De Biazi, i sinqertë: Jemi për vendin e katërt

Sep 14, 2012 | 13:49

Trajneri i Kombëtares, De Biazi

Trajneri komenton ndeshjet e kuqezinjve në mediat italiane.

“Zvicra favorite, por ne do t’i bezdisim të gjitha ekipet”

Xhani de Biazi mendon se Shqipëria nuk mori atë që meritonte kundër Zvicrës. Sipas trajnerit italian të Kombëtares, kuqezinjtë nuk e meritonin humbjen 2-0, por ai frenon euforinë kur pyetet nga gazetarët italianë nëse Shqipëria është gati të luftojë për vendin e dytë. “Kundër Zvicrës zhvilluam një ndeshje të mirë, ashtu sikundër bëmë edhe katër ditë më parë ndaj Qipros. Tani që e mendoj mirë, them se ndaj skuadrës helvete ekipi ynë ‘korri’ më pak nga sa ‘mbolli’ në fushën e lojës”, ka thënë De Biazi për “tuttomercatoëeb”.
Situata në grup
Duke marrë shkas nga fakti se Shqipëria momentalisht renditet e treta me tri pikë në dy ndeshje, media italiane e ka klasifikuar ekipin tonë si një kandidat të mundshëm për vendin e dytë. “Mendoj se është shumë shpejt për ta thënë këtë. Kam bindjen se Zvicra është favoritja absolute për të siguruar vendin e parë në grup. Kanë një skuadër të mirë, me potencial të madh dhe një grup lojtarësh të unifikuar. Pas saj, kandidatet janë Sllovenia dhe Norvegjia. Më pas jemi ne me Islandën dhe Qipron, që do të provojmë t’ju krijojmë bezdi dhe shqetësim të gjitha ekipeve”, ka thënë trajneri i Shqipërisë.
Treshja “italiane”
Nuk kanë munguar pyetjet për tre futbollistët e Kombëtares që aktivizohen në kampionatin italian. De Biazi u ka thurur elozhe Bogdanit, Canës dhe Ujkanit, duke i konsideruar ata si futbollistë kalibri që janë gati për një sezon të madh. “Bogdani është shumë mirë, kundër Qipros shënoi një gol të bukur nga 25 metra. Lorik Cana ndërkohë ka udhëhequr mbrojtjen me një autoritet të admirueshëm, ndërsa Ujkani nuk bëri asnjë gabim mes shtyllave. Në total pësuam tre gola në dy ndeshje, por Samiri nuk kishte asnjë faj tek të tre golat që shënuan skuadrat kundërshtare”, është shprehur tekniku italian i përfaqësueses shqiptare.

Bazeli hidhet në sulm për Mavrajn
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj, mund të ndërrojë skuadër në janar. Lojtari 26-vjeçar, që ka luajtur për disa skuadra në kampionatin gjerman të futbollit, duke treguar një formë të mirë, tashmë duket se do të hedhë një tjetër hap në karrierën e tij. Skuadra zvicerane e Bazelit, ditët e fundit ka pasur një interesim të madh për të marrë shërbimet e futbollistit, duke qenë se i nevojitet një mbrojtës. Aleksandër Dragoviç është larguar nga ekipi dhe drejtuesit e Bazelit janë të bindur se Mavraj do të jetë zëvendësuesi i tij, duke besuar kështu te aftësitë e shqiptarit. Menaxherët e skuadrës zvicerane e kanë parë nga afër futbollistin në ndeshjen që Kombëtarja shqiptare luajti të martën në mbrëmje ndaj Zvicrës dhe mësohet se e kanë vlerësuar paraqitjen e Mavrajt.

© Panorama.al

Te lidhura