Debati i plote: Gjana-Shalsi, dhunë e ofendime në Kuvend

May 3, 2012 | 11:59

Dy deputetët, konfrontime fizike në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Shalsi: Mi e injorant. Gjana: Palaço, i pafytyrë.

Degradoi në sharje dhe konfrontime fizike mbledhja e djeshme e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, midis kryetarit të Komisionit Jemin Gjana dhe nënkryetarit socialist Eduard Shalsi.
Shkak për nisjen e sherrit midis dy deputeteve është bërë shkëmbimi i replikave dhe ironisë së përdorur, gjatë diskutimit të projektligjit “Për peshkimin”. Nënkryetari i Komisionit e ka krahasuar projektligjin e peshkimit me debatin e bërë pak kohë më parë për privatizimin e “Albpetrolit”, sipas të cilit ky koncesion duhet të trajtohej me tone kritike edhe nga maxhoranca. “Sikur t’ju eksitonte dhe nafta, siç ju eksiton peshku, do të ishte shumë mirë. Ju përgëzoj, sepse është pikërisht ky roli që Parlamenti duhet të luajë mbi qeverinë. Numri i madh i pyetjeve që bëri relatori dhe, në parantezë, doja të thosha që në një numër të tillë pyetjesh që unë kam bërë për “Albpetrolin”, jam paragjykuar”, theksoi Shalsi. Ndërkaq, kryetari i Komisionit Jemin Gjana ka sqaruar deputetët e opozitës se në asnjë rast pyetjet e tyre nuk janë paragjykuar nga maxhoranca. “Zoti Shalsi, unë ju garantoj se nuk do të paragjykoheni nëse do t’i referoheni siç i ishte referuar zoti Metalla në çdo nen të ligjit”, theksoi Gjana. Gjatë diskutimit  pa mikrofon, kryetari i Komisionit kërkoi nga deputeti Shalsi që të mos humbte qetësinë, por ky i fundit iu përgjigj duke thënë se e nervozonte injoranca. Ishte pikërisht kjo deklaratë shkak i acarimit të gjakrave, që u shoqërua dhe me kërkesën e kryetarit Gjana, që deputeti socialist  të përjashtohej nga mbledhja. Pas replikave dhe mbylljes së mbledhjes, demokrati Gjana dhe socialisti Shalsi shkëmbyen sharje me njëri-tjetrin. Ndërsa pas ofendimeve, Gjana ka tentuar të godasë me shkelm deputetin e PS-së, ky i fundit është nxjerrë jashtë sallës së mbledhjes nga deputetët e tjerë. Debati ka vijuar në korridor për disa minuta me sharje në distancë. Gjatë daljes nga ambientet e Kuvendit, nënkryetari i Komisionit Eduard Shalsi ka goditur me pëllëmbë në kokë kryetarin e Komisionit, Jemin Gjanën.

Debati në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese
Eduard Shalsi:
Unë në fakt do të doja t’ju përgëzoja për iniciativën dhe sot, për herë të parë, do të doja të përgëzoja kolegët e mi të maxhorancës, që më në fund…
Ardian Turku: Kemi debatuar dhe për ligjin e gjuetisë dhe ligje të tjera, nuk është hera e parë.
Eduard Shalsi: Sikur t’ju eksitonte dhe nafta, siç ju eksiton peshku, do të ishte shumë mirë. Për hir të së vërtetës, ju përgëzoj sepse është pikërisht ky roli që Parlamenti duhet të luajë mbi qeverinë, ndaj për mua është një surprizë shumë e këndshme dhe mënyrë e të formuluarit të pyetjeve…(ndërhyrje) A ta mbaroj içik se e kam bezdi kur flasin dhe nuk përqendrohem dot. Dhe numri i madh i pyetjeve që bëri relatori dhe, në parantezë, doja të thosha që në një numër të tillë pyetjesh që unë kam bërë për “Albpetrolin”, jam paragjykuar. E përgëzoj sinqerisht rolin tuaj, sepse realisht ky duhet të jetë roli ynë mbi qeverisjen. Ta mbajmë të përgjegjshme dhe të saktësojmë çdo pikë të paqartë për të gjitha propozimet që ato sjellin.
Jemin Gjana: Zoti Shalsi, unë ju garantoj se nuk do të paragjykoheni nëse do t’i referoheni siç i ishte referuar zoti Metalla në çdo nen të ligjit. Ka qenë një kohë të gjatë një  kolegu ynë, një njeri i njohur, që kur vinte problemi të bënte pyetje, bënte 120 pyetje; Në qoftë se keni kuriozitet, mund t’ju them që Shkëlqim Cani sa herë që nisnim mbledhjet brenda Komisionit bënte 120 pyetje. Problemi është që ne nuk paragjykojmë numrin e pyetjeve tuaja, s’e kemi paragjykuar as të “Albpetroli”, por ndryshimi me zotin Metalla është i tillë, që u detyrova t’i bëja dhe vërejtje që të mos e përshkruajë nenin dhe vërejtjet, por bëj vetëm pyetjen. Dhe, pyetjet e zotit Metalla ishin të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me secilin kapitull.
Eduard Shalsi: Jo more! Ç’thua, mo ç’thua? Merri shihi se çfarë kam thënë! Hapi procesverbalet! Mos na hap këtë muhabet tani!
Jemin Gjana: A ka mundësi të bësh qetësi o burrë, e të lësh të tjerët që të flasin? Unë të lash të flasësh. Ç’ke që nervozohesh? Nervozohesh me veten?
Eduard Shalsi: Injoranca më nervozon, madje dhe më acaron injoranca.
Jemin Gjana (çohet në këmbë): Dëgjo. Duhet të matesh mirë kur flet. Mos guxo ta bësh më! More vesh?
Eduard Shalsi: Si, si? Mos ta bëj më? Jo do ta bëj (çohet në këmbë), por po të them…
Jemin Gjana: Palaço, i pafytyrë! (Ulet në karrige)
Eduard Shalsi: Po të them, mos e bëj më këtë veprim. Dakord! Kur unë flas, mos më bëj mua ashtu.
Bedri Hoxha: Po ti e ofendove, Shals. Mos bëj ashtu.
Ardian Turku: Po ti nuk lë njeri të flasë, ndërhyn përherë.
Eduard Shalsi: Unë jam ndërprerë 100 herë kur flas, dhe t’i po më tregon mua.
Osman Metalla: Kë ofendon ti? Kë ofendon?
Jemin Gjana: Dil përjashta. Dil përjashta po të them.
Eduard Shalsi: Mos më thuaj mua dil përjashta. Jo mua dil përjashta.
Jemin Gjana: Ik përjashta tani, po të them!
Besnik Bare: Po nuk e nxjerr dot ti përjashta atë.
Eduard Shalsi: Nuk më nxjerr dot ti përjashta. E di unë kur dal jashtë, ti dil përjashta (debat në sallë). Kush je ti, more? Respektoj Komisionin unë.
Osman Metalla: Po si mund t’i thuash kryetarit injorant more?
Eduard Shalsi: Unë thashë që më acaron injoranca. Po, dhe e them prapë. Dhe sidomos arroganca e injoranca. Po më tregon mua që paskam bërë pyetje që s’kanë pasur lidhje me ligjet. Pyetjet e mia s’ka të drejtë t’i komentojë asnjëri. E kam unë të drejtën.
Ardian Turku: Po ti komenton përherë…
Eduard Shalsi: Unë e kam duruar për shkak të moshës, e kam toleruar për shkak të viteve. Por të më thotë mua që pyetjet e tua s’kishin lidhje me çështjen!
Osman Metalla: Duhet të respektoni etikën dhe të vendosni një marrëdhënie të tillë në Komision.
Eduard Shalsi: Çfarë etike more?! Merr shih procesverbalet. Do kulturë etika.
Bedri Hoxha: O Shals, por ti e fyeve… Ke folur sa herë ke dashur.
Eduard Shalsi: Si e fyeva unë, more? Më jam fyer unë në këtë Komision, o s’ka.
Bedri Hoxha: Nuk ke asnjë të drejtë më shumë se të tjerët. U ndërpreve ti, se mos je ndonjë burrë më i mirë se të tjerët.
Besnik Bare: Jemin më fal, një gjë të vogël. Se si i formulojmë ne pyetjet, secili i shpreh në mënyrën e vet. Ju nuk keni të drejtë të bëni vërejtje në mënyrën se si formulohen pyetjet nga ne. Komentin e bëj të shkurtër dhe askush nuk ka të drejtë të interferojë në këtë punë. Se po të flasim pastaj për kulturë dhe për profesionalizëm, pastaj kalojmë në histori tjetër.
Eduard Shalsi: Merr shih procesverbalet dhe shih ça keni thënë.
Jemin Gjana: Nuk paragjykojmë kurrkënd për pyetjet, por nëse ju vini në Komision dhe shtroni idenë se paragjykoheni për pyetjet, atëherë unë kam obligimin që në emër të të gjithë kolegëve të maxhorancës t’u bëj të qartë – komisionit, opinionit dhe kujtdo tjetër – që ju nuk paragjykoheni sa herë bëni pyetje për projektligjet. Atë që bëri zoti Metalla, jua vura si element krahasues. Dhe do të paragjykoheni gjithmonë, nisur nga fjala dhe nga emri mos pretendoni se po paragjykoheni.
Eduard Shalsi: Unë nuk kam marrë përgjigje akoma për ato pyetje që kam bërë. Përgjigje që kanë lidhje me privatizimin e “Albpetrolit”, me të ardhurat.
Jemin Gjana: Megjithatë secili vetveten tregon, dhe bëni mirë që ta frenoni veten dhe të bëni kujdes në fjalët që lëshoni, sepse pastaj…
Eduard Shalsi: E pastaj dhe pastaj?
Jemin Gjana: Dhe pastaj këtu është Komision, mbledhja këtu është mbledhje. Statusi i deputetit është status i deputetit, disa gjëra mbyllen këtu dhe dalim jashtë pastaj. Në qoftë se je koshient, matu mirë pastaj. Unë të them matu mirë.
Eduard Shalsi: Unë jam superkoshient dhe s’kam nevojë të matem. E kam në natyrë unë që matem dhe i peshoj mirë veprimet. Kam dhe kulturë për më tepër, dhe qytetari!
(Jemin Gjana vijon pyetjet ndaj ekspertëve të Ministrisë së Mjedisit dhe më pas mbyllet mbledhja).
(Jemin Gjana kërkon sqarim nga Eduard Shalsi)
Jemin Gjana: Mos guxo të më flasësh më ashtu. More vesh?
Eduad Shalsi: Ik andej, more mi, o mi!
Jemin Gjana: Ore palaço! Kë shan ti? (Godet me shkelm Eduard Shalsin. Ndërhyjnë deputetët e tjerë për të ndarë sherrin).
Eduard Shalsi (te dera e Komisionit): Hajde këtu, more mi halesh!
(Debati zhvendoset në korridor).
Eduard Shalsi: O mi! O mi halesh hajde!…
Jemin Gjana: S’merr vesh ti, Shals?
Ardian Turku: Boll Shals, ik andej se nuk ka lezet.
Bedri Hoxha: S’ka faj ai (Jemin Gjana), ti e ke fajin që i thua injorant, ai 60 vjeç burrë. Është turp i madh.
Eduard Shalsi: Po atij s’i vjen zor që tenton të gjuajë, 60 vjeç burrë (Debati vazhdon në korridor me deputetët Hoxha, Turku dhe Metalla. Duke dalë nga korridori, Eduard Shalsi godet me pëllëmbë në kokë Jemin Gjanën)!
Eduard Shalsi: Hajde këtu, ta tregoj unë ty (Ndërhyjnë deputetët e PD-së për ta larguar)!
Ardian Turku: o Shals, ik andej ore, nuk behët kështu. S’të vjen zor, kë prek më dorë? Ik ore Shals tani, se s’ka lezet. Bën si gangster.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura