Dallku: Ukrainasit janë të butë, do ju mahnisin

Jun 6, 2012 | 14:15

Ukraina do të jetë organizatore shumë e mirë e kampionatit europian të futbollit. Kështu të paktën thotë mbrojtësi i Shqipërisë, Armend Dallku. Ai ka gati shtatë vite që luan në Ukrainë, njërin prej dy vendeve organizatore të Europianit të 14-të, që zhvillohet nga tetë qershori deri më një korrik. Ai thotë se pas përfundimit të Europianit të gjithë do të pranojnë se dyshimet e shfaqura për Ukrainën ishin të padrejta. Ukraina nga shumë vende pjesëmarrëse në Europian është akuzuar për racizëm e huliganizëm. Madje, familjarë të disa futbollistëve anglezë kanë hequr dorë nga udhëtimi në Ukrainë nga frika se mund të jenë pre e sulmeve raciste. “Nuk është e vërtetë se në Ukrainë ka racizëm. Huliganizmi është i nivelit të njëjtë me vendet e tjera europiane. Futbollistët me ngjyrë që luajnë në Ukrainë, nuk kanë pasur asnjëherë probleme racore. Ata kanë dalë me deklaratë për të përgënjeshtruar zërat për Ukrainën raciste. Në fakt, Ukraina është një shtet i butë me njerëz të butë. Ka shtatë vite që luaj në këtë vend dhe asnjëherë nuk kam pasur as më të voglin problem”, ka thënë Dallku për “Koha Ditore”. Ai thotë se akuzat ndaj Ukrainës janë bërë për motive politike. “Akuzat janë të lidhura me politikën, për shkak të burgosjes së ish-kryeministres Julia Timoshenko. Nuk janë të vërteta dhe, pas përfundimit të Europianit, të gjithë do të pranojnë se nuk kishte asgjë nga ajo që u tha më herët”. 28-vjeçari kuqezi luan për Vorskla Poltavan prej gushtit të vitit 2005. Ai thotë se futbolli në Ukrainë adhurohet shumë. “Futbollin e duan shumë në Ukrainë. Është sporti më i popullarizuar në vend. Në dhjetë vitet e fundit futbolli në Ukrainë ka ecur shumë para. Është investuar shumë. Për Europian janë ndërtuar stadiume të reja dhe nuk janë rinovuar ata që ekzistonin, si në Poloni”, ka shtuar mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë. Ai thotë se së bashku me skuadrën do të ndjekë disa ndeshje që do të luhen në qytetin më të afërt të Poltavas, Kharkiv. Dallku nuk është futbollisti i vetëm shqiptar që bën karrierë në dy vendet organizatore të Europianit. Shoku i skuadrës dhe njëherazi sulmuesi i Shqipërisë, Januzi, është një i tillë. Për të rinjtë e këtij klubi luan vëllai i vogël i Armend Dallkut, Ardini. Për skuadrën më të madhe ukrainase, Dinamo Kiev, luan sulmuesi shqiptar i përfaqësueses së Zvicrës, Admir Mehmedi. Ndërsa, për Çernomorets Odesa luajnë dy futbollistët e tjerë të Kombëtares së Shqipërisë, Elis Bakaj e Kristi Vangjeli. Në Poloni po luan edhe qendërsulmuesi shqiptar, Edgar Çani. Ai luan për Polonian e Varshavës.

© Panorama.al

Te lidhura