
Trajneri i Kombëtares do tri pikët e para. Nuk shqetësohet nga asgjë.
“Sot luajmë për fitore, kundërshtari ka ekip të ngurtë”
“Për mua nuk ka asnjë alibi, do të synojmë fitoren. Qiproja nuk është Spanja, por gjithsesi, duhet respektuar”. Xhani de Biazi tregon se nuk e shqetëson asgjë në prag të ndeshjes së parë eliminatore. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka folur dje nga Durrësi për sfidën me ishullorët dhe situatën që po kalon skuadra kuqezezë. Sipas kreut të pankinës, Qipro është një kundërshtar që do kujdes. Pasi ka vëzhguar dy ndeshjet e fundit të ishullorëve (miqësoret ndaj Serbisë dhe Bullgarisë), trajneri ka nxjerrë konkluzionin se kundërshtari ka një ekip të ngurtë dhe që mund të marrë pikë në “Qemal Stafa”. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, italiani i kuqezinjve i ka anashkaluar sërish pyetjet për formacionin apo dilemave që ai ka për repartin e sulmit. De Biazi është i bindur se do të hedhë në fushë një ekip fitues, ndërkohë që ka lënë të kuptohet se do t’u besojë nga minuta e parë mesfushorëve kosovarë Meha e Kukeli, të cilët debutojnë me fanellën kuqezezë.
Cili është plani juaj për suksesin?
Ajo që mund ta bëjë të suksesshme një skuadër është ajo që ne bëjmë në fushën e lojës, jashtë fushe dhe në mbledhjet teknike. Nëse ne arrijmë të perceptojmë gjithçka, atëherë kemi bërë një punë të madhe. Dihet tashmë se me detaje të vogla bëhet diferenca dhe nëse e kuptojmë këtë, kemi bërë një hap të madh drejt më së mirës, që mund të na çojë shumë larg. Por, për të arritur rezultate pozitive, duhet të punojmë pa fund në aspektin tekniko-taktik. Të kemi një njohje të mirë të kundërshtarit, që mund të na tregojë avantazhet dhe defektet për të arritur objektivin.
Në rastin konkret, rivali është Qipro. Sa e njihni këtë skuadër?
“Nëse e njeh kundërshtarin, mund ta mundësh”. Besoj se edhe në shqip ka kuptim kjo thënie. Mund të them se Qipron e kemi vëzhguar me kujdes kur luajti në miqësoret me Serbinë dhe Bullgarinë. Është një skuadër e ngurtë, nëse mund të shprehem kështu. Është një ekip që mund të të vërë në vështirësi nëse nuk ke një përgatitje të mirë taktike dhe mendore. Në këto kushte, ne duhet të kemi kujdes, por nuk do të thotë se ne nuk do ta fitojmë këtë ndeshje. Të jeni të bindur se do të hyjmë në fushë për ta fituar këtë sfidë.
Keni dilema përsa i përket formacionit?
Përsa u përket titullarëve, në mendjen time kam gjithçka të qartë. Sigurisht, shumë do të mundohen të japin mendimin e tyre, madje edhe vetë ju gazetarët mund të ndërtoni një formacion sipas shijeve tuaja, por në fushë do të jenë ata që janë më mirë momentalisht. Me këtë dua të them se do të aktivizoj lojtarë, jo vetëm që janë më mirë nga ana tekniko-taktike, por edhe nga gjendja fizike që kanë në këtë moment që po stërvitemi.
Keni grumbulluar për herë të parë kosovarët Meha dhe Kukeli. Jeni i bindur se mund t’i aktivizoni si titullarë?
Unë jam plotësisht i bindur se të gjithë lojtarët që kam grumbulluar për këto dy ndeshje mund të luajnë si titullarë. Këtu nuk u referohem vetëm Kukelit dhe Mehës, sepse në këtë moment e kam të vështirë për të zgjedhur. Kam përpara një grup lojtarësh që kanë treguar se kanë dëshirë për të luajtur dhe për të dhënë gjithçka në fushë. Rruga jonë është shumë e gjatë dhe nuk përfundon pas dy ndeshjesh, por në tetorin e vitit 2013. Kohën e kemi përpara dhe do të mundohemi që ta ndërtojmë këtë ekip si nga ana kualitative, ashtu dhe me arritjen e rezultateve.
Gjatë stërvitjeve e keni provuar skuadrën me dy sulmues të mirëfilltë, por gjithashtu edhe me një në majë. Nesër (sot) si do ta nisni takimin?
Sa për faktin nëse luajmë me një apo dy sulmues, ju them se do të luajmë me ata lojtarë të cilët do ta vënë në vështirësi Qipron.
Vitet e fundit Shqipëria ka arritur rezultate pozitive në start. Mendoni se do të vazhdojë kjo ecuri?
Para së gjithash, për të provuar të fitosh një ndeshje, duhet ta përpunosh në mendje dhe të jesh i qartë në mendjen tënde. Pastaj është e qartë se ndeshja e futbollit është diçka dinamike. Mund të ndodhë gjithçka nesër (sot). Të gjithë trajnerëve u ndodh të mendojnë një gjë dhe më pas u del një gjë tjetër. Por, jam i bindur se lojtarët kanë kapacitetin dhe e kuptojnë se duhet ta nisin sa më mirë. Nëse bën mirë ndeshjen e parë, ke bërë gjysmën e punës. Edhe unë shpresoj se do të arrijmë një fitore.
Kush mund ta bëjë diferencën në këtë takim?
Diferencën e bëjnë lojtarët e mëdhenj. Ne kemi lojtarë të mirë dhe shpresojmë që duke i bërë bashkë të arrijmë të vëmë në vështirësi Qipron. Ne duhet të kemi respekt për kundërshtarët, por jo frikë. Sigurisht, Qiproja nuk është Spanja, por një skuadër që duhet respektuar. Futbolli i sotëm është i ekuilibruar.
Detajet e ndeshjes
Ndeshja e parë eliminatore për grupin E, Shqipëri-Qipro, do të luhet sot në orën 20:30 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Takimi do të transmetohet direkt nga TVSH dhe “Supersporti”. Një biletë në tribunën qendrore kushton 5 mijë lekë, ndërsa në tri tribunat përballë 700 lekë. Më pak kushton një biletë në tribunat anësore. FSHF-ja ka vendosur një çmim prej 200 lekësh për këtë sektor të stadiumit.
Gjykon një kazak
Gjyqtari nga Kazakistani, Artjom Kushin, do të arbitrojë ndeshjen e sotme Shqipëri-Qipro. 35-vjeçari është një arbitër i kategorisë së dytë dhe ka marrë stemën e FIFA-s në janar të 2009-s. Ai ka drejtuar kryesisht ndeshje të skuadrave të vogla në Ligën e Kampioneve, Ligën e Europës dhe në kualifikimet e “Euro 2012”-s. Takimi me më shumë problem për të ka qenë për Ligën e Kampioneve mes Partizanit të Beogradit dhe Shkëndijës së Tetovës.
Bastet për sfidën
Shqipëria shikohet si favorite për të fituar ndaj Qipros. Të paktën kështu e vlerësojnë kompanitë e basteve në Europë. Koeficienti për triumfin e kuqezinjve është 1.90, ndërsa për shenjën “2”, që do të thotë fitore e qipriotëve, është 4.00. Nga ana tjetër, barazimi kuotohet 3.40. Nëse dikush do provojë që të vendosë një bast për rezultat në kokë, atëherë më i kuotuari duket barazimi 1-1 (6.25). Pas këtij vjen fitorja 1-0 (7.75).
Ankesa për stadiumin
Ndeshja zyrtare mes Shqipërisë dhe Qipros do të luhet në “Qemal Stafa” me drita. Por, ajo që i shqetëson lojtarët është gjendja e mjerueshme e fushës së këtij stadiumi. Prej vitesh në të nuk bëhen investime, ndaj edhe momentalisht terreni është gunga-gunga, duke mos të dhënë mundësi që të shprehesh cilësisht. Para ndeshjes me Moldavinë ishte trajneri De Biazi ai që u ankua për mjerimin e impiantit, por askush nga drejtuesit s’ka bërë gjë.
Interesimi për shtypin
Lojtarët e Kombëtares, veçanërisht ata që luajnë jashtë Shqipërisë, janë parë dje shumë të angazhuar në leximin e shtypit sportiv. Duke qenë disi mbrapa me zhvillimet në kampionatin shqiptar, kurioziteti i legjionarëve ka qenë i madh. “Kush e merr kampionatin këtë vit?” Kjo ishte një nga pyetjet që bëhej rëndom nga lojtarët që luajnë jashtë. Më shumë i lakuar ishte klubi i Flamurtarit, që këtë sezon ka investuar shumë për merkaton.
Një paradite e lirë
Trajneri Xhani de Biazi ka menduar ta lërë pushim ekipin gjatë paradites së djeshme. Kjo ka bërë që në rezidencën e Kombëtares në Durrës të dynden familjarët dhe të afërmit e lojtarëve. Dje, përpara konferencës për shtyp të trajnerit De Biazi dhe kapitenit Cana, është vënë re një prani e madhe njerëzish në ambientet e hotelit ku është grumbulluar ekipi. Nuk kanë munguar as tifozët, të cilët shfrytëzojnë rastin për të bërë fotografi me lojtarët.
Bindja e ishullorëve: Sot nuk dalim pa pikë
Kombëtarja e Qipros ka mbërritur dje rreth orës 12:30 në aeroportin “Nënë Tereza”. Më pas është akomoduar në hotel “Rogner” dhe në mbrëmje ka zhvilluar stërvitjen zyrtare në stadiumin “Qemal Stafa”. Situata duket e mirë te skuadra e drejtuar nga Nikos Nioplias. Sipas asaj që raportojnë mediat greke, trajneri është i kënaqur, pasi sot do të ketë të gjithë lojtarët e gatshëm. “Nioplias ka luksin e përzgjedhjes së formacionit më të mirë ndaj Shqipërisë”, shkruante dje gazeta “Protathlima”. Ndërkohë, mbrojtësi titullar i Qipros, Jorgos Merkis, i cili është pjesë e Apollon Limasolit, për mediat qipriote deklaroi: “Është koha për ta nisur mbarë në Shqipëri. Luajmë ndaj një skuadre e cila është shumë e fortë në fushën e vet. Do të luftojmë të marrim një rezultat pozitiv. Kam shumë besim se do t’ia dalim”, ka thënë ai. Nga ana tjetër, mesfushori i Apoel Nikosia, Nektarios Aleksandru, vlerësoi Shqipërinë, por beson se Qipro do të marrë pikë. “Mendoj se kjo ndeshje ka shumë rëndësi për vazhdimësinë tonë në grup. Qëllimi ynë është për të bërë një lojë të mirë, e në fund natyrisht t’u gëzohemi edhe pikëve. Shqipëria ka një ekip të fortë, që duhet vlerësuar”, deklaroi Aleksandru.
Nga Durrësi, JORGIS MEMO
© Panorama.al











