
Krerët e maxhorancës, ministra e deputetë, 3 orë te “Sofra e Ariut”
Me deputetët e maxhorancës bashkohet edhe Islami.
Maxhoranca ka festuar mbrëmë zgje-dhjen e Bujar Nishanit si President. Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me deputetë e ministra, kanë qëndruar rreth 150 minuta së bashku në restorantin “Sofra e Ariut”, ku nën shoqërinë e muzikës dhe verës franceze kanë ndarë disa momente gëzimi pas rreth dy javësh takime, negociata dhe llogaritje numrash në Parlament. I pranishëm në festë ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, si dhe deputeti i pavarur që e hodhi votën e pavlefshme gjatë votimit, Kastriot Islami. Ndërkohë që ka munguar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndonëse për marrjen pjesë në procesin e votimit mori edhe përgëzimin e Kryeministrit Berisha me anë të një mesazhi telefonik.
Darka
Rreth orës 20:45, pas mbërritjes së Kryeministrit Berisha, deputetët dhe ministrat kanë zënë vendet në restorant. Ka qenë pikërisht kreu i maxhorancës ai që ka marrë fjalën e pari duke falënderuar të gjithë deputetët që votuan

kandidatin e shumicës për kontributin e dhënë gjatë këtij procesi. “Mirënjohje për të gjithë punën tuaj gjatë zgjedhjes së Presidentit”, mësohet t’u jetë drejtuar kreu i qeverisë anëtarëve të Grupit Parlamentar. Më pas fjalën e ka marrë Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani. “Unë ju jam mirënjohës të gjithëve ju që më besuat në postin më të lartë të vendit. Shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi bashkëpunim të ngushtë së bashku”, është shprehur Nishani. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me zv.kryeministrin Edmond Haxhinasto, kanë qenë të ulur në një tavolinë me kreun e qeverisë, Presidentin e ri dhe kryeparlamentaren. Gjatë darkës, Berisha ka ngritur edhe një dolli për koalicionin.
Menyja
Darka ka qenë e përbërë nga disa pjata, ku fillimisht për deputetët dhe ministrat është shërbyer antipasta e “Sofrës së Ariut” dhe më pas, sipas preferencave, të ftuarit kanë zgjedhur mes rizotos dhe makaronave. Në tryezë ka dominuar mishi në vend të peshkut, i shoqëruar me verë të kuqe franceze. Rreth orës 22:30 është shërbyer edhe ëmbëlsira e darkës. Gjatë rreth tri orëve qëndrimi në restorant, krerët e maxhorancës, por edhe deputetët që votuan për Bujar Nishanin, kanë qenë nën ritmet e muzikës së lehtë në sfond. Gjatë darkës nuk kanë munguar as performancat e kërcimit të Mesila Dodës, apo edhe këngët e Vangjel Tavos.
© Panorama.alNegociatat
Gjatë takimit me drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar, Ouen Jenkins, Berisha çmoi procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit si një proces i cili respektoi si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës. Kryeministri theksoi se maxhoranca bëri të gjitha përpjekjet për konsensus dhe se zgjedhja e Presidentit erdhi përmes një procesi negociatash dhe konsultimesh mes faktorëve politikë.











