Ai ende nuk e ka gjetur kostumin. Ajo ka provuar të 17-tin, i kanë mbetur ende edhe 24, por pastaj vjen furnizim i ri kështu që duhet të kaloj edhe një herë andej nga salloni…Parukieres ia ka mbajtur pothuajse të bllokuar linjën e telefonit, ndërsa fotografit i ka sugjeruar pafund vende se ku mund ta fotografojë. Po ditën e dasmës ajo e ka vendosur? A nuk ju duken tani dasmat tepër egoiste? Mos thoni jo, dasma është kthyer në pronë të sajën, ai gjendet aty për të paguar faturat dhe nëse ka pak kohë në fund, edhe për t’u veshur…
Eh, jo! Ndonjëherë, asnjë lidhje nuk kemi me kohërat e antikitetit. Konceptet e kohërave moderne gjithnjë e më shpesh po rebelohen ndaj traditës, duke bërë çdo gjë me kokën tonë. Shembulli tipik është ai i martesave: rit i vjetër, por kaq ndryshe nga kohërat e largëta.
Përpara së gjithash, nusja: që nga nusja e re Kate deri te Charlene, dasmat VIP e kanë objektivin fotografik të orientuar rreth “Asaj”. Fustani, stilisti, dieta…gjithçka është në femërore: është dita e saj më e bukur, jo e tyre.
Disa dhëndurë përpiqen të rebelohen ndaj kësaj duke veshur uniformën e kuqe, siç pamë princin William, por jo vetëm. Edhe stilistët e kostumeve civil të dhëndrit kanë kapërcyer nga klasikja, duke përdorur ngjyra të forta edhe në kostume (mbase për t’i dhënë pak vëmendje edhe atij). Nejse, është një tentativë e tyre, por që nuk e ndryshon gjithsesi thelbin e çështjes. Sepse asnjëherë ne nuk na interesoni nëse Princi William bëri pedikyr përpara eventit të madh apo nëse fjeti me dy rrathë kastravecësh mbi sy atë natë, jo! I bëmë veshët katër vetëm për fustanin e saj “Armani” dhe për gjendjen e saj shpirtërore kur ishte vetëm një hap larg martesës.
Është ky një imazh rozë i martesës? Kjo këmbëngulje në popullaritetin femëror të ceremonisë nuk ka pasur asnjë lidhje me botën antike. Me një kulturë si ajo greke, për shembull, të rritur me moton “i bukur dhe i zoti”, burri ka të gjitha të drejtat. Të rritur në palestra, madje me idenë që edhe krehja e flokëve kishte një vlerë të caktuar kulturore, grekët duan të jenë të bukur, të paktën të ndihen të barabartë me gratë në ditën e dasmës së tyre: duan të shkëlqejnë dhe e bëjnë në fakt duke zotëruar pjesën më të madhe të ceremonisë.
Nëse tani jemi absolutisht protagoniste, nëse e jetojmë atë ditë si krejtësisht tonën, nuk ndodhte kështu me të rejat greke (15 vjeç) që martoheshin.
Në mbrëmje, vajzat linin shtëpinë e të atit ulur në një karrocë dhe hynin në shtëpinë e “të besuarit” si një objekt që lihej në mirëmbajte me besim të plotë, në dhomën e burrit. Martesat bëheshin në janar, jo si tani që vetëm për shkak të tyre, mundësisht në të gjitha ditët e javës trafiku “bërtet” nga ngarkesa.
Martesat, por edhe funeralet, kanë qenë rastet e çmuara ku takoja qoftë edhe për pak një mik apo të afërt. Nëse martoheshe me një burrë të pasur, nusja e ndante shtratin me një mik të dhëndrit, prostitutën dhe kujdestaren. Lindnin fëmijë të ligjshëm dhe e kalonin ditën duke ngarkuar telat ose duke qeshur nën zë te portat e shtëpive. Ndërsa në Romë, një grua që edhe Dantja e ka cituar, i jepet madje edhe “hua” një miku të familjes. Kështu, burri kthehej në shembull virtyti.
Po boll u morëm me Greqinë e Romën e lashtë. Këtu te ne çfarë po ndodh? A ka mbetur më ndonjë hije e traditës së vjetër! Të gjithë e dimë që jo, por të shohim konkretisht se sa dhe si kanë ndryshuar. Sa kohë i kushton vetes një burrë në ditën e dasmës së tij, krahasuar me partneren? A shkon ai 27 herë për të provuar të gjithë kostumet e mundshëm, sa herë vjen ndonjë i ri, ashtu siç bën “Ajo”? Për këtë, më mirë se Armand Peza, drejtuesi i “Geraldina Sposa”, nuk mund të na i thoshte askush. Ai e di mirë se sa muaj më parë i sheh nuset e ardhshme të hyjnë e të dalin nga salloni i tij. Sidomos tani, kur është koha që dasmat janë në kulmin e tyre. Për këtë na siguron Eda Turku, shefja e zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Tiranës. Po fotot? Ah, “ato” nuk mund ta konsiderojnë dasmën pa to. E fundja, ç ‘kuptim do të kishte gjithë ai investim nëse në fund, pas disa vitesh, nuk do të kishin disa foto për të shfletuar në album. Edhe sikur “Ai”, kokulur, të jetë duke folur me vete për shpenzimet që ka bërë deri më parë, me një gjysmë “Po” (mos ta thotë po deshi!), i afrohet edhe më shumë “PO”-së së fundit. Asaj të madhes, që i vë vulën njëherë e mirë të gjitha kërkesave!
Ritet e vjetra
Paja e nuses
Një institut i rëndësishëm i së drejtës zakonore familjare, i njohur që nga kohët më të lashta, ka qenë paja e nuses. Në fshatrat shqiptare ku sundonte varfëria, paja ishte e kufizuar kryesisht me punime dore prej leshi (çorape e veshmbathje tjetër) që merrte me vete nusja. Sipas librit “E drejta zakonore e Labërisë”, paja përbëhej nga sendet vetjake të nuses, prandaj ato ishin pasuri vetjake e saj. Në Shqipërinë e Veriut, paja e nuses përfshinte edhe prikën. Në Labëri, paja përgatitej nga shtëpia e burrit. Babai i dhëndrit së bashku me babanë e nuses shkonin në pazar dhe i blinin rrobat e nuses që nga këpucët (zakonisht 2-3 palë) e deri tek shamia e kokës. Kjo normë e pashkruar e së drejtës zakonore ka vepruar kudo në Shqipëri e në Kosovë.
Krushqit e armatosur
Gojëdhëna popullore e fshatrave të Labërisë tregon se format e martesës, të njohura nga e drejta zakonore familjare, kanë qenë martesa me kurorë, martesa me shpërblim dhe martesa me rrëmbim, kurse martesa me provë nuk njihej. Edhe në “Kanunin” e Skënderbeut nuk njihej martesa me provë. Martesa me rrëmbim, një nga format më të lashta e më të përhapura kudo, praktikohej në Labëri ashtu si edhe në Malësinë e Veriut e në zona të tjera malore të vendit. Martesat me rrëmbim nuk kanë qenë dukuri shqiptare, por kanë ekzistuar që nga kohët më të lashta dhe janë praktikuar në Greqinë e vjetër, Romën e lashtë etj. Për martesën me rrëmbim dëshmon veç të tjerash edhe dërgimi i krushqve të armatosur për të marrë nusen. Në zonën e Labërisë, në fillim të këtij shekulli, tradita ka qenë që zakonisht nusja e dhëndri nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Fjalën e martesës e jepnin prindërit e tyre. Ditën e dasmës, krushqit vinin me kuaj për të marrë nusen. Nusja vinte hipur mbi kalë, me kokën të mbuluar me duvak dhe kalin ia jepte babai, ishte pjesë e pajës së saj. Kur nisej me krushqit për në shtëpinë e burrit, zakoni ka qenë që ta shoqëronte një mashkull nga familja, zakonisht vëllai i vogël. Kishte edhe nuse që vishnin fustan të bardhë e vello, por traditë kanë qenë çitjanet e kuqe atllasi ose mëndafshi me xhoke të qëndisur e të shndritshme, shami me temina dhe kokën të mbuluar me duvak. Flokët dhe gishtat i lyenin me këna. Menyja tradicionale ka qene mishi i pjekur në hell, bagëti, yshmer, një gatim me miell misri, gjalpë dhe pjesë të brendshme bagëtie. Ëmbëlsira tradicionale ka qenë revania. Organizimi i dasmës bëhej nga një djalë i ri i fisit, i ngarkuar prej të zotit të shtëpisë, që kujdesej për mishrat në hell, cilësinë e pjekjes së tyre, gatimet, sistemimin e miqve në tryeza etj.
Armand Peza: “Në shumicën e rasteve, nusja e ka situatën në dorë”
Mund ta thotë më mirë se kushdo që vajzat, qoftë edhe ajo më moskokëçarësja, e duan vëmendjen të gjithën për vete, duke e lënë kështu partnerin në hije. “Në shumicën e rasteve, janë vajzat ato që e marrin në dorë situatën, vetëm në pak për qind të tyre dhëndri përfshihet. Vetëm se, duke qenë se dhëndri paguan, mbetet në çdo rast absolutisht i përfshirë, pavarësisht kërkesës për t’u njohur me detajet apo jo”.
Edhe në rastet kur ja lë krejtësisht asaj në dorë, me siguri që do të dalë ndonjë pjesëtar i tij i familjes i gatshëm për të përfaqësuar djalin e shtëpisë. “Në këto raste, vajzat inteligjente lënë fushë të hapur edhe për ndërhyrësin, por pastaj vendimet i merr vetë.” Ama, të mos abuzojmë, ka edhe çifte nga ata që bëjnë gjithçka së bashku. Koha e gjatë e bashkëjetesës para martesës që kanë ndenjur bashkë, i ka lejuar ata të njihen mirë me preferencat e shijet e njëri-tjetrit. “Tendencat e fundit kanë bërë që dhëndri të jetë i përfshirë po aq sa nusja, të paktën në disa kategori klientësh. Të njohurit mirë të njëri-tjetrit bën që zgjedhjet t’iu përputhen e të kenë mendime të ngjashme.”
Eda Turku: 14 Shkurti, dita e preferuar e dasmës
Në fakt, kur çifti shkon e bën betimin përpara punonjëses së Gjendjes Civile të Bashkisë së Tiranës, nuk është se mund të dallosh ndonjë diferencë mes të dyve. E shumta, nusja sërish tërheq vëmendjen me ata lotët që i rrjedhin pa kontroll tek shkëput dorën nga e babait për ta bashkuar me atë që pas pak çastesh do të jetë shoku i jetës. Për Edën, që prej 10 vitesh ka kaluar sa e sa çifte nën betim, kjo është një gjë fare e natyrshme. Përfshi edhe të ftuarat, po femra, që njollosin fytyrën me tualetin që ju prishet nga lotët. Po a është tani koha e artë e dasmave apo po i biem fyellit kot? “Koha e verës është absolutisht sezoni kur dasmat janë në kulm të tyre. Nisin që nga maji e përfundojnë nga fillim tetori. Gjithashtu, një datë po kaq e preferuar sa stina e verës është edhe 14 Shkurti.” E shihni…Mos u bëni kaq naiv sa të mendoni që edhe në paracaktimin e kësaj date ka gisht partneri. Ka qenë ajo që për kushedi sa kohë i ka shushuritur te veshi deri sa në fund ai ka thënë: “Epo mirë, si të duash”.
Armand Sallabanda: Nusja është në qendër të fokusit
“Për t’i bërë meshkujt të duken harmonik në fotografi, të duken si brenda një përralle, meqenëse është dita e tyre më e bukur e jetës, është shumë e vështirë, shpesh e pamundur. Është nusja ajo që merr gjithë vëmendjen gjatë setit të fotografive.” Edhe në rastin e fotografive, siç e shihni të thënë nga fotografi Armand Sallabanda, dhëndri më së shumti duhet për të zbrazur kuletën. Edhe për ato dy foto që, në fund, domosdoshmërish duhet t’i kenë bashkë (ndryshe ç ‘kuptim do të kishte!), duhet mundim i madh për t’i realizuar. “Megjithatë, kohët e fundit më ka ndodhur një rast krejt ndryshe nga të tjerët. Ishte dhëndri ai që më kërkonte vazhdimisht të shkrepja, ndërsa nusja qëndronte e tërhequr”. E pra, raste perfekt nuk ka, mos u lodhni kot. Ju dhëndurët vazhdoni forconi kuletën, se ajo nuk i ndahet fotografit deri sa të mahnitet disa herë me radhë. Ama, kujtohuni në fund që keni për të bërë edhe ato dy fotot bashkë, se me shumë mundësi, ajo ka për t’ju kujtuar vetëm në mbrëmje kur duhet të bëhet vallëzimi i çiftit!
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











