
Trajneri i Kombëtares “ndryshon” objektiv: Kënaqem me vendin e 4-t.
“Fatkeqësi që lojtarë si Shaqiri e Xhaka s’janë kuqezi”
Xhani de Biazi e ka konsideruar një ndeshje normale atë kundër Zvicrës sot. Ai ka thënë se do të jetë e vështirë, por jo e pamundur që skuadra e tij të marrë një rezultat pozitiv. “Nuk mendoj se Zvicra ka pika të dobëta. Mendoj se është skuadër e mirë, por ne kemi ardhur këtu për të provuar të gjitha mundësitë tona dhe për të demonstruar se jemi në progres të vazhdueshëm”, ka thënë De Biazi në konferencën për shtyp.
Shqipëria e ka vendosur fatin e ndeshjes kundër Qipros në fund. Sa i vështirë ka qenë fillimi i eliminatoreve të Kupës së Botës për ju?
Ne e dinim se ndeshja e parë e këtyre eliminatoreve, edhe pse luanim në stadiumin tonë, do të ishte e vështirë. Megjithatë, kemi bërë shumë për fitoren, kemi luajtur në mënyrë të vendosur, dhe e kemi merituar suksesin ndaj Qipros.
Nesër (sot) luani kundër një kundërshtari, që konsiderohet favorit në grup. Ndaj Zvicrës, keni besim…
Ndryshe nga ne, Zvicra mori një fitore shumë të rëndësishme, kundër një kundërshtari të fortë dhe të suksesshëm. Për të fituar në Slloveni, duhet të luash shumë mirë. Dhe Zvicra e bëri këtë. Sa u takon favoritëve në grupin tonë, përveç Zvicrës, unë mendoj se edhe Sllovenia me Norvegjinë janë në rregull. Nëse Shqipëria renditet e katërta në këtë grup, do të ishte një arritje e mirë. Gjithsesi unë mendoj se kjo ndeshje është fryrë shumë në aspektin mediatik. Për mua është një ndeshje normale dhe këtë ia kam thënë edhe skuadrës. E dimë që nuk do e kemi të lehtë, por ama do bëjmë gjithçka mundemi që të marrim një rezultat pozitiv.
Si mund të na e përshkruani jetën tuaj si trajner i Shqipërisë?
Me pesë anëtarë të stafit tim, të gjithë italianë, jam tërë kohës në veprim. Bëjmë shumë udhëtime nëpër Europë, sepse përpiqemi t’i shikojmë të gjithë lojtarët tanë nga afër. Lojtarët e kombëtares shqiptare janë të shpërndarë në disa vende të botës, që nga Italia ime, në Gjermani, Suedi, Ukrainë, Zvicër dhe madje, edhe në Iran e Azerbajxhan. Kjo gjeografi e lojtarëve tanë është disi e shtrenjtë dhe e komplikuar për t’u kontrolluar. Unë jetoj në Koneljano, në verilindje të Italisë, por udhëtoj shpesh drejt Shqipërisë, sepse kështu e kam të parashikuar në kontratën e nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit. Jam shpesh në Shqipëri ose për të parë ndeshje të kampionatit vendës, ose për të përcjellë sfidat kualifikuese për “Europa League” dhe “Champions League”. Të tria klubet e përfshira në këto gara, Flamurtari, Tirana dhe Skënderbeu, janë eliminuar të gjitha që në raundin e parë.
Kështu, ju duhet të bëni një shumë punë themelore…
Lëvizja është relativisht e re, por ne po përpiqemi që ta nxisim. Shumë shqiptarë kanë emigruar në vitet nëntëdhjetë, mjaft talente të këtij vendi janë lindur e janë rritur si futbollistë jashtë, ndërsa tani kanë shfaqur interes të aktivizohen me ekipin kombëtar. Shumë zgjedhin të luajnë për “shtëpinë” e tyre të re, sikurse është rasti me Zvicrën i Xhakës, Behramit, Shaqirit etj.
Çfarë vështirësish parasheh në prag të ndeshjes kualifikuese me Zvicrën?
Edhe pse në momente të ndryshme ndeshja mund të jetë e balancuar, diferencat do të ndihen gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj në cilësi dhe aftësi.
Cilës gjë i druheni në lojën e Kombëtares shqiptare?
Disiplinës taktike. Lojtarët tanë mund të tejkalohen nga entuziazmi, ndaj më duhet shumë punë për t’i frenuar në këtë drejtim. Në këtë aspekt ne mund të bëjmë përparim, duke ruajtur shpirtin e tyre luftarak dhe duke i disiplinuar ata.
Çfarë objektivi mund të arrini me Kombëtaren shqiptare?
Asnjëherë nuk duhet të heqim dorë, ndaj duhet të besojnë në një ëndërr. Kur mora përsipër drejtimin e Modenës në Seria C1, ajo ishte në vendin e fundit. Ne e shpëtuam veten dhe një vit më vonë shkuam në Seria B, pastaj vitin e ardhshëm u ngjitëm në Seria A. Edhe tani, me Shqipërinë, dua të bëj të pamundurën. Ndonjëherë kjo ndodh!
Pse e bëtë kalimin nga trajner i një klubi në Itali te trajneri i një kombëtareje në Shqipëri?
Ky është hapi im i parë në drejtimin e një kombëtareje, megjithatë thelbi i punës nuk ndryshon shumë. Unë dua të jem i angazhuar me këtë profesion të paktën edhe në dhjetë vitet e ardhshme. Drejtimi i Kombëtares është diçka midis trajnerit dhe menaxherit. Unë gjithmonë e kam pasur këtë ambicie në fokus. E kisha vendosur të drejtoja një kombëtare diku dhe mundësia m’u krijua me Shqipërinë. Karrierën time si trajner e fillova në Seria C2. Megjithatë, unë e bëra këtë profesion edhe në Seria A, po e vazhdoj edhe me një kombëtare. Ky është një cikël profesional.
Zvicër-Shqipëri
Sonte, ora 20:30
Formacionet e mundshme
Zvicra: Benalio, Dzhoru, Von Bergen, Behrami, Lihshtajner, Inler, Xhemaili, Xhaka, Shaqiri, Derdijok, Mehmedi. Trajner: Otmar Hitcfeld
Shqipëria: Ujkani, Cana, Mavraj, Dallku, Agolli, Lila, Bulku, Kukeli, Hyka, Meha, Bogdani. Trajner: Xhani de BiaziNDESHJET E DE BIAZIT
29/02/2012 – Gjeorgji-Shqipëri 2-1
22/05/2012 – Katar-Shqipëri 1-2
27/05/2012 – Shqipëri-Iran 1-0
15/08/2012 – Shqipëri-Moldavi 0-0
07/09/2012 – Shqipëri-Qipro 3-1
BILANCI: 5 ndeshje; 3 fitore, 1 barazim, 1 humbje.
Golat: 7-4
Alban Meha: Flamuri më rrëqethi trupin
Alban Meha ndihet si në familjen e tij, edhe pse ka vetëm pak ditë që është njohur me shokët e rinj të skuadrës. Ai thotë se është gati për duelin e sotëm ndaj Zvicrës. “Nuk ka më mirë. Kur kam parë flamujt në stadium, më është dridhur mishi. Kam qenë shumë i emocionuar. Pas ndeshjes me Qipron kam marrë mesazhe pa fund nga miqtë e mi, nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Luajta 90 minuta që në debutim dhe kjo nuk është pak. E falënderoj për ato që ka thënë. Jam takuar me të dhe ruaj ende kontakte. Megjithatë, dua t’i them se i ka gjuajtur shumë mirë goditjet standarde, unë jam ende në hapat e parë. Ne luajmë ndaj Zvicrës, jo kundër Kosovës. Për mua është një ndeshje normale, ndonëse përballë do të kemi patriotët tanë. Të them të drejtën, nuk njoh asnjë prej tyre. Do të bëjmë lojën tonë, unë jam shumë optimist se do të kapim pikë. Nëse arrijmë ta nisim mirë lojën, atëherë çdo gjë do të jetë në favor, jam i bindur”, ka thënë mesfushori.
© Panorama.alCana: Takim me Shaqirin? Janë thashetheme
Sfida ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë që do të luhet sot në Luzernë, ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm në media, aq sa janë përhapur edhe lajme të pavërteta. Kështu, në mediat zvicerane dhe më pas në rrjetet e ndryshme sociale në internet, është përfolur për një takim 30-minutësh ndërmjet kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana dhe sulmuesit kosovar që luan për Zvicrën, Xherdan Shaqiri. Menjëherë kanë shpërthyer komentet e ndryshme. Por duket se gjithçka është një blof. Kështu, Cana mohon gjithçka. I pyetur nga gazetari i “Panorama Sport” që ndodhet në Zvicër në lidhje me këtë lajm, Cana ka deklaruar: “Nuk është aspak e vërtetë. Unë gjatë të gjithë kohës kam qenë në hotel së bashku me shokët e tjerë të Kombëtares. Janë vetëm thashetheme dhe asgjë më shumë”, ka konfirmuar kapiteni i Kombëtares shqiptare.Mesfushori Shaqiri: Do këndoj të dy himnet
Xherdan Shaqiri ka refuzuar të këndojë himnin e Zvicrës deri tani, por duket se ka vendosur të heqë dorë nga “vendimi” i tij pikërisht në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Këtë herë, ai ka vendosur që t’i këndojë të dyja himnet, duke qenë se është i lidhur me të dyja këto vende. “Mendoj se do i këndoj të dyja himnet. Më përkasin të dy dhe është më mirë kështu”, deklaroi mesfushori i Bajernit të Mynihut. Gjithsesi, lojtari tjetër i Zvicrës, Granit Xhaka, ka deklaruar se ai nuk ka për ta kënduar asnjëherë himnin e Zvicrës: “Nuk mendoj se do e këndoj ndonjëherë. Në radhë të parë sepse nuk e di dhe së dyti, se nuk besoj se kam për ta mësuar as në të ardhmen”.











