DASH, Shqipëria vlerësohet për luftën ndaj terrorizimit

Aug 20, 2011 | 11:14
Departamenti Amerikan i Shtetit

Shqipëria vlerësohet me nota pozitive në luftën kundër terrorizmit.Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje raportin për vitin 2010, ku thuhet se “Qeveria e Shqipërisë ka punuar për ndryshimet në nenet për terrorizmin në Kodin Penal, si dhe ka mbajtur të ngrira asetet e personave që janë në listën e Këshillit të Sigurimit për financuesit e terrorizmit”. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni thekson se Tirana zyrtare ka punuar nga ana ligjore, duke arritur të mbajë të bllokuara asetet e dy personave dhe 13 fondacioneve. Dokumenti, i cili përbëhet nga 255 faqe, vlerëson faktin se qeveria ka identifikuar subjektet që ishin në listën e Këshillit të Sigurisë të OKB-së dhe kreu bllokimet. “Në fund të vitit fiskal 2010, qeveria kishte nën administrim asete me vlerë rreth 6.9 milionë dollarë dhe kishte konfiskuar asete të tjera me vlerë mbi 850 mijë dollarë”, thuhet në raport. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson pozitivisht edhe punën e Policisë Kufitare, e cila ka rritur sigurinë në pikat kufitare. “Policia kufitare ka përmirësuar vazhdimisht sigurinë në pikat kufitare dhe në zonat e kalimeve zyrtare, ndërkohë që ka zbatuar patrullat në malet përgjatë kufirit, duke rezultuar edhe arrestime e gjithashtu konfiskime të lëndëve narkotike”. Për sa i përket përmirësimit të kuadrit ligjor për luftën kundër terrorizmit, Departamenti thekson se nga nëntori i kaluar qeveria ka miratuar një draft, i cili pret të miratohet në Parlament. Projektligji rishikon disa nene të Kodit Penal që kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve. “Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar rishikimin e statutit të terrorizmit në Kodin Penal dhe vendosjen e një ligji për konfiskimin e aseteve që vijnë nga aktiviteti kriminal. Drafti, i cili është në pritje të miratimit nga Parlamenti që nga nëntori 2010, shtrihet në veprimet me qëllime terroriste, financimin e terrorizmit dhe pastrimit të parave. Ndryshimet janë të bazuara në Task-Force e Veprimit Financiar”, thuhet në raport. DASH përmend edhe raportin e imamit Artan Kristo, i cili 9 vjet më parë bashkëpunoi me “Fondacionin Haramain” i lidhur me Al Kaedën. Në fund të vitit të kaluar, ai u shpall fajtor nga Gjykata e Durrësit dhe u dënua me 5 vjet burg për veprën “nxitje publike te propagandës dhe akteve terroriste, ne faqen e internetit ‘alb sefalfi.net’”. Imami Kristo e apeloi vendimin dhe ende sot ndodhet në qeli. Në të njëjtën kohë, raporti i referohet rastit të Hamzeh Abu Rajan, i cili u shpall fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda me akuzën e fshehjes së fondeve që do të përdoreshin për të financuar terrorizmin. Rajan u dënua me katër vjet burgim dhe u urdhërua të paguajë një gjobë prej 6000 dollarësh. Por ai e apeloi vendimin dhe ekzekutimi i dënimit ka mbetur pezull në pritje të një seance tjetër gjyqësore.

Raporti i DASH

.    Qeveria e Shqipërisë ka punuar për ndryshimet në nenet për terrorizmin në Kodin Penal, si dhe ka mbajtur të ngrira asetet e personave që janë në listën e Këshillit të Sigurimit për financuesit e terrorizmit.
.    Shqipëria ka punuar nga ana ligjore, duke arritur të mbajë të bllokuara asetet e dy personave dhe 13 fondacioneve.
.    Qeveria ka identifikuar subjektet që ishin në listën e Këshillit të Sigurisë të OKB-së dhe kreu bllokimet.
.    Në fund të vitit fiskal 2010, qeveria kishte nën administrim asete me vlerë rreth 6.9 milionë dollarë dhe kishte konfiskuar asete të tjera me vlerë mbi 850 mijë dollarë
.    Policia kufitare ka përmirësuar vazhdimisht sigurinë në pikat kufitare dhe në zona e kalime zyrtare, ndërkohë që ka zbatuar patrullat në malet përgjatë kufirit, duke rezultuar me arrestime si dhe konfiskime të lëndëve narkotike

Raporti

Departamenti Amerikan i Shtetit thekson në raportin e tij se Shqipëria ka vazhduar përpjekjet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke propozuar ndryshime në ligjet përkatëse. Në të njëjtën kohë, dokumenti për vendin tonë jep vlerësime edhe për bashkëpunimin e mirë që ka vendi ynë me  organizatat ndërkombëtare dhe shtetet fqinje në luftën kundër terrorizmit. Në raportin për vitin 2010 analizohen dhe zhvillimet në të gjitha vendet e tjera në botë.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura