De Biazi: Aventura nis me tri debutime

Feb 25, 2012 | 13:56

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Xhani De Biazi

Trajneri italian përpilon listën e parë zyrtare si trajner i Kombëtares.

Kursehen “senatorët”, ndaj Gjeorgjisë shanse për të rinjtë.

Edgar Çani, Armando Sadiku dhe Hair Zeqiri. Këta janë tre emrat e rinj që janë grumbulluar për herë të parë në Kombëtaren shqiptare në një ndeshje zyrtare. Në një farë mënyre këta të tre mund të konsiderohen edhe si një bast për trajnerin italian të Shqipërisë, duke qenë se nuk kanë provuar asnjëherë të veshin fanellën e Kombëtares A. Ndërkohë, De Biazi ka preferuar edhe për arsye nga më të ndryshmet që të mos grumbullojë “senatorët”, ose më mirë, lojtarët me peshë të skuadrës sonë duke filluar që nga Bogdani, Salihi, Teli e deri te kapiteni, Lorik Cana. Duhet thënë se “Bogu” ka kërkuar vetë që të mos jetë i pranishëm në këtë miqësore, ndërsa Salihi dhe Teli janë lënë jashtë për arsye taktike (De Biazi ka preferuar që në vend të tyre të mund të provojë lojtarë të rinj). Gjithashtu mungon edhe Lorik Cana e Debatik Curri, që të dy të dëmtuar: i pari mund të kthehet në fillim të marsit në stërvitje, ndërsa i dyti në fund të këtij sezoni.
Risitë – Në fakt të rejat në listën e De Biazit nisin që me portën, teksa portier të dytë italiani ka preferuar Orges Shehin e Skënderbeut, i konsideruar si gardiani më i mirë i Superligës. Shehi ka qenë i grumbulluar edhe më parë në Kombëtare nga ish-trajneri Josip Kuzhe, por nuk ka luajtur asnjëherë, madje as në miqësoret e fundvitit të shkuar. Me gjasa portieri i korçarëve mund të bëjë debutimin e tij ndaj gjeorgjianëve. Për të kaluar te mbrojta, ku pa Telin, Canën dhe Currin, afërmendsh që titullarë mund të jenë Osmani dhe Veliu, të rigrumbulluar në ekipin përfaqësues. Korçari ka qenë pjesë e kësaj skuadre para disa vitesh kur luante te Metalurg Zaporishtje në Ukrainë, ndërsa vlonjati ka luajtur në miqësoren ndaj Argjentinës, si dhe në përballjen kualifikuese ndaj Luksemburgut. Sa i përket mesfushës, sytë drejtohen nga Hair Zeqiri i Riezesporit, pasi emrat e tjerë, përveç Roshit, janë provuar prej disa vitesh në Kombëtare. Vlonjati ka treguar një formë shumë të mirë në kampionatin turk, ndaj edhe grumbullimi në Kombëtare ishte thuajse i sigurt. Ndërkohë është lënë disi në harresë një tjetër mesfushor, me tipare organizative, Sabjen Lilaj. Ish-lojtari i Tiranës nuk po kalon një periudhë të lumtur te Lokomotiva e Zagrebit ndaj edhe për këtë miqësore është lënë jashtë.
Sulmi – Reparti ofensiv është prekur më shumë në këtë grumbullim. Janë lënë pushim Salihi dhe Bogdani (ndërkohë Kapllani është i dëmtuar) dhe në vend të tyre do të luajnë për herë të parë Sadiku dhe Çani. Që të dy këta lojtarë kanë shpërthyer me lojën e tyre në Zvicër dhe Poloni, ndaj edhe shihen si “rreziku” kryesor i “senatorëve”, për vendin e titullarit në të ardhmen në Kombëtare. Me gjasa De Biazi mund të luajë nga minuta e parë me Edgar Çanin, duke qenë se futbollisti luan në një kampionat prestigjioz si ai polak, te Polonia e Varshavës dhe ka shënuar rregullisht në takimet e fundit. Ndërkohë mësohet se trajneri Xhani de Biazi do të japë ditën e sotme një konferencë për shtyp, në selinë e FSHF-së (ora 11:00), në lidhje me miqësoren kundër Gjeorgjisë. Për trajnerin e dytë italian që drejton Shqipërinë, pas Xhuzepe Dosenës në vitin 2002, Gjeorgjia është testi i parë. Shqipëria ka zhvilluar 11 ndeshje me Gjeorgjinë, ku ka fituar vetëm 3 prej tyre, ndërsa ka pësuar 6 humbje dhe 2 barazime.

Dinamo do 300 mijë euro për Bakajn
U mor për 250 mijë euro nga Dinamo e Tiranës në fund të janarit 2011, ndërsa tani për të Dinamo e Bukureshtit kërkon edhe 50 mijë euro më shumë, pra 300 mijë euro. Kjo është shifra që kanë vendosur drejtuesit e kësaj skuadre për kartonin e mesfushorit me tipare sulmuese të skuadrës sonë përfaqësuese. Lajmi është bërë i ditur nga mediat rumune të cilat konfirmonin edhe kalimin në formë huazimi deri në fund të këtij sezonit të Bakajt në kampionatin ukrainas te Çernomorets. Ndërkohë, shtypi rumun ka nxjerrë edhe disa detaje nga marrëveshja, ku thuhej se Dinamo e Bukureshtit do të përfitojë 100 mijë dollarë nga huazimi, përveç faktit që rrogën e Bakajt do ta paguajë gjithashtu Çernomorets. Në total rumunët do përfitojnë nga largimi i Bakajt për 5 muajt e ardhshëm më shumë se 120 mijë euro (rroga që s’do paguajë + përfitimi nga huazimi). Ndërsa, nëse ukrainasit do të duan që në fund të këtij sezoni ta blejnë përfundimisht kartonin e Bakajt, atëherë duhet që të paguajnë edhe 300 mijë euro.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura