujorin dhe thashë ka mundësi të vijë vetëm Ilir Gjoni si nënkryetar i Komisionit dhe ai nuk deshi.
Ilir Gjoni: Ju ka ardhur shkresa e kryetarit dhe ju thotë: Më datë 27 në orën 10:00, do ju vijë një grup deputetësh t’ju takojë. Unë kam marrë kontakt me sekretarin e Përgjithshëm tuajin, kemi biseduar normalisht se si do të procedojmë dhe shkresa juaj erdhi…
Xhemal Qefalia: Ka pasur aparaturën e përgjimit, prandaj s’na la të hyjmë.
Luan Skuqi: Kjo vegla nuk punon, problemet dolën, e mbyllim më mirë.
Leonard Demi: Dua të them diçka për kontrollin e shërbimeve inteligjente për këta që janë të rinj në Komision. Ne nuk mund të shikojmë në shërbimet inteligjente, sepse ka shumë të drejtë ministri pasi ka një procedurë për këtë punë. Ne kemi bërë një draft se si kontrollohen me procedurë dhe këtë draft ia kemi paraqitur kryetares së Kuvendit për diskutim. Kur të miratohet drafti, ne do të vemi për të kontrolluar apo për të mbikëqyrur institucionin, siç e kanë të gjitha vendet. Drafti është hartuar nga ekspertë perëndimorë me mbështetjen e OSBEsë dhe, kur ta miratojë kryetarja, do fillojmë procedurën.
Ilir Gjoni: Ministri në Parlament tha që ju nuk mund ta bëni këtë punë.
Arben Imami: Unë po ju kërkoj të bëni procedurat, unë s’ju thërras dot të vini, sepse e dini fare mirë që kapacitetet, metodat, operacionet janë sekrete. Dhe unë s’të them as po, as jo.
Ilir Gjoni: Kush po t’i kërkon operacionet dhe metodat?
Arben Imami: Çdo gjë është operacion, në qoftë se t’i thua unë kam bërë një operacion të tillë apo të atillë, është operacion, ça është?
Ilir Gjoni: Po jo mor zotëri, ne detyrën kryesore dhe mënyrën se si Kuvendi të kontrollojë shërbimet inteligjente, e kemi vetëm 1, që është buxheti. Dhe për buxhetin e mbani mend shumë mirë që e kemi dhe në procesverbal, e kemi ngritur dhe ju kemi thënë, cili është buxheti i Shërbimit Informativ Ushtarak? Ka qenë Ylli Zyla në Komision…
Arben Imami: Ilir, caktoni dy anëtarët dhe mësoni ato që di unë dhe më shumë se ato që di unë.
Ilir Gjoni: Nuk i duam sekretet, nuk i duam. Unë dua të di buxhetin dhe me këtë dua të di nëse ti e ke përdorur brenda atyre normave që duhen. Kaq dua të di.
Arben Imami: Buxheti vetëm brenda normave përdoret.
Ilir Gjoni: Zoti ministër, nuk po hyjmë në sekrete, ne duam të ulemi dhe të bisedojmë çfarë problemesh kemi. Ju e dini shumë mirë që ky Komision në mandatin e kaluar ka bërë një nga punët më të mira dhe ka një nga dokumentet më të mira që ka dalë nga ky Parlament. Mbikëqyrja që është bërë në të gjitha depot e armatimit dhe municionit! Është kështu, apo jo?
Fatos Hoxha: Ne jemi deputetë dhe jo çdo gjë duhet ta prekim me dorën tonë në terren. Unë do jap një rast konkret, unë kam qenë pjesë e disa komisioneve hetimore parlamentare. Me shumë të drejtë, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror ,zoti Bahri Shaqiri, kur ne i kemi kërkuar dokumente, na ka thënë që stop ne nuk ju japim se ju nuk jeni të certifikuar, certifikohuni dhe unë t’ju jap dokumentet. Jo gjithçka që na shkon nëpër mendje mund ta bëjmë, jo se jemi deputetë dhe mund të na besohet gjithçka. Duhet të certifikohemi të gjithë, gjithsecili ose vetëm katër veta të certifikohen dhe të behën pjesë e kontrollit dhe jo 24, në qoftë se duhet t’i shërbejmë kombit.
