DAP, 327 emërime brenda 2011

Jun 20, 2012 | 13:04
Komisioni i Ligjeve

Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të marrë sot në shqyrtim raportin e Departamentit të Administratës Publike për gjendjen e shërbimit civil në vitin 2011. Raporti, në pjesën e dytë të tij, bën një analizë të detajuar të të gjitha konkurseve dhe pranimeve që janë bërë në administratën shtetërore gjatë vitit të kaluar. “Gjatë këtij viti janë publikuar 235 pozicione të lira në ministritë e linjës dhe në Kryeministri, dhe janë zhvilluar 237 procedura konkurrimi. Në këto konkurrime kanë paraqitur aplikimet dhe kanë marrë pjesë 1771 aplikantë, nga të cilët rreth 70 për qind kanë qenë të seksit femër. Mosha mesatare e aplikantëve llogaritet në rreth 35 vjeç. Në përfundim të këtyre procedurave janë kryer 327 emërime të reja, nga të cilat 4 emërime sipas procedurës së lëvizjes paralele, 4 emërime sipas procedurës së ngritjes në detyrë, 4 emërime janë kryer nga lista e pritjes pa konkurs dhe 3 emërime për pasojë të zbatimit të vendimeve gjyqësore”, thuhet në raportin e DAP-it. Nga viti 2000, numri 327 i pranimeve në administratë është i dyti më i larti, ndërsa në vitin 2004 janë bërë 330 emërime. Më pak emërime në këtë periudhë janë bërë në vitin 2000, 53 të tilla.
Shkarkimet
Në raport detajohen edhe të gjitha masat disiplinore të vendosura gjatë vitit të kaluar. DAP thekson se është vënë re ulje e numrit të rasteve të dhënies së masës disiplinore “largim nga shërbimi civil” dhe ulje e rasteve të dhënies së masave më të lehta, siç është masa disiplinore “vërejtje me shkrim”. “Në zbatim të procedurës së përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësit civilë, të gjitha procedurat për marrjen e masave disiplinore të iniciuara në Kryeministri dhe ministritë e linjës duhet të dërgohen për mendim në DAP, pavarësisht se po sipas këtij legjislacioni, mendimi që jep ky departament është thjesht këshillimor dhe futet në dosjen vetjake të nëpunësit civil”, theksohet në raport. Sa u përket shifrave të vitit të kaluar, 7 punonjës të administratës janë larguar nga shërbimi civil; 1 punonjës është pezulluar deri në 2 vjet nga e drejta e ngritjes në detyrë; 1 punonjës ka marrë masën e uljes në detyrë; 4 punonjës kanë marrë vërejtje me shkrim dhe 1 vërejtje me paralajmërim. Në total, gjatë 2011-s, janë dhënë 14 masa disiplinore.

Raporti i vitit 2011
235 pozicione të lira në ministritë e linjës dhe në Kryeministri u shpallën nga DAP.

237 procedura konkurrimi u zhvilluan për pozicionet e lira.

1771 aplikantë u paraqitën për të marrë pjesë në konkurse.

70 për qind e tyre ishin të seksit femër dhe mosha mesatare ishte rreth 35 vjeç.

327 emërime të reja u kryen gjatë vitit të kaluar, nga të cilat 4 emërime sipas procedurës së lëvizjes paralele, 4 emërime sipas procedurës së ngritjes në detyrë; 4 emërime nga lista e pritjes pa konkurs dhe 3 emërime si pasojë e zbatimit të vendimit të gjykatës.

53 emërime të ngjashme janë bërë në vitin 2000 nga DAP, ndërsa viti me më shumë emërime është ai 2004, me 330 të tilla.

14 masa disiplinore u morën gjatë vitit të kaluar.

7 nga këto masa janë për largim nga shërbimi civil; 1 pezullim deri 2 vjet nga e drejta e ngritjes në detyrë; 1 masë për ulje në detyrë; 4 masa vërejtje me shkrim dhe 1 vërejtje me paralajmërim.

Reforma në administratë
“Me synimin e rregullimit të hapësirës menaxhuese janë përcaktuar disa standarde numerike për krijimin e njësive të ndryshme organizative e konkretisht: Drejtoria e Përgjithshme krijohet nëse në përbërje të saj ka të paktën dy drejtori; Drejtoria krijohet nëse në përbërje të saj ka të paktën dy sektorë; sektori krijohet me pozicionin e përgjegjësit të sektorit, nëse në përbërje të tij ka të paktën 3 nëpunës (1 përgjegjës sektori + 2 specialistë), ose nëse ai ka të paktën dy nëpunës”, thuhet në raport.

Shërbimet mbështetëse
Sipas strukturës së re të administratës, “janë vendosur disa standarde numerike, të cilat rregullojnë rastet kur nëpër institucione mund të krijohen pozicione të dedikuara për menaxhimin e burimeve njerëzore, të dedikuara për financën, magazinat etj. Gjithashtu është përcaktuar se numri i punonjësve të grupuar në njësitë e shërbimeve mbështetëse nuk duhet të jetë më shumë se 33% e numrit të përgjithshëm të pozicioneve të institucionit”.

Trajtimet në Administratë
Sipas DAP-it, “objektivi kryesor i programit të trajnimit është: të mbështesë një shërbim civil më profesional, të aftë dhe të bazuar në sistemin e meritës, menaxherë më të zotë dhe më të përgjegjshëm dhe një shërbim civil më të aftë dhe më të motivuar për të zbatuar strategji kombëtare për zhvillime të mëtejshme në të ardhmen”.

Objektivat për vitin 2012
Në pjesën e objektivave të raportit thuhet se “diskutimi dhe dërgimi për miratim nga Këshilli i Ministrave i projektligjit “Për nëpunësit civilë”; rregullime të ndryshme në fushën e pagave; rritja e pagave në mënyrë të diferencuar, sipas prioriteteve të përcaktuara; rishikimi i kurrikulave ekzistuese të trajtimit”.

Ndryshuan vendimet për pagat
Gjatë vitit të kaluar DAP ndërmori edhe një sërë ndryshimesh në vendimet që miratoi qeveria për rritjen e pagave. Kështu, u bashkuan në një vendim të vetëm vendimet e mëparshme të pagave me të cilat trajtoheshin në pagë nëpunësit civilë dhe nëpunësit në këto institucione apo grup institucionesh: institucione kushtetuese; institucione të pavarura; ministritë e linjës; institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës; institucionet rajonale apo vendore në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës; prefekturat; administratat e gjykatave; Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit; sistemi tatimor dhe doganor. Në të njëjtën kohë u ripunuan edhe vendimet e pagave për mjekët, punonjësit e përfaqësive diplomatike dhe atashetë ushtarakë të Forcave të Armatosura.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura