
Xhani de Biazi është zhbilancuar disi në mediat italiane, duke thënë se do të tentojë të bëjë mrekullinë me Shqipërinë.
Në një intervistë që ka dhënë për të përditshmen italiane “La Repubblica”, trajneri ka deklaruar se kualifikimi i Shqipërisë në Botërorin 2014 do të ishte një mrekulli, por ai dhe skuadra e tij do të luftojë deri në fund. “Do të jetë shumë e vështirë, por ne do të luftojmë deri në fund. Sigurisht që nëse Shqipëria do të kualifikohet në Botëror, atëherë do të realizonim një mrekulli futbollistike, por gjithsesi ne do të tentojmë me gjithçka mundemi”, ka deklaruar ai. De Biazi gjeti një skuadër me probleme të mëdha pas largimit të Kuzhesë. Jo vetëm sepse kuqezinjtë kishin mbyllur një sezon të dështuar (grumbulluan 9 pikë dhe në fund i mposhti edhe Luksemburgu), por edhe sepse u larguan nga ekipi katër lojtarë veteranë që mbanin peshën e skuadrës: Lala, Skela, Duro dhe Beqaj. Zëvendësimi i tyre është bërë një mision i vështirë për trajnerin italian, sidomos për mesfushorët. Nëse Ujkani po ecën në rrugën e duhur dhe është i “dubluar” nga titullar si Berisha, alternativat në mesfushë nuk kanë bindur. Trajneri italian i Shqipërisë merr më pak se 280 mijë euro për një edicion dhe këtu përfshihet edhe paga e ndihmesave të tij. De Biazit nuk i është vënë si kusht kualifikimi në Botëror (do ishte e tepërt), por grumbullimi i sa më shumë pikëve (mundësit të kapet vendi i tretë) dhe gjithashtu rinovimi i skuadrës. Ish-trajneri i Torinos dhe Udinezes prej janarit ka nisur punën për të rinovuar skuadrën, por deri tani ende nuk ka mundur të kolaudojë grupin. Në ndeshjen kundër Moldavisë u pa një skuadër me probleme dhe jo fort e qartë për mënyrën se si duhej të vepronte në fushë. Trajneri u ka dhënë sistematikisht shansin të rinjve si Bakaj, Hyka, Roshi e Zeqiri, por nuk ka mbetur i bindur se ata janë gati të marrin frenat e mesfushës në dorë. Për këtë arsye ai është vazhdimisht në kërkim të futbollistëve të rinj. “Na mungon një si Skela”, pati pohuar me sinqeritet pas provës jo bindëse kundër Moldavisë.