Leonard Demi: Zoti Bizhga ka bërë një vërejtje se kërkon kafe dhe unë them t’i kërkojmë Erandës (sekretarja) që t’i thotë asaj zonjës (kamerieres) të na marrë porosinë.
Piro Lutaj: Nuk kemi paragjykuar asnjë strukturë që keni paraqitur ju, nuk kemi paragjykuar asnjë konflikt që keni pasur ju me drejtues të MBsë, qoftë me gjeneralët dhe kolonelët. Meqë përmendet një gjeneral, s’keni fare dobësi për atë si person, keni dobësi që nxorët tre gjeneralë në rrugë pa i thënë as udhë të mbarë, as punë të mbarë. Çështja tjetër është, kur kemi parashikuar ne që të vijmë dhe të mbikëqyrim Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë janari i vitit 2012. As kishin dalë iluzionet nëpër media se çfarë behët në Ministrinë e Mbrojtjes, a ka përgjime a s’ka përgjime, a ka trafik armësh apo jo, por qëndrimi që mbajtët, krijoi hapësirat që secili fliste në hesap të vet. Ju keni ardhur dhe në interpelancë dhe unë jua kam thënë qëndrimin tim sipas këndvështrimit tonë, çfarë shqetëson opozitën lidhur me FA-në. Kemi probleme të paketës ligjore të FA-së, është jashtë kohe, po bëjnë 4 vjet që jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk keni bërë asgjë. Ne nuk kemi asnjë tendencë për të hedhur baltë mbi Forcat e Armatosura, nëse iniciativa jonë për të mbikëqyrur MB-në është konsideruar si tentativë për të hedhur baltë mbi ju dhe gjithkush pas jush e ka gabim. Zoti ministër, duhet të merremi me thelbin, por ju dhe askush nuk mund të cenojë dinjitetin e anëtarëve të Komisionit të Sigurisë.
Ilir Gjoni: Dua të riafirmoj që ne nuk vijmë të kërkojmë materiale që përbëjnë sekret shtetëror. Po të kërkonim dokumente të tilla do të ndiqnim procedurat ligjore, për të marrë certifikatën e nevojshme që të marrim ato informacione. Pikat e kërkuara për t’u mbikëqyrur kanë qenë të qarta, shqetësimet kryesore kanë qenë për gradat dhe karrierën dhe jo SHIU-n e MEICO-n. Unë besoj se në ato që thatë ju, zoti Demi si përfaqësuesi ynë do t’ju drejtohet me një shkresë tjetër për të marrë kontakt me ju dhe për grupin që do të vijë. Për fushat e ndryshme, qoftë për kontaktet me Shërbimin Ushtarak të Ushtrisë, dhe dua ta theksoj dhe një herë me SHIU-n, nuk duam të hyjmë në sekretet operacionale. Interesi im dhe i kolegëve është zbatimi i buxhetit dhe zbatimit të direktivave hierarkike, si organizohet puna, dhe sa është ai në përputhje me ligjin që rregullon veprimtarinë e SHIU-t. Në momentin që drejtuesit e SHIU-t do na thonë që po kaloni cakun, atëherë ne do të tërhiqemi dhe, në qoftë se do të gjykojmë se do të duhet informacion shtesë, do të kërkojmë nga ju verbalisht dhe në rrugë shkresore për të marrë informacione.
Ilir Gjoni: Çfarë ju shqetëson juve për të pritur në dikasterin tuaj deputetët, për t’u dhënë atyre akses në dokumentacionin që është domain publik dhe jo sekret për të marrë kontakte direkte me strukturat drejtuese të kësaj Ministrie? Për të zhvilluar bashkëbisedim dhe jo hetim, sepse ju e dini shumë mirë që ne të vetmin mekanizëm për hetim kemi komisionin hetimor, por ne nuk e kemi kërkuar atë. Dhe nuk e kërkojmë, për sa kohë që jemi në të drejtën tonë dhe duam ta konsumojmë këtë hap që ka në themel dëshirën tonë për të bashkëpunuar dhe për të rregulluar atë që mund të rregullohet, asgjë tjetër. Komisionet hetimore e dimë shumë mirë se çfarë efektesh kanë, qoftë mediatike, qoftë në opinion dhe gjendjen psikologjike të ministrisë X. Së fundmi, në lidhje me Shërbimin Informativ Ushtarak dhe akuzat që kanë dalë në shtyp dhe që janë artikuluar dhe nga opozita, t’i bëhej e qartë publikut nëse ish-drejtori i SHIU-t, kolonel Zyla, ka dhënë dorëheqje… A është dorëhequr përfundimisht, a është marrë vendimi… Nuk e di si janë praktikat. Por nëse është kështu edhe për shkak të atyre praktikave për të ruajtur kredibilitetin e atij institucioni, ai nuk duhet të ketë akses në dokumentacion apo në strukturën e SHIU-t. Por ama nuk mund të firmosë si drejtor.
Ardian Turku: Do ketë apo jo akses, këtë s’e vendosim ne. Ai ka dhënë dorëheqje.
Luan Skuqi: Unë nuk e di nëse është normale që ne të shkojmë atje dhe të marrim në pyetje punonjësit, kur shumë mirë mund të kërkojmë informacione apo dokumentacione nga Ministria. Nuk mund të shkojmë ne dhe të kërkojmë përgjigje.
Piro Lutaj: S’e paske kuptuar fare objektin e çështjes së miratuar.
Leonard Demi: Zoti ministër, ne do i sqarojmë të gjitha këto shqetësime, do t’ju drejtohemi me shkrim dhe do t’jua bëjmë të qartë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Gazmend Oketa: Unë dua të bëj dy komente para se të largohem. Nuk do të kisha ndonjë pyetje specifike, sepse shumë gjëra morën përgjigje nga prezantimi dhe jam njohur me këtë material konfidencial. Ka pasur një procedurë, që ka shoqëruar të gjithë këtë dokumentacion për strukturimin dhe, a është bërë brenda rregullave, këtë do ta shqyrtojmë kur të kemi në dispozicion dokumentacionin në vijim. Unë do të shprehja shqetësim për pjesën e parë se si u zhvillua mbledhja për qëndrimet tona si anëtarë të Komisionit të Sigurisë për çështje të cilat përbëjnë një ndjeshmëri qoftë për opinionin publik, qoftë për sigurinë kombëtare. Unë nuk mendoj që duhet të mësoj kolegët se si duhet të flasin, sepse secili mban përgjegjësi për komentet e veta. Nuk besoj se mund të ecim përpara duke vazhduar t’u referohemi thashethemeve apo zërave që mund të dëgjojmë. Përkundrazi, ne duhet t’u japim mbështetje Forcave të Armatosura që janë pikërisht ushtarakët shqiptarë që kanë përgatitur një dokument dhe ia kanë paraqitur zinxhirit, por besoj se duhet të lirohemi nga këto komplekse, pse lirohet ky objekt apo pse nuk lirohet një tjetër. Vijmë nga një histori 22-vjeçare, nga një ushtri e stërmadhe dhe ndaj duhen reformat që të caktohet kush duhet apo kush nuk duhet. Do të dëshiroja që situata e krijuar sot në Komisionin e Sigurisë të mos përsëritet më në prezencë të mediave dhe do të doja që të konkludonim sot në një procedurë normale, sepse ka precedentë të tjerë ky Komision lidhur me mbikëqyrjen parlamentare përkundrejt Ministrisë së Mbrojtjes dhe besoj se kemi plot çështje të tjera për të zhvilluar luftë politike dhe debate politike dhe jo çështje që unë gjykoj se cenojnë imazhin e vendit. Referuar pozicionit që Shqipëria ka si anëtare e NATO-s.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura