
Mbrojtësi i gruas së ish-diktatorit: Kadare ia dhuroi dokumentin Nexhmijes, s`kishte ku ta mbante.
Avokatja e shkrimtarit: Dorëshkrimi i “Dimrit të Madh” s’u dhurua.
Gjykata e Tiranës hapi dje shqyrtimin gjyqësor të padisë së shkrimtarit Ismalil Kadare kundër Nexhmije Hoxhës, të vesë së diktatorit Enver Hoxha, në lidhje me pronësinë e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i vetmisë së madhe”. Gjyqtari i çështjes, Bledar Abdullai, u njoh me argumentet e palëve, të sjella në Gjykatë përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë. Përfaqësuesja e shkrimtarit, avokatja Flonja Tashko, kërkoi që Gjykata të vendosë rifitimin e të drejtës së autorit Ismail Kadare mbi dorëshkrimin origjinal të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Sipas avokates, shkrimtari ia ka dorëzuar dorëshkrimin të paditurës në vitin 1972, në kushte presioni. Kjo, sipas mbrojtëses, për shkak të influencës që kishte Nexhmije Hoxha në atë kohë e për rrjedhojë kundërshtimi mund të kishte pasoja të rënda. Nga ana e tij, përfaqësuesi ligjor i Nexhmije Hoxhës, avokati Aranit Rosha, këmbënguli se Nexhmije Hoxha është pronare e dorëshkrimit, pasi shkrimtari Kadare ia ka dhuruar atë. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtari Abdullai ndërpreu seancën, për t’i dhënë kohë mbrojtëses së shkrimtarit për të sjellë disa prova të tjera në proces. Seanca e ardhshme do të jetë më 28 shtator.
(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)
© Panorama.al











