Debati i plotë PD-PS për Ina Ramën, Hoxha: Ajo është rrugaçe

Jul 12, 2012 | 13:19

Komisioni i Ligjeve

Deputeti i PD e akuzon për mospërfillje të Kuvendit, e mbrojnë deputetet femra të PS.

Majko: Tërhiqni akuzat. Hoxha: Ajo është rrugaçe.

Rezoluta e punës njëvjeçare të Proku-rorisë dhe përfshirja në të e ngjarjeve të 21 janarit ka shkaktuar akuza dhe fyerje mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ish-kryeministri Pandeli Majko kërkoi që shumica të konfirmojë deklaratat e bëra nga Ina Rama për pjesëmarrje në puçin e shtetit, ose t’i tërheqë ato përfundimisht. “Në vitin 2011 Parlamenti ka pasur një marrëdhënie shumë të sikletshme me Prokurorinë e Përgjithshme dhe mendoj se kjo nuk duhet shmangur, se bëhet fjalë për një rezolutë që ka të bëjë me punën e Prokurorisë më 2011-shin. U ngrit një Komision hetimor, ku është kërkuar të flasë edhe prokurorja. Ne s’mund të bëjmë sikur më 2011-shin s’ka ndodhur asgjë në marrëdhëniet mes Ekzekutivit, Parlamentit dhe prokurores së Përgjithshme. Kryeministri ka thënë para Komisionit hetimor që prokurorja e Përgjithshme është bashkëpunëtore e grushtit të shtetit”, tha Majko në nisje të shqyrtimit të projekt-rezolutës. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i maxhorancës, ku deputeti Fatos Hoxha kujtoi faktin se kryeprokurorja ishte e vetmja në atë periudhë që braktisi mbledhjen e Komisionit hetimor Parlamentar. “Komisioni hetimor i ngritur nga Parlamenti do të hetojë veprimtarinë e institucioneve dhe nuk ka ngritur akuza. Ju s’keni të drejtë të shtrembëroni atë realitet që është shprehur në media. Po, mor po, por edhe prokurorja e Përgjithshme t’i thotë Parlamentit që nuk pjerdh për ju, vetëm këtu ndodh. Merru me këtë, jo me atë. Për këtë duhet të na vijë ne turp”, u përgjigj deputeti demokrat. “Ajo i thotë Parlamentit të Shqipërisë që unë nuk pyes për ju. Hajde ta vëmë këtë, dhe jo llafet e rrugëve. Vetëm një rrugaçe e bën këtë, s’e bën njeri tjetër. Absolutisht vetëm një rrugaçe e bën”, theksoi më tej Hoxha. Fjalori i përdorur prej tij nxiti reagimin e deputetëve socialistë, të cilët kërkuan nga kryetari i Komisionit të ndërhynte për t’i ndërprerë fjalën Hoxhës. Deputetet socialiste, Ligori, Felaj e Hysi kanë mbrojtur kryeprokuroren, madje në shenjë proteste kanë braktisur mbledhjen e Komisionit.

Mbledhja
“Nuk ka njeri që e pengon trajtimin e rezolutës dhe dërgimin e saj në seancë plenare. Çështja specifike që trajton Majko nuk mund të jetë as e shtruar në formën siç e shtron Majko objekt i rezolutës, për shkak se për ngjarjen kriminale në periudhën që i referohet dhe për veprimin ose mosveprimin e institucioneve, ka një komision të posaçëm parlamentar që po merret dhe s’na takon neve që të japim konkluzione”, tha Rusmali në përgjigje të deklaratave të deputetit të PS-së, Pandeli Majko.

Debati në Komisionin e Ligjeve
Pandeli Majko:
Në vitin 2011 Parlamenti ka pasur një marrëdhënie shumë të sikletshme me Prokurorinë e Përgjithshme dhe mendoj se kjo nuk duhet shmangur, se bëhet fjalë për një rezolutë që ka të bëjë me punën e Prokurorisë më 2011-n. U ngrit një komision hetimor, ku është kërkuar të flasë edhe prokurorja. Akuza që i është bërë asaj nga Kryeministri dhe maxhoranca ka qenë se ajo ishte pjesë e një grushti shteti. Ne s’mund të kalojmë një rezolutë kështu, nuk mund të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë.
Fatos Hoxha: Bëj propozim ti.
Pandeli Majko: Nuk po flas këtu për Presidentin, shefin e SHIK-ut apo dhe opozitën. Maxhoranca nuk duhet të mbyllë sytë, por të marrë një qëndrim të sajin për veprimtarinë e Prokurorisë. Ose ajo ka qenë pjesëmarrëse në grusht shteti, ose nuk ka qenë. Me këtë që keni sjellë këtu del që nuk ka qenë pjesëmarrëse në grusht shteti.
Ilir Bano: A ka pasur grusht shteti?
Bashkim Fino: Atë e keni thënë ju.
Edi Paloka: Grusht ka qenë, thotë Pandi, por a ka qenë prokurorja, apo jo?
Fatos Hoxha: Komisioni hetimor i ngritur nga Parlamenti do të hetojë veprimtarinë e institucioneve, dhe nuk ka ngritur akuza. Ju s’keni të drejtë të shtrembëroni atë realitet që është shprehur në media.
Pandeli Majko: Ne s’mund të bëjmë sikur më 2011-shin s’ka ndodhur asgjë në marrëdhëniet mes Ekzekutivit, Parlamentit dhe prokurores së Përgjithshme. Kryeministri ka thënë para Komisionit hetimor që prokurorja e Përgjithshme është bashkëpunëtore e grushtit të shtetit.
Fatos Hoxha: Po, mor po, por edhe prokurorja e Përgjithshme t’i thotë Parlamentit që nuk pjerdh për ju, vetëm këtu ndodh. Merru me këtë, jo me atë. Për këtë duhet të na vijë ne turp.
Bashkim Fino: Kapeni kristalin e radhës së Fatosit.
Fatos Hoxha: Ajo thotë që unë nuk pyes për ju, Parlamentit të Shqipërisë. Hajde ta vëmë këtë, dhe jo llafet e rrugëve. Vetëm një rrugaçe e bën këtë, s’e bën njeri tjetër. Absolutisht vetëm një rrugaçe e bën.
Ermonela Felaj: Çfarë flet ti, more.
Shega Ligori: Zoti kryetar, do të ndërhyni ju?
Pandeli Majko: Si i thua rrugaçe?
Fatos Hoxha: Jo, nuk i thashë asaj, por nëse e ka bërë, është rrugaçe.
Pandeli Majko: Po rri, more Fatos tani, ç’a është kjo histori?
Fatos Hoxha: Ta them përsëri, atë që ka bërë ajo para këtij Parlamenti asnjë rrugaç nuk e bën.
Pandeli Majko: Është turp kjo.
Vasilika Hysi: Ju burrat mos flisni sot.
Fatos Hoxha: Keni frikë të flisni ju, dhe ky nuk është faji ynë. Do mbrosh prokuroren, Shega? Pse ke frikë?
Shega Ligori: Ma jep fjalën, ta tregoj unë.
Ilir Rusmali: Nuk ka njeri që e pengon trajtimin e rezolutës dhe dërgimin e saj në seancë plenare. Çështja specifike që trajton Majko nuk mund të jetë as e shtruar në formën siç e shtron Majko objekt i rezolutës, për shkak se për ngjarjen kriminale në periudhën që i referohet dhe për veprimin ose mosveprimin e institucioneve, ka një komision të posaçëm parlamentar që po merret dhe s’na takon neve që të japim konkluzione.
Bashkim Fino: Hajde ta bëjmë rezolutën me një draft nga të dyja palët. Në këtë sens dua të ndihmoj që të ul edhe gjakftohtësinë e Fatosit sot, që nuk e di çfarë ka.
Fatos Hoxha: Rrofsh, rrofsh!
Shega Ligori: Kjo mbledhje doli nga binarët nga ana etike. Unë e di qasjen e kësaj maxhorance ndaj institucioneve të pavarura. Ajo që më shqetësoi më shumë nga të gjitha është që nuk mundet këtu një deputet t’i drejtohet me atë lloj gjuhe dy herë…
Fatos Hoxha: Tri herë, tri herë.
Shega Ligori: Unë vërejtjen e kam për drejtimin e Komisionit. Ju si kryetar Komisioni duhet t’i thoni mbyll gojën, ose dil nga komisioni direkt, sepse nuk mund të përdorësh këto fjalë as në prani të kamerave, as për femra, po deshe ti.
Fatos Hoxha: Sa të paska vrarë, moj Shegë!
Shega Ligori: Natyrisht që më ka vrarë shumë, vëlla, dhe mbylle gojën se nuk ta ka dhënë fjalën kryetari.
Fatos Hoxha: Ti sikur do bëhesh prokurore!
Ilir Rusmali: Të vërtetat gjithmonë janë subjektive.
Shega Ligori: Po gjuha, kjo është gjuha? Distancohuni të paktën.
Fatos Hoxha: Ore, po pse e keni xhan ju prokuroren, unë duhet të bëj autokritikë? Nuk jam pishman unë fare.
Bashkim Fino: Fol si të duash, ore, kush ta preu ty të drejtën?
Ilir Rusmali: Në qoftë se sot kemi shqyrtimin e një draft-rezolute për veprimtarinë e një institucioni, ne me përgjegjësi të madhe, me dhimbje dhe dhembshuri duhet t’i dedikohemi institucionit, jo pallavrave të njërit apo tjetrit. Historia nisi me pallavra. Na flitet këtu për epitete fyese, por harrohet nga e kanë origjinën këto epitete, si erdhën në tavolinë, se nuk i nxori kolegu i maxhorancës, por na i solli deputeti i opozitës. A na dhimbset fakti që lufta kundër kriminalitetit vuan në Shqipëri? A na dhimbset fakti që kriminelët janë më të fortë se shteti dhe gjejnë strehë te ortakëria me Prokurorinë? Pse nuk kërkojmë ne që të futet mospajtimi i Kuvendit…
Gent Strazimiri: Në marrëveshje të plotë me Gjykatën.
Ilir Rusmali: Me faktin që në mënyrë masive dhe të gjitha çështjet me impakt publik Prokuroria ka dështuar në veprimtarinë e saj.
Shega Ligori: Të gjithë ministrat jashtë i ke, ke të drejtë.
Ermonela Felaj: Bëje rezolutën kështu siç e thua.
Fatos Hoxha: Lexoje, lexoje, se ashtu është.
Ilir Rusmali: Ermonela, të lutem, më lër ta mbaroj.
Ermonela Felaj: Jo nuk të lë të mbarosh.
Ilir Rusmali: Ore, e dëgjoni ju, Ermonela nuk më lë as të flas. Ore, ndihmë, kush do ta mbajë Ermonelën? Ju të medias, më jepni një ndihmë.
Fatos Hoxha: Pse ju dhemb aq shumë prokurorja ju?
Ermonela Felaj: Na e shpjego njëherë me çfarë fjalori do të vazhdojë kjo mbledhje, me fjalorin e rrugës, apo të qytetarisë? Na e sqaro këtë dhe të vazhdojmë.
Gent Strazimiri: Të qytetarisë nuk e thua dot ti, kështu që je rehat.
Fatos Hoxha: Pse, si ishte gjuha ime?
Shega Ligori: E shëmtuar ishte.
Ilir Rusmali: O kolegë, mos u provokoni se edhe fëmija e kupton që është provokim.
Vasilika Hysi: Paulina, po je femër moj, nuk mund të rrish kështu. Bëhet fjalë për integritetin e një gruaje.
Paulina Hoti: Ti zonjë, pedagoge, politikane që flet çfarë të thotë shefi, ky është turp.
Ilir Rusmali: Unë u përpoqa të thërras Felajn si deputete, më doli papritur zonja Felaj prokurore. E kuptoni sa e rëndë që është? Mos bëni kompromis me krimin dhe institucionet e korruptuara, se nuk është ky funksioni juaj.
Bashkim Fino: Ti po fyen.
Deputetët Fino, Felaj dhe Ligori largohen nga Komisioni.

Rezoluta, PD zbut tonet e akuzave ndaj prokurores

Në projektin e maxhorancës nuk përmendet 21 janari. PS voton kundër
“Procedura transparente në emërime, luftë korrupsionit”

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama

Komisioni i Ligjeve miraton vetëm me votat e maxhorancës projektrezolutën për punën e Prokurorisë gjatë vitit të kaluar. Opozita, e cila ishte e pranishme në mbledhje, kundërshtoi disa nga paragrafët e draftit dhe në fund, një pjesë e saj u largua, ndërsa deri në fund qëndruan Pandeli Majko dhe Armando Subashi, të cilët votuan kundër. Drafti i miratuar është më i ‘zbutur’ se akuzat e bëra nga eksponentët e shumicës gjatë vitit të kaluar, nisur edhe nga fakti se Ina Rama është në muajt e fundit të mandatit të saj. Në rezolutë, ashtu si edhe në raportin e Prokurorisë nuk ka përcaktime për ngjarjet e 21 janarit. Më herët ishin larguar nga mbledhja në shenjë proteste ndaj replikave në Komision, deputetët Bashkim Fino, Ermonela Felaj, Vasilika Hysi dhe Shega Ligori. “Më tërhoqi vëmendjen një intervistë dje. T’ia kërkojmë Parlamentit, pasi 5 vjet e ke zhytur në këtë derexhe? Parlamenti detyrën e vet di ta bëjë, kontrolli administrativ si funksionon, klientelizmi si është, emërimet nepotike dhe rrethi miqësor si janë? Kush i bën ato? I bëjmë ne si Komision Ligjesh, i bën Parlamenti? Ky duhet të ishte shqetësimi ynë sot”, u shpreh kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, duke iu referuar intervistës së Presidentit Bamir Topi. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, deklaroi votën kundër duke thënë: “Shpresoj që të jeni të vetëdijshëm për këtë marrëdhënie shumë të veçantë që keni filluar të merrni me institucionet. Shteti po shkon drejt një shteti njëpartiak”. Në rezolutën e miratuar dje për detyrat që i lihen Prokurorisë për këtë vit thuhet se ‘Kuvendi kërkon nga Prokuroria të zhvillohen procedura transparente dhe larg konfliktit të interesit për emërimin, transferimin dhe karrierën e prokurorëve në sistemin e Prokurorisë’”.

Rezoluta
“Kuvendi i kërkon Prokurorisë të intensifikojë luftën ndaj korrupsionit në administratën qendrore dhe në atë vendore ndaj zyrtarëve dhe ndaj ish-zyrtarëve, duke kërkuar hetime proaktive, të shpejta dhe efikase, si dhe duke mbajtur regjistrim të njëjtë të rasteve që nga referimi i tyre deri në ekzekutimin e vendimeve. Në mënyrë të veçantë, lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë të jetë një përparësi themelore e Prokurorisë”, thuhet në rezolutë.

© Panorama.al

Te lidhura